Përse Rama rezulton i humbur?

Sep 12, 2020 | 9:31
SHPËRNDAJE

Namir Lapardhaja

NAMIR LAPARDHAJA

Fituesi i çmimit “Nobel” në Shkencat Ekonomike, Amartya Sen, përmend në librin e tij “Zhvillimi si Liri”, pesë lloje të qarta lirish, duke përfshirë: liritë politike, lehtësitë ekonomike, mundësitë shoqërore, garancitë e transparencës dhe sigurinë mbrojtëse. Sipas tij, secila nga këto liri ndihmon për rritjen e aftësisë së përgjithshme të një individi.  Sugjerimet e Sen-it  ndërthuren me njëra-tjetrën dhe nuk kanë kuptim veçmas, por vetëm së bashku.

Socialistët gjatë qeverisjes së tyre nuk u ofruan qytetarëve shqiptarë liri politike, sepse zgjedhjet u vodhën në një proces që, tashmë, e njohin edhe ndërkombëtarët pas botimit të përgjimeve nga “Bild”. Nga ana tjetër, siguria ekonomike, sipas të gjithë raporteve kombëtare dhe ndërkombëtare, nuk ekziston. Do të mjaftonte vetëm Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për të kuptuar kushdo pamundësinë e bizneseve, qofshin ato edhe amerikane, për të pasur liri dhe garanci në Shqipëri. Korrupsioni i lartë dhe pabarazia në tendera, janë ndoshta argumenti që e kuptojnë edhe ata me pak kulturë ekonomike.

Më i rëndë është fakti se njerëzve u është mohuar e drejta për të qenë pjesëmarrës në vendime të rëndësishme të jetës publike dhe shoqërore. Ky anashkalim i qytetarëve pas ardhjes në pushtet është një ves i së majtës, sidomos i së majtës që vjen nga shkolla e ish-sistemit komunist, që çdo gjë e shihte si pronë. Një ves që socialistët shqiptarë e kanë treguar me shumë nga ligjet dhe aktet e nxjerra, ku i japin të drejtë vetes të ndryshojnë destinacionin e pronës në interes të projekteve të tyre.

Përfundimet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit  dhe deklarat e shumë institucioneve ndërkombëtare vetëm sa kanë shtuar bindjen se “Rilindja” duhet të ikë një orë e më parë nga pushteti. Dhe zërat për largimin e “Rilindjes” nuk janë më vetëm zëra opozitarë, por edhe nga ata që dikur trumbetonin “të mirat e shtetit të Ramës”. Zërat për një largim të tillë janë shtuar pavarësisht dekurajimit të vazhdueshëm që ka përdorur qeverisja ndaj njerëzve që kanë dashur të thonë të vërtetat e shkeljeve dhe vjedhjeve.  Madje, është më fyese për ata ish-mbështetës të kësaj qeverie kur shohin Ramën t’i dorëzohet tërësisht krimit, që për të shihet si e vetmja alternativë pushteti.

Nuk është rastësi as marrja në dorë e drejtimit politik të Qarkut të Durrësit, duke dhënë idenë se kontaktet me “Niçet” dhe gjithë shokët e tij politik, me të cilët vodhi zgjedhjet e kaluara, do t’i mbajë vetë, për të garantuar krimin për vijimësi. Pikërisht kjo fyerje ndaj shoqërisë ka bërë që shumë zëra publikë, madje ish-mbështetës të tij, të shprehin hapur neverinë ndaj dëshirës së kryesocialistit për të vijuar ende në pushtet.

Përballë dëshirës së Ramës, opozita duhet të flasë thjesht dhe të premtojë atë që duket sot si një nga gjërat më të dëshirueshme për këdo – të jetë një qeverisje ku nuk do nderohet as i forti e as hajduti, e nuk do të ketë më një vend pa gjykata.  Njerëzit sot kanë nevojë të dinë se ata që do jenë fytyra e qeverisjes nesër nuk do marrin leje nga “të fortët” për punët dhe vendimet e përditshme, por se do varen nga programi që do t’u prezantohet shqiptarëve gjatë fushatës. E gjitha kjo duhet parë si një kontratë morale.

Ndoshta modeli më i mirë i ndryshimit politik të 25 prillit 2021 do ishte padyshim ai i konkurrimit me programe të qarta. Rama duket se ia ka bërë sot më të thjeshtë PD-së ardhjen në pushtet, pasi për shqiptarët më emergjente se çdo gjë është ndarja e shtetit nga krimi, një ndarje që PD-ja e ka dëshmuar edhe gjatë këtyre viteve, edhe në këtë përzgjedhje kandidatësh, përmes një vetingu moral të atyre që nesër do të kandidojnë.

Rama tashmë rezulton i humbur. Më i rëndësishëm është programit për ringritje, pasi për kryeministrin në largim duhet të jetë e preokupuar vetëm drejtësia, të cilën ndërkombëtarët e mbështetën aq fort për ta ndryshuar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura