Përse shkoi Rama në Turqi e tani në Greqi?

Jan 8, 2021 | 10:15
SHPËRNDAJE

Shpetim-NazarkoSHPËTIM NAZARKO

Megjithëse vizita e Ramës në Turqi u sfumua nga ngjarjet e ngatërruara në Amerikë, për këtë vizitë do të flitet, dhe besoj jo pak, në ditët e ardhshme. Pavarësisht se të vërtetën do ta mësojmë kur të hapen dikur letrat e rezervuara që mbajnë kancelaritë.

Shtypi shqiptar dhe një pjesë e analistëve të tij, veçanërisht ata kundër Ramës, nxituan të vënë edhe një herë në pah rrezikun që vjen nga këto marrëdhënie e veçanërisht në këto kohë kur në Turqi drejton një njeri, që për shumicën e saj, por edhe në Europë, konsiderohet autokrat i dorës së parë.

Pastaj zu dhe u pyet se çfarë kompensimesh duhet të bëjmë për dhuratat e bëra nga Turqia. Ca të tjerë folën po ashpër për zgjedhjen e forcimin e një miqësie, që nuk ka dhe nuk duhet të ketë vlerën e asaj me fqinjin tjetër, ku punojnë e jetojnë shumë bashkatdhetarë, pra, Greqisë etj., etj.

Natyrisht, kur nuk ke informacione të dorës së parë, të tëra hidhen në fushën e hipotezave. Dhe është shumë e vështirë të diskutosh mbi çështje ku detajet mungojnë. Mund të përgjigjesh a të përpiqesh të ndërtosh një lloj tabloje, megjithatë nisur nga detaje të shpërndara andej-këtej.

Në dy javët e fundit, Shqipëria dhe Greqia kanë rifilluar të diskutojnë për punët e detit. Megjithëse çështja ka shkuar, po t’u besojmë segmenteve qeverisëse apo shtypit, në Gjykatën Ndërkombëtare. Dhe dukej çudi që Rama të ngacmonte pa shkak deklaratën e Greqisë për punën e 12 miljeve, bërë ca ditë më parë. Mund të heshtte e të bënte sikur nuk dëgjonte sesa t’u hynte sherreve që këtu janë të pafundme dhe fusin menjëherë në lojë turmat e analistëve gjithfarësh.

Këtë duhej sikur duhet të bënte. Kjo, edhe sepse do të duhet kohë e gjatë, për të mos thënë shumë e gjatë, për të ridalë si çështje në faqet e shtypit. Rama ka pasur gjë tjetër në vizierë, e, nisur edhe nga eksperienca e gjatë, futet me qejf në shakara të këtij lloji, duke bërë që kundërshtarët t’i ngrenë topin si në atë lojën e volejbollit, ku ai pastaj gjuan edhe një herë më fort se herën e parë.

Por, le të rihymë në çështjen që po diskutojmë. Nëse për Shqipërinë çështja do kohë të rihapet, të njëjtën gjë nuk mund ta thuash për Greqinë dhe Turqinë, që kanë një problem analog mes tyre.

A duhet kërkuar këtu një nga arsyet e vizitës së Ramës në Turqi? Akoma më shumë se ajo vjen menjëherë pas vizitës së tij në Greqi.

Ç’do të thotë kjo?

Elementi i drejtpërdrejtë i dukshëm lidhet me bisedën telefonike të ministrit të Jashtëm grek me Ramën, një ditë para vizitës së këtij të fundit në Turqi. Për çfarë u fol? A ka të bëjë kjo me çështjen e detit?

Vetë, besoj se është kjo. Dhe meqë Greqia, për këtë problem me Shqipërinë ka kohë për të diskutuar, pra, deri sa të vejë puna në Gjykatën Ndërkombëtare, mbetet të themi se diskutimi telefonik lidhet me çështjet e detit Greqi-Turqi dhe merakun e palës greke, e cila është po në të njëjtin hall si dhe Turqia në këtë histori. Aty ku palët janë brenda asaj historisë që tregon Kadareja në novelën e tij gjeniale “Viti i mbrapshtë”, ku personazhit kryesor i këndohet kënga “Do sulmosh Trebinjën, po b… s’ta mban… Lule o Shestan”.

Palët kanë ngrehur armët, po zënë pastaj e shikojnë të menduar anash…

Thënë thjesht, a po luan rolin e ndërmjetësit Rama midis dy sherrxhinjve?

Të jetë e vërtetë kjo hipotezë, do të thotë t’i japësh atij shumë pikë. Në historinë e vendit, vetëm një herë ka ndodhur kjo, në kohën e Vezirit të Janinës, që mbahet një nga realizuesit e paqes anglo-ruso-turke, në vitet 1803-1804. Nuk e di a jemi në një rast të dytë apo analogun e tij.

Mundet të jetë edhe kështu. Europa do të ndihej e lehtësuar apo do ta pranonte me qejf këtë përpjekje?! Rama do të dilte akoma më i fortë në lojën e tij në politikën e Jashtme. Vetë nuk e quaj çudi që të bëjë ndërmjetësin.

E kam shkruar këtë edhe dhjetë ditë më parë, në një editorial te ”Konica”, si hipotezë. Kuajt e karvanit pritës për Ramën, vizita e papritur në dy vendet njëherësh dhe vlera e vogël ekonomike e marrëveshjes së nënshkruar, që duket se vetëm mbulojnë qëllimet reale të vizitës, e forcojnë këtë bindje.

Mbetet të shohim. Nëse është kështu, do të ishte gjë e mirë. Por, jo më e mira. Gjithnjë, besoj se gjeopolitika e vendit duhet të jetë e përcaktuar njëherë e mirë nga institutet strategjike dhe jo nga individët, sado të mirë e të zgjuar të jenë ata. Ata quhen të saktë e të mençur vetëm nëse para se të bëjnë një gjë, të venë më parë atje ku janë shkruar parimet apo gjeopolitika e vendit, në të cilën mbeten vetëm zbatues, si ata nxënësit e zellshëm. Në të kundërt, shijojnë çastin, që, siç thoshte plaku Dritëro, ka kushëri vetëm turmën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura