Përsëri nxitim i panevojshëm për koncesione…

Jul 28, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

zef-preciZEF PREÇI

Shumëkujt mund t’i kujtohet një ide projekti e diskutuar në institucionet qeveritare në fillim të viteve 2000 për ndërtimin në Gjirin e Vlorës të një porti të madh kontejnerësh – më të madhin në bregun lindor të Adriatikut… Po ashtu, cilido që ka punuar qoftë edhe për pak kohë në administratën publike, aq më tepër në poste të larta shtetërore, kupton dhe kujton se sektorët e ndryshëm të ekonomisë në periudha afatgjata zhvillohen mbi bazën e Master-Planeve, të cilat për shumicën e resurseve të vendit kanë qenë përgatitur në dekadën e parë të tranzicionit, përpara vitit 2000.

Këto dokumente të rëndësishme shtetërore, të hapura për publikun dhe udhërrëfyese për institucionet vendimmarrëse dhe ligjbërëse të shtetit shqiptar, kanë garantuar vazhdimësinë e qeverisjes së burimeve natyrore, zhvillimin e infrastrukturës etj., dhe përgjithësisht janë marrë në konsideratë në zhvillimet e mëvonshme pas këtij viti.

Këtu bën pjesë edhe zhvillimi i infrastrukturës portuale të vendit, falë zbatimit të Master-Planit të së cilës u arrit jo vetëm të evitohet risku i madh i jetës së banoreve të qytetit të Durrësit nga prania e depove të karburantit në portin e vetëm në hyrje të Korridorit të VII-të, por edhe u krijua mundësia për specializimin e porteve për naftën dhe gazin, rritja e kontrollit mbi evazionin, kontrabandën dhe korrupsionin me këto mallra të akcizës etj., pa folur për zvogëlimin e risqeve të ndotjes ambientale.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dobinë publike që kanë sjellë miliona Euro të shpenzuara në formën e asistencës teknike që ka paraprirë marrjen e huave shtetërore në institucionet financiare ndërkombëtare për zhvillimin e integruar të bregdetit, këtij resursi kolosal për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Kështu ka ndodhur edhe në sektorin minerar etj., domethënë jetojmë në kohën kur qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit kanë në dorë të gjitha instrumentet e nevojshme ligjore dhe institucionale që të maksimizoje përfitimet publike nga investimet e çfarëdollojshme në zbatim të studimeve sektoriale dhe ndërsektoriale, strategjive zhvillimore, master planeve të zhvillimit etj., si në infrastrukturën e vendit, ashtu edhe forma të tjera të investimeve publike, private (vendase dhe të huaja apo të përziera).

Në kushtet e një niveli të borxhit publik gati-gati të pamenaxhueshëm, por edhe të rritjes së pranisë së përfaqësuesve të oligarkisë në përfaqësimin politik të vendit, si dhe të presioneve korruptive e në forma të tjera ndaj vendimmarrjes së qeverisë, vitet e fundit kanë marrë shtrirje të gjerë edhe koncesionet, kryesisht në formën e partneritetit publik-privat.

Në fakt, kjo do të thotë jo investim i drejtpërdrejtë i parave private në ekonominë publike siç mendon shumica kur dëgjon të flitet për koncesione, por “lënie peng” e të ardhurave buxhetore të viteve të ardhshme, çka e bën të diskutueshëm edhe vetë definicionin e përdorur për këtë qëllim, ndonëse duhet pranuar se me amendimet e vitit të shkuar në ligjin për partneritetin publik-privat janë bërë përpjekje të mëdha për të mbyllur shtigjet për kontestimin e mundshëm kushtetues të kësaj forme të përzgjedhjes pa konkurrim të operatorëve ekonomikë dhe pa ndonjë analizë serioze të dobisë shoqërore (ajo private është pa dyshim plotësisht e sigurt – bazohet te të ardhurat buxhetore) të kontratave qeveritare të kësaj forme në shëndetësi etj.

Kjo është aq e vërtetë sa mund të thuhet se partneriteti publik-privat – pak i njohur dhe me shtrirje të kufizuar në vendet e BE-së – në Shqipëri është bërë modeli mbizotërues, por njëkohësisht edhe modeli më problematik, lehtësisht i dyshueshëm për korrupsion dhe për abuzim me pasuritë shtetërore, por deri-diku “ligjërisht i kopsitur”…

Koncesioni më i fundit zyrtar është ai që është miratuar në Kuvend vetëm pak ditë më parë ndaj një kompanie të huaj të krijuar pak ditë më parë me një kapital themeltar prej 100 paundësh britanikë (120 Euro) që “do të sjellë 5 miliardë dollarë investime të huaja” (?!), por duke “aparuar” 1700 hektarët e bregdetit të Karpen (Kavajë)…

Siç tregon përvoja e skanimit të kontejnerëve – në fakt taksimin e çdo fature doganore, pra për një shërbim që nuk de facto merret nga biznesi dhe qytetari – sugjeron që edhe Karpen-i mund t’u kushtojë qytetarëve shqiptarëve miliona Euro të tjera gjoba dhe penalitete edhe sikur asnjë lopatë dhe të mos hidhet në një investim të tillë… E kam fjalën për një kontratë qeveritare mbi pasuritë publike që kalon me urgjencë në Kuvend, si një kambial që nuk dihet se për ku duhet…

Siç është parë këto ditë me masmedia, ky investim u komentua gjerësisht nga masmedia, sepse u miratua duke injoruar njëkohësisht Master-Planin e sektorit, plan biznesin (e munguar), studimin e fizibilitetit (të munguar gjithashtu) e mbi të gjitha duke përcjellë 1700 hektarë tokë në rajonin më të preferuar të vendit në duart e një kompanie ndërmjetëse fantazmë të krijuar pak ditë më parë/”bijë e denjë” të një fantazme tjetër krejtësisht të panjohur dhe me një nxitim të denjë për republikat totalitare dhe që nuk kanë lidhje me qeverisjen demokratike, në një parlament të trysnuar nga prania e gjerë e oligarkëve dhe nën kërcënimin e ndëshkimit amerikan për mosvotimin e amendimeve kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi…

Në fakt, disa muaj me parë, kur plasi skandali i “Panama Papers” dhe të dhënat zyrtare provojnë se sa më shumë kompani “ofshore” marrin me koncesion pasuritë tona kombëtare, aq më pak të ardhura hyjnë në buxhetin e shtetit dhe qeveria u angazhua “të amendojë kuadrin ligjor për koncesionet”, si dhe “të hetojë veprimtarinë e kompanive të tilla” ndërmjetëse, fantazmë mbas fantazme, por qysh prej asaj kohe qeveria dhe Kuvendi po lëvizin nga koncesioni në koncesion…

Personalisht nuk kam arsye të paragjykoj ata kuvendarë që ngrenë dorën miratuese se votojnë saktësisht si “kongresmenë të bukës së gojës”, por e kam vështirë të bindem nga profesionalizmi i supozuar i ekzekutivit dhe sforcimi për të bindur opinionin për dobinë e investimeve të tilla si ky i Karpen-it… A nuk ishte kështu edhe para një apo dy vitesh për historinë e përsëritur tash njëzet vjet rreth parkut industrial/koncesionit të 500 hektarëve të Spitallës?

A nuk na u tha publikisht nga zyrtarët më të lartë të shtetit se atje do të investoheshin 1,5 miliardë Euro investime të huaja? Por pakkush e di se ajo histori përfundoi në mënyrë groteske, të denjë për subjekt të ndonjë filmi të Hollywood-it. Pas një gjurmimi disaditor nga delegacioni i Ministrisë sonë të Ekonomisë të kinezëve në “Kinën popullore”, për fatin e keq të kinezeve që “u bënë të pasur vetëm për disa ditë” dhe tonën që humbëm shansin e një investimi të madh zhvillimor për shkak të përzgjedhjes all-shqiptarçe të partnerëve kinezë, këtyre të fundit nuk iu gjend as adresa, domethënë nuk u gjetën as investitorët dhe as banka tregtare që do të mbështeste me fonde këtë investim…

A është ky serioziteti që duhet të tregojë një shtet mbas 100 vjetësh shtet kombëtar???? Kam parë në shtyp insinuata për favorizim të këtij apo atij “vendi mik të Shqipërisë” përmes investimit të supozuar në bregdetin joshës të Karpen-it – një histori që është e vjetër sa korrupsioni i tranzicionit tonë fatkeq e të pafundmë…

Unë i refuzoj këto teori që tërthorazi justifikojnë krimin ekonomik, kapjen e shtetit dhe abuzimin e kujtdo qoftë me detyrën shtetërore. Kjo sepse vendet mike (nuk e kam fjalën për Turqinë e ditëve të fundit nën sundimin e “vëllait” Erdogan) kanë standarde të njohura të qeverisjes së mirë dhe antikorrupsionit, e këto standarde nuk i kanë vetëm për qeveritarët dhe qytetarët e tyre, por edhe për elitat politike drejtuese të tyre dhe të vendeve me të cilat bashkëpunojnë.

Në fakt, këtë bindjen time ma rrëzon fakti i thjeshtë se prej disa vitesh asnjë investitor serioz dhe i njohur (ndryshe thuhet “brand names”) nuk po shkel në vendin tonë, madje edhe ato pak që ishin futur në ekonominë tonë gjatë 15 viteve të fundit, njëri pas tjetrit, po veshin kominoshet e dok-un e njohur kinez… Rrugë e gjatë e Shqipërisë për në BE, me sa duket… Ja përse vendit i duhet zbatimi i reformës së sapomiratuar në drejtësi, përmes së cilës pritet që cenueshmëria e interesave publike të bëhet e ndëshkueshme dhe të marrë fund dhe vendi të qeveriset në mënyrë më të përgjegjshme e sidomos më llogaridhënëse.

Ndoshta vetëm kjo krijon mundësinë që të frenohet disi largimi nga vendi dhe braktisja e tij nga qytetarët shpresëhumbur që vetëm gjatë tre viteve të fundit ka tejkaluar disa herë edhe numrin e të larguarve në “vitin e mbrapshtë 1997”… E sa për investimin e 5 miliardë Eurove duke gllabëruar 1700 hektarë tokë në bregdet, mbetet të shohim publikimin e Master-Planit të zhvillimit të porteve të vendit (që dihet botërisht se nuk parashikon një “investim” të tillë), studimin e fizibilitetit (që nuk është bërë ende), e kështu opinioni do të kuptojë se shifra prej 5 miliardë Euro investim nuk ka pasë si të llogaritej ndryshe përveçse nga ndonjë “mendje supereksperti”, sepse shtetar/deputet me diplomë që nxjerr shumën e investimit pa pasë studim fizibiliteti dhe plan-biznesi vetëm në “dheun e shqipeve” mund të gjesh…

Në kohët vjetra thuhej se “kur vret veten, nuk ka se kush të të marrë hakun”, e unë nuk dua të mendoj kështu, por vazhdoj të besoj se paaftësia dhe diletantizmi qeverisës, si dhe pleksja e interesave krijon probleme të mëdha për të ardhmen, probleme që vetëm kapërcimi i “kulturës së pandëshkueshmërisë” mund t’i sjellë, jo pa kosto, në binarët e legjitimitetit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura