Përse Parlamenti njohu pafajësinë e të dënuarve politikë në 1992

Jan 28, 2022 | 7:38
SHPËRNDAJE

besim ndregjoniBESIM NDREGJONI

Mosveprimi dhe indiferentizmi ndaj ideologjisë kriminale të komunizmit  në këtë periudhë kohore postkomuniste ka nxjerrë në rend të ditës fenomenin e rrezikshëm dhe shumë të dëmshëm për shoqërinë, frymën e enverizmit dhe pushtimin e politikës shqiptare nga enveristat. Enveri ka vdekur, por fryma e enverizmit po njeh rritje në një shoqëri të traumatizuar nga diktatura 45-vjeçare ku nuk u dënua nga drejtësia. Mjeku monstër i diktatorit Enver Hoxha, Ahmet Kamberi, botonte një opinion në gazetën prestigjioze “Panorama” më 25 janar dhe në opinionin e tij helmues ideologjik shfaqte urrejtjen ndaj të pushkatuarve dhe të dënuarve nga diktatori Enver Hoxha për ligjin e pafajësisë që u ka dhënë Parlamenti i vitit 1992. Dhe e quante një ligj antikombëtar. Ai mjeku monstër kritikonte Parlamentin e vitit 1992, sepse ky Parlament u paska dhënë pafajësinë të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të regjimit diktatorial enverist. Sipas tij, atë pafajësi duhet ta jepte gjykata e Enverit që i kishte dënuar dhe jo Parlamenti, i cili ndryshoi sistemin nga shtet diktatorial në një shtet demokratik. Mjeku monstër i diktatorit, Ahmet Kamberi, që nuk skuqet as nuk e vret ndërgjegjja që i ka shërbyer dhe i ka zgjat jetën diktatorit, mbas dekadash don t’i fshijë krimet e diktatorit dhe të penalizojë sistemin demokratik, krime që janë me shifra marramendëse dhe tragjike për një popull që nuk i kalonte të 1.500.000 qytetarët. I sjellim në vëmendje këtij xhelati, se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë jo vetëm e ka njohur pafajësinë parlamentare, por ka detyruar qeverinë shqiptare të japë dëmshpërblim për vrasjet dhe dënimet e padrejta te regjimit enveristë. Shqiptarët gjatë këtij tranzicioni e njohën sistemin e gjykatave, me gjyqtarë të epokës së diktaturës dhe u vërtetua se çfarë u bë me pronat e shqiptarëve, duke ua marrë pronarëve të ligjshëm dhe duke ua dhënë enveristëve të tipit Ahmet Kamberi, i cili në një sistem me ligje demokratike, si të gjithë ata që i shërbyen diktatorit dhe u bënë xhelatë në krime ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut duke u dhunuar të drejtat kundërshtarëve politikë, duhej t’i mbyllte vitet e jetës në burg si shërbyes ndaj diktatorit dhe pjesëmarrës në krimet e tij monstruoze ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare që e kundërshtuan atë diktature, e cila vrau dhe zhduku pa faj mbi 5000 shqiptarë. Dhe sot, mbas tridhjetë vitesh familjet shqiptare, kërkojnë eshtrat dhe nuk kanë një varr për t’u qetësuar shpirtërisht familjarët e tyre. Ky xhelat s’ka asnjë lidhje me profesionin e mjekut se e ka shkelur betimin e hipokratit si profesionist, se së bashku me ekipin e tij kur i vriste diktatori kundërshtarët politikë ky shkruante procesverbalet sikur ata kanë vrarë veten. Dhe sot në moshën e tretë, i etur dhe ideologjizuar me vrasjet, shfaq urrejtjen sepse martirët e lirisë kanë fituar pafajësinë, megjithëse edhe ajo pafajësi gjysmake nuk u solli asgjë familjarëve të të dënuarve politikë, se politika enveriste në dy partitë kryesore është dominuese dhe as e vret ndërgjegjja se si monstrat enveriste kanë privatizuar klinika moderne dhe tani pas pasurimit marramendës me sistemin që erdhi falë gjakut të mijëra shqiptarëve, japin leksione urrejtje për të penalizuar ata që sakrifikuan jetën që Shqipëria të ishte vend me sistem demokratik. U kujtojmë monstrave të enverizmit të tipit Ahmet Kamberit e Isuf Kalos, të cilët falë mbështetjes së politikëbërjes e paraqesin në librat e tij diktatorin si një qytetar dhe udhëheqës duke helmatisur brezin e ri, që nuk e pati njohur sistemin diktatorial. Ne të përndjekurit politikë shqiptarë nuk i harrojme krimet dhe humbjen e jetëve të familjeve tona dhe shprehim indinjatën tonë njerëzore ndaj monstrave enveriste që prishin ekuilibrat e shoqërisë postkomuniste, që po ndërtojmë me sakrifica demokracinë e brishtë shqiptare. I bëjmë me dije këtij mjeku xhelat se sa të rrojë krimet makabre të Enver Hoxhës nuk mund t’i fshinë me nja opinion që fatkeqësisht gjen hapësira në shtypin shqiptar. Ju së bashku me vëllain tuaj, Sami Kamberi, ish-kryetari i Degës së Brendshme të Sigurimit famëkeq të shtetit keni dënuar dhe ekzekutuar shqiptarë të pafajshëm, dhe ua njohët shumë mirë krimet si dibranët, beratasit, lushnjarët etj. dhe sot guxoni të quanit viktimat e terrorizmit tuaj të fajshëm. Dënimi i ideologjisë enveriste sot është imperativë e kohës. Aktorët politikë të shoqërisë civile, drejtuesit i institucioneve demokratike duhet t’i dënojnë këto opinione ideologjike të urrejtjes, vrastare për shoqërinë dhe brezin që nuk e jetoi diktaturën. Shtypi shqiptar duhet t’u thotë ndal këtyre monstrave të enverizmit dhe t’i përbuzë me neveri ata që e paraqesin diktaturën si regjim në shërbim të drejtave dhe të lirive të njeriut. Duke dënuar enverizmin dhe enveristat, ne fillojmë një proces shërimi për vendin tonë. Jo vetëm ata monstra që janë përgjegjës direktë për krimet e kryera ndaj nesh, por dhe klasa politike mbas ‘90, margjinalisht duhet të ndihet fajtor sepse ka heshtur. Sot, klasa e të persekutuarve e ka përbuzur hakmarrjen dhe kjo është fitorja jonë morale, por ne nuk mund ta lejomë enverizmin, këtë murtajë që po i zë frymën demokracisë duke na u shfaqur me kostumin e të drejtave e lirive të njeriut në mbrojtje të “xhelatëve”, sepse nuk vepron drejtësia. I sjellim në vëmendje opinionit statistikën 45-vjeçare të krimit komunist në Shqipëri:

Të ekzekutuar për motive politike: 5037 burra dhe 450 gra.

Të dënuar me burg politik: 28 788 burra dhe 7367 gra

Të internuar për motive politike: 59000 familje nga fëmijë deri te pleqtë në moshën 90-vjeçare.

U dëbuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11536 familje.

U pushkatuan dhe vdiqën në burgjet politike 64 shtetas të huaj.

U burgosën 1215 burra dhe 38 gra me shtetësi joshqiptare. 95 shqiptare kosovarë që ndodheshin në Shqipëri u pushkatuan.

U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë katolikë- 120 veta.

U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë bektashianë- 83 veta.

U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë myslimanë- 60 veta.

U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë ortodoksë- 39 veta.

U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare. Xhami 740, kisha e manastire ortodokse 608, kisha e manastire katolike 157, teqe tyrbe 530.

Sot, mbas tridhjetë vitesh, mbi 5000 të pushkatuar u janë zhdukur eshtrat, pati kampe shfarosëse: Korçë, Burrel, Tepelene, Spaç, Qaf-Bari.

Helmatisja e brezit të ri me ideologjinë primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Rikthimi i syve nga ato krime që kanë ndodhur në Shqipëri për 50 vite, është thirrja për të kuptuar se përveç përpjekjes për dije, na duhet edhe të kthejmë sytë nga njeriu, nga vetja, nga vlerat, që të mos rrëzohemi sërish. Leximi i së djeshmes është njëkohësisht thirrja që të mos dorëzojmë para asnjë oferte lirinë tonë për të besuar, për të folur, për të guxuar. Por në fillim, ama, le të dimë se cilët jemi… Kjo nevojë ka qenë për të gjitha vendet në ish-diktaturë, që në një mënyrë a në një tjetër kanë gjetur rrugëzgjidhje për të pranuar të vërteta, duke na lënë të kuptojmë se harresa për atë kohë është thjesht një iluzion. Siç thotë Ana Ahmatova, një poete e jashtëzakonshme ruse e persekutuar nga komunizmi: “…Do të kujtoj gjithnjë dhe kudo ata që persekutuan dhe ishin fytyra e regjimit komunist. Nuk do t’i harroj kurrë”, dhe kështu duhet të bëjë shoqëria, në mënyrë që të kemi një ndërgjegje morale e të ndërtojmë një shoqëri pa konflikte, por të dashur e paqësore..

Titulli i autorit: Çdo indiferencë apo tolerancë ndaj monstrave të enverizmit është shkatërruese për sistemin ku është shoqëria shqiptare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura