Përse njeriu “zgjodhi” seksin?

Dec 6, 2017 | 9:57
SHPËRNDAJE

Prof. dr. Myftar BarbullushiPROF. DR. MYFTAR BARBULLUSHI

Kafshët, insektet, zogjtë, gjitarët, riprodhohen vetëm nëpërmjet seksit  ndërkohë që shumë organizma të tjerë, si kërmijtë, ylli i detit, bimët, kërpudhat, riprodhohen në mënyrë joseksuale, duke mos pasur nevojë për partner. Njeriu ka “zgjedhur” seksin. Përse? Për Darvinin, fillimi i riprodhimit seksual dhe evolucioni i këtij procesi ishte objekt i një misteri të madh për të cilin në vitin 1862 ai do të shprehej: “Ne akoma nuk jemi të qartë se përse qeniet e reja duhet të prodhohen nga bashkimi i dy elementeve seksuale. Misteri është ende i fshehur në errësirë”.

Për njeriun e sotëm nuk është e lehtë të imagjinohet që Leshterikët (algat e kuqe të detit) ishin të parat që rreth 1.2 miliard vite më parë filluan marrëdhëniet seksuale. Të zbuluara brenda shkëmbinjve Arctic në Kanada, ato konsiderohen si “fosile të gjalla” për të na treguar më shumë për origjinën e riprodhimit seksual. Ndërsa fosilet e një peshku primitiv të quajtur Microbrachius dicki, të gjetura në shkëmbinj 385-milionëvjeçare, në Skoci, mishërojnë në mënyrë spektakolare formën e seksit që ne njohim dhe aplikojmë sot.

Analiza e kujdesshme e fosileve tregoi se femrat e këtij peshku kishin disa krahë të vogla që fusnin brenda tyre mashkullin, duke e përfshirë kështu në riprodhimin seksual. Seksi kushton, ndaj ai duhet të ofrojë shumë avantazhe që të peshojnë më shumë se disavantazhet apo sakrificat për ta realizuar atë. Në konkurrencën e përzgjedhjes së partnerëve për të riprodhuar, një individ duhet të “luftojë” e “dominojë” në ambientin përreth. Shumica e specieve, nga bimët e deri te kafshët, janë të preokupuara për seksin dhe do të bënin “marrëzira” pa fund për të fituar një partner.

Një zog australian ndërton tenda (të cilat nuk janë fole, por vende kortezie) të dekoruara e të zbukuruara me pupla, predha dhe objekte të tjera për t’i bërë përshtypje dhe për të tërhequr femrën, ndërkohë që nga ana e tyre edhe femrat preferojnë dhe zgjedhin si partnerë ndërtuesit me cilësitë më të larta në ndërtimin e tendave. Manakini, një zog i vogël që jeton në Amerikën tropikale të Jugut, mashkull i së cilës është zakonisht me pupla me ngjyra të ndezura, përfaqëson një zog këngëtar të njohur për sjelljet e tij të mahnitshme gjate çiftëzimit.

Meshkujt konkurrojnë për vëmendjen e femrave nëpërmjet performancës ekstravagante të pendëve të tyre. Interpretimi i pantomimës së moonwalk (shëtitjes në hënë) të Michael Jackson-it, nga manakini mashkull me kokën e vogël e të artë, është mahnitës. Nëpërmjet krahëve, duke deformuar me mjeshtri pendët e tij, ai krijon një këngë paksa të çuditshme për veshët tanë, por që tërheq femrat për çiftëzim, duke personifikuar një shembull tjetër bindës se si preferencat, shija për të bukurën, të manakineve femra kanë modeluar evolucionin, janë kthyer në një motor të evolucionit.

Xixëllonja femër djeg bishtin e saj për të ndriçuar e joshur kështu meshkujt. Parfumi i prodhuar nga një lule është thjesht një mashtrim i zgjuar për të tërhequr insektet që, pasi e marrin polenin, ndalin te bimët fqinje, duke i përfshirë ato në procesin e fertilizimit. Në fakt, seksi na bën më të fortë, më pak të prekshëm nga një sërë sëmundjesh, më të zotët për t’i përballuar ato, pasi ai nxit sistemin mbrojtës, ndihmon në parandalimin e kancerit, në reduktimin e stresit, ankthit dhe depresionit, e çka është më e rëndësishme kontribuon në pamjen rinore dhe në rritjen e jetëgjatësisë.

Pak kohë më parë, Matthew Goddard nga Zelanda e Re krijoi dy lloje maja-je, një lloj që mund të riprodhohej nëpërmjet seksit dhe një tjetër pa seks. Në kushtet e stresit, të tilla si mungesa e lëndëve ushqyese dhe ambienti agresiv, ajo vuri re se u rritën vetëm majatë e riprodhuara seksualisht, ndërsa ato të riprodhuara në rrugë joseksuale u zhdukën pasi nuk u rezistuan sëmundjeve të ndryshme. Riprodhimi seksual është shumë më i favorshëm për evolucionin, sesa riprodhimi joseksual.

Me larmi gjenesh në dispozicion, riprodhimi seksual, nëpërmjet kombinimeve të shumta gjenetike të të dy prindërve, krijon pasardhës me “dallime individuale” të pafund, pra individë të ndryshëm, mbi të cilët vepron seleksionimi natyror, duke përzgjedhë më të mirët dhe më të fortët. Ndaj, me të drejtë, historia e seksit konsiderohet si një preokupim publik qendror dhe angazhimi në mbrojtje të vlerave të tij do të jetë një detyrim i fuqishëm ligjor, pasi kushtëzon të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë. Pra, zgjedhja e riprodhimit nëpërmjet seksit duket se nuk ka shumë nevojë për shpjegime. Ta ruash atë mendoj se nuk ka shumë nevojë për shpjegime, pasi seksi mund të jetë i pëlqyeshëm, por mund të jetë gjithashtu i rrezikshëm.

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme mund të kenë efekte të rënda afatgjata, që përfshijnë humbjen e riprodhimit dhe kanë potencialin që të jenë kërcënuese për jetën. Ndaj, të më- sosh mbi shëndetin seksual do të thotë të mësosh një dimension thelbësor të shëndetit dhe të mirëqenies njerëzore. Ndotja e ajrit me metale të rënda, pesticidet në ujin e pijshëm, përdorimi pa kriter i barnave nga farmacitë, infeksionet seksualisht të transmetueshme, cigarja, alkooli dhe disa lloje drogash po shkatërrojnë jetën seksuale, këtë aset të vyer të qenieve njerëzore.

“Seksi është një kërkesë e fuqishme për veprim, ku forcat shpërthejnë si një ciklon thuajse i pakontrollueshëm. Por, kur emocioni i dashurisë fillon të përzihet me emocionet e seksit, rezultati është qetësia, vetëpërmbajtja, saktësia e gjykimeve dhe një ekuilibër i përkryer” – shprehet Napoleon Hill, në librin e tij të botuar në vitin 1937, “Think and Grow Rich”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura