Përse u prish marrëveshja e Edi Ramës me Koço Kokëdhimën?

Jul 25, 2016 | 12:02
SHPËRNDAJE

Koço Kokëdhima ka qenë shumë aktiv dy javët e fundit kundër miratimit të Reformës në Drejtësi.

rama kokedhima

Në disa qëndrime të gazetës “Shekulli”, kritikohej roli që do të kishin ndërkombëtarët.

Nga ana tjetër Kokëdhima, i mbetur tashmë jashtë Parlamentit, u pa disa herë nën shoqërinë e Ilir Metës, ndërkohë që zëra të shumtë flasin për një prishje të tij me Edi Ramën.

Por përse janë prishur Kokëdhima dhe Rama, të cilët i lidh një miqësi e fortë 18 vjeçare?

Blendi Fevziu, drejtuesi i emisionit “Opinion”, shkruan në një koment në portalin opinion.al se shkaku kryesor besohet të jetë vendimi i Kushtetueses për ti hequr mandatin Kokëdhimës dhe fakti që Edi Rama nuk ka ndërhyrë te gjyqtarët.

“Kokëdhima thuhet se po luan një rol intensiv në goditjen ndaj Ramës dhe për këtë ka një shkak. Si edhe në rastin e miqësisë së tyre, shkaku nuk është i thjeshtë të gjendet, por informacione ka. Sipas burimeve të opinion.al, Kokëdhima është ndjerë i braktisur në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hoqi atij mandatin e deputetit. Ai besonte se Rama mund të influenconte, së paku në njërin prej gjyqtarëve, por nuk e ka bërë. Nuk ka dashur apo nuk ka mundur kjo nuk dihet, por protagonistë të tjerë nga PS kanë influencuar në lënien e Kokëdhimës jashtë Parlamentit. Duke e menduar këtë si një lojë të Ramës për të shpëtuar prej tij, Kokëdhima është ndjerë i lënduar dhe është hedhur në sulm”, shkruan Fevziu.

Sipas tij “Ai (Kokëdhima) është sot ndër njerëzit më aktivë në sabotimin e grupit të PS dhe në dështimin e reformës në drejtësi. Një sovranist par ekselencë, personazh që beson se të huajt vetëm e dëmtojnë këtë vend, nostalgjik i modës kur të huajve ju tregohej vendi dhe mbi të gjitha i gatshëm t’i shkojë betejës deri në fund, Kokëdhima po bën gjithnjë e më tepër deputetë rreth tij. Deri tani numërohen së paku 2 të tillë. Nuk është aspak çudi që Kokëdhima të ketë ambicie edhe më të mëdha. Nuk dihet reagimi i Ramës, edhe pse, në fillim të javës, ata janë takuar sërish bashkë. Vështirë që Rama të jetë përfshirë në lënien e Kokëdhimës jashtë parlamentit, por vetë Kokëdhima e beson këtë. Nuk është çudi që ai të ndihet jashtë listës në zgjedhjet e ardhshme dhe për këtë sërish bën përgjegjës Ramën. Por ndërsa Kokedhima e shpreh kudo pakënaqësinë e tij, Rama thuajse nuk flet për këtë. i vetmi gjest është pakënaqësia e shprehur ndaj LSI për raportet e saj aktuale me Kokëdhimën”.

Fevziu thekson se “Nuk dihet se si do shkojë më tej fati i tyre, por prishja e raportit Rama – Kokëdhima është shembulli më tipik i aleancave pa bosht ideologjik dhe pa asnjë konkurencë të brendshme dhe të ndershme në parti. Eshtë shembulli tipik i një çiftëzimi që askush nuk ja gjeti dot sekretin dhe po ashtu, asnjëherë nuk do të dijë t’i japë një përgjigje të saktë se përse u prish”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura