Përse nuk ka vend për “lopë të shenjta” në Kodin Penal

Nov 14, 2015 | 13:06
SHPËRNDAJE

DARIAN PAVLI

Ditët e fundit është bërë publike një propozim i qeverisë për rikthimin në Kodin Penal të figurës së shpifjes për shkak të detyrës, me synim mbrojtjen e reputacionit të “funksionarëve të lartë” dhe atyre të zgjedhur. Nisma ngjalli një reagim të ashpër në radhët e medias dhe shoqërisë civile vendase, si edhe një kritikë të menjëhershme nga përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias. Ditën e enjte përfaqësues të qeverisë deklaruan se propozimi do të tërhiqet “për saktësime”.
Urojmë që ky të jetë fundi i kësaj stuhie të vogël të gjeneruar nga një propozim i nxituar. Megjithatë ia vlen të ndalemi shkurtimisht tek arsyet pse ai është shumë problematik për lirinë e fjalës dhe zhvillimin demokratik të vendit.

Një hap i madh prapa
Në fillim të vitit 2012, Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa reforma për dekriminalizimin e pjesshëm të veprave penale të fyerjes dhe shpifjes. Personalisht, mendoj se arritja më e madhe ishte shfuqizimi i plotë i dy neneve të Kodit Penal për fyerjen dhe shpifjen për shkak të detyrës, në dëm të çdo nëpunësi shtetëror (nenet 239-240), si dhe të Presidentit të Republikës (neni 241). Ndryshe nga shpifja e thjeshtë, e cila ndiqet penalisht në mënyrë private nga vetë personi i dëmtuar, shpifja për shkak të detyrës ndiqej kryesisht (domethënë automatikisht) nga prokuroria si “krim kundër autoritetit të shtetit”.

Siç mund të imagjinohet, ky detyrim ligjor i prokurorisë, në kushtet e tranzicionit shqiptar, ishte kthyer shpesh në një vegël për përndjekjen dhe intimidimin e gazetarëve që guxonin të kritikonin zyrtarët e lartë të shtetit. Më kujtohet qartë, për shembull, rasti i një gazetari të ri në vitet 1990, që ishte thirrur në prokurori mbi 10 herë për një shkrim më se normal mbi kryetarin e Kuvendit të asaj kohe. Propozimi i fundit i qeverisë, duke risjellë figurën e “lopës së shenjtë” politike, reputacioni i së cilës kërkon mbrojtje të posaçme penale, po rikthen në të njëjtën kohë edhe ndjekjen penale nga prokuroria.

Me reformat e vitit 2012 u hoq edhe dënimi me burgim për fyerjen dhe shpifjen e thjeshtë (në dëm të çdo personi të zakonshëm). Megjithatë, ndryshe nga disa perceptime publike të gabuara, kjo nuk solli shfuqizimin e plotë të këtyre figurave penale. Fyerja dhe shpifja mbeten edhe sot si kundravajtje penale të dënueshme me gjobë; madje, shuma e gjobës maksimale u rrit deri në shifrën e konsiderueshme prej 3 milionë lekësh të reja. Kjo do të thotë se çdo shtetas shqiptar që ndihet i cenuar në nderin dhe reputacionin e vet nga thënie shpifëse e ka të hapur rrugën e akuzës penale, si edhe të padisë civile për dëmshpërblim të dëmit moral.

Megjithëse reforma e depenalizimit nuk shkoi deri në fund, ajo u përshëndet nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe rriti ndjeshëm klasifikimin e vendit në indekset botërore të lirisë së shprehjes. Kjo për faktin e thjeshtë se Shqipëria nuk lejon me burgosjen e qytetarëve të vet për ushtrimin e fjalës së lirë. Parë në këtë këndvështrim, propozimi i fundit i qeverisë, i cili parashikon deri në tre vjet burg, nuk mund të shihet veçse si një hap i madh mbrapa.

Procesi, ose mungesa e tij, është po aq i rëndësishëm. Organizata për të cilën punoja në atë kohë, Justice Initiative në New York, së bashku me Institutin Shqiptar të Medias në Tiranë, ishin promotorët kryesorë të reformës së defamacionit, një proces i mbështetur nga shumë përfaqësues të mediave, politikës dhe shoqërisë civile për gati tetë vjet, me diskutime që u shtrinë në harkun kohor të tri legjislaturave. I gjithë ky proces, që rezultoi në reformën konsensuale të vitit 2012 (një gjë jo shumë e shpeshtë në politikën shqiptare), rrezikonte të zhbëhej brenda një jave nga një nismë gjysmë-okulte e Ekzekutivit, e cila u paraqit në Kuvend pa asnjë lloj konsultimi me aktorët vendas dhe ndërkombëtarë.

Një model i lënë pas nga koha
Përse është kaq problematike një figurë penale që kriminalizon sulmet verbale, qoftë dhe të rreme, ndaj funksionarëve të lartë sikur të ishin krime kundër shtetit (të ngjashme, për shembull, me thirrjet për urrejtje kombëtare)?
Nisma e qeverisë mund të quhet një lloj “propozimi salmon”: ajo përpiqet të notojë vertikalisht kundër një rryme të fortë në praktikën juridike dhe kulturën politike europiane që pranon dhe predikon pikërisht të kundërtën. Në një demokraci moderne, funksionarët e lartë dhe të zgjedhurit nga populli duhet ta kenë “lëkurën më të trashë” se shtetasit e thjeshtë, jo më delikate. Ata i futen vullnetarisht jetës politike në nivelet më të larta, me të mirat dhe streset e saj, dhe kanë në të njëjtën kohë mundësinë e veçantë t’u kundërpërgjigjen akuzave, praktikisht në kohë reale, përpara gjykatës së opinionit publik. Në çdo demokraci ky lloj ekspozimi konsiderohet pjesë e kostos së të bërit politikë, dhe për këtë arsye mbrojtja e posaçme penale për zyrtarët e lartë është thjesht e papranueshme.

Nuk është rastësi që gati të gjitha demokracitë e reja të Europës Lindore i kanë shfuqizuar dispozitat e trashëguara të kësaj natyre. Në disa vende, si Hungaria dhe Kroacia, ato madje janë shpallur haptazi antikushtetuese nga gjykatat vendase, edhe kur synonin të mbronin autoritetin e Presidentit të Republikës. Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut është po aq e qartë: ndërkohë që mund të bëhet ndonjë përjashtim për nëpunësit e ulët të shtetit, të cilët nuk janë figura publike, nuk ka fare vend për privilegje të posaçme për reputacionin e zyrtarëve më të lartë.

Cilat janë alternativat?
A do të thotë kjo që funksionarët e lartë nuk gëzojnë mbrojtje ligjore? Aspak. Siç e kemi theksuar edhe në opinionin e dërguar Komisionit të Ligjeve në emër të Fondacionit Shoqëria e Hapur dhe Institutit të Medias, ata kanë të drejtë si çdo individ tjetër të ndjekin rrugën civile, penale, apo të dyja bashkë, kur pretendojnë se u është cenuar reputacioni në mënyrë të paligjshme. Dhe nuk janë të pakta rastet ku politikanët kanë fituar padi të tilla në vitet e fundit, shpesh me shuma të larta (dhe për mendimin tim, të tepruara) dëmshpërblimi moral.
Ndoshta një ministri apo deputeti mund t’i duket i tepruar dhe jodinjitoz detyrimi për ta ndjekur çështjen e shpifjes personalisht, pa ndihmën e prokurorisë publike. Por ministrat, deputetët dhe partitë e tyre kanë avokatë që lirisht mund të procedojnë për llogari të klientëve të tyre, kur këta e shohin procesin gjyqësor si të vetmen mënyrë për të vënë në vend nderin e cenuar.

Për më tepër, në vitet e fundit konfliktet gjyqësore për shpifje janë gjeneruar kryesisht nga “betejat” e drejtpërdrejta ndërmjet aktorëve politikë, pa përfshirjen e mediave apo sektorëve të tjerë të shoqërisë. Gjyqet e shpifjes janë kthyer realisht në zgjatime të betejës politike, nganjëherë jo shumë civile, që shpaloset në Parlament dhe në foltoret e partive.
Sidomos në këto kushte, ndjekja penale nga prokuroria mund të perceptohet shumë lehtë si përndjekje e kundërshtarëve politikë. Për më tepër, ky kontekst ka tendencën ta politizojë në mënyrë të skajshme institucionin dhe imazhin e prokurorisë, e cila ka kaq shumë nevojë për distancim sa më të madh nga politika.

Në llogari të fundit, e vetmja zgjidhje reale për “ligjërimin” tonë të ashpër politik është ajo që definohet në anglisht me shprehjen “more speech, not less” (më shumë debat, jo më pak). Krijimi i paradisakohshëm i portalit të posaçëm ku qeveria rreket t’u kundërpërgjigjet akuzave të ndryshme për abuzime është shumë më demokratik sesa kërcënimi me ndjekje penale. Pastrimi i baltës politike, të hedhur me apo pa të drejtë mbi “funksionarët e lartë”, duhet të jetë detyrë e Endri Fugës dhe ekipit të tij. Prokuroria e Tiranës ka plot punë të tjera për të bërë.
*Ekspert juridik i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura