Përse Iliri do e vriste Tomën?

Mar 31, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

FERDINAND DERVISHI

   Duke lënë mënjanë faktet se para pak muajsh komploti për vrasjen e Tom Doshit tentohej të shitej si alibi që duhej me patjetër të besohej e mirëqenë pa u provuar…
Pa u marrë me analizën se ku e gjeti qetësinë e papërballueshme Edi Rama të përjashtonte Tom Doshin dhe t’i hynte një beteje të paralajmëruar…
Duke mos u marrë me profilin aspak të besueshëm të elementëve të rangut të ulët të përfshirë në këtë çështje dhe identitetet po kaq të diskutueshme të dy deputetëve të akuzuar për dëshmi të rreme…
Pa marrë parasysh faktin se D. Bami fillimisht nuk ka pranuar të firmosë dhe përfundësisht nuk ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë…
Pa llogaritur se deri tani akuzuesit nuk i kanë dhënë drejtësisë asnjë provë të gjetshme, të fortë apo të patjetërsueshme… pyetja që më së shumti ka munduar dhe mundon njerëzit që kanë sadopak informacion të përditësuar, është: Përse Ilir Meta, numri dy i pushtetit në Shqipëri, sipas akuzave, duhet të porosiste dhe paguante eliminimin e 2 deputetëve të Parlamentit?
Të gjitha rastet e njohura dhe të studiuara, të gjithë librat e shkencës së kriminologjisë apo kriminalistikës, thonë se shkuarja tek eliminimi i tjetrit duhet të përmbushë një kusht tepër të fortë. Pranohet se dikush e zbaton vrasjen si zgjidhje të problemit vetëm kur tjetri i është bërë pengesë, e pashmangshme me asnjë mënyrë e mjet tjetër, për vazhdimësinë e statusit social apo të vetë jetës. Ardhur në rastin tonë, këtu mund të bëhet pyetja: Çfarë konflikti për jetë a vdekje ekzistonte mes Ilir Metës dhe Tom Doshit?
Gjithçka që dihet dhe që në këtë rast është bërë publike nga Tom Doshi, është se atij i kishin thënë që Ilir Meta kishte tentuar ose ishte në tentativë e sipër të hakmerrej për shkak të mbështetjes apo garancisë që Toma i kishte dhënë dikur Dritan Priftit për publikimin e video-përgjimit. Pra, po të ballafaqosh këtë shkak me teorinë e vrasjes si zgjidhje e problemit, askush nuk mund të bindet se Ilir Meta, në kuadër të hakmarrjes, do të shkonte deri tek eliminimi fizik, pasi Toma nuk përbënte ndonjë rrezik për atë vetë apo familjen e tij.
Nga ana tjetër, duke e marrë të mirëqenë ndjenjën e hakmarrjes së Ilir Metës për rastin e video-përgjimit, pikëpyetja e madhe është: “Përse Iliri nuk është hakmarrë ndaj Dritan Priftit, që ishte i zoti i punës, për më tepër pa imunitet dhe pushtet deputeti?”
Sërish në favor të Ilir Metës, realiteti thotë se para dhe pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2013, Dritan Prifti nuk është ankuar, qoftë për sigurinë e tij, qoftë për ecurinë e biznesit apo qoftë për prerjen e energjisë apo faturat e saj. Pra, Ilir Meta, që duket e ka pranuar Dritan Priftin pa ndonjë kokëçarje të njohur, përse duhet të shtyhej përtej logjikes dhe të kruante brirët me Tom Doshin, i cili në këtë rast ishte më periferik si target dhe njëkohësisht më i fortë se Dritan Prifti?
Dëshmitarë të ndryshëm sjellin shembuj se Ilir Meta, edhe pse e ka ndjenjën e inatit të zhvilluar njëlloj si edhe gjithë shqiptarët e tjerë, edhe pse njihet ndonjë rast që gjithkush mund t’i jepte të drejtë në hakmarrje, ka dhënë prova gjakftohtësie dhe pranueshmërie të tjetrit.
Gjithsesi, pyetja më vendosëse që mund të bëhet për këtë rast, është: Duke e marrë të mirëqenë dhe të mirëbërë, çfarë do të fitonte dhe çfarë do të humbte Ilir Meta pas vrasjes së dy deputetëve?
Këtu përgjigjja mund të jepet sërish duke ndërtuar disa pyetje.
A mund të shkonte te porosia e vrasjes së dy deputetëve një parlamentar dhe qytetar që ka parë, ndier, pësuar ato që ndodhën pas vrasjes së kolegut të tij, Azem Hajdari? A e bën këtë një njeri, që në rolin e kryeministrit të kohës do të kërkonte që jo vetëm të kapeshin vrasësit e deputetit, por edhe vrasësit e vrasësve? A mund ta bëjë këtë një ish-kryeministër, falë të cilit, më në fund, çështja e vrasjes së Azem Hajdarit u zbardh dhe vrasësit shkuan në gjyq?
Zbritur në aktualitet, a do i interesonin Ilir Metës, i cili gjendet në majë të pushtetit, vrasjet e dy deputetëve, kur të gjitha punët, qoftë brenda pushtetit apo edhe brenda politikës, i kishte në vijë? Përse duhet të porosiste vrasje deputetësh, dy të tilla, në një kohë kur kanë mjaftuar rrëzimi i një avioni që do ngarkohej me marijuanë apo ndonjë ngjarje edhe më e pabujë, që opozita, mediat dhe opinioni të shkundnin shtetin nga themelet? Si mund t’i hynte kësaj aventure kur opozita prej kohësh argumentin kryesor të luftës së saj politike ka dekriminalizimin e Parlamentit dhe jo vetëm? Si mund t’i hynte kësaj aventure kur, nën gjuhë dhe në gjëndrat e fytit, ai dhe pushtetarët e tjerë kishin ende të fortë shijen ngjethëse të kumbullave të tharta, shkaktuar nga revolucioni i facebook-ut për çështjen e lëndëve kimike të Bashar al-Assad-it?
Sigurisht që vrasja e dy deputetëve do e çonte afër rrëzimit apo, në rastin më ekstrem, do e rrëzonte shtetin. Atëherë përse duhej që Ilir Meta të ndizte motosharrën dhe me duart e veta të priste këmbët e tij? Pse duhet ta bënte këtë Ilir Meta kur menjëherë më pas mund të rrezikonte gjithçka: veten, familjen, të ardhmen politike apo qoftë fizike?
Përfund mund të thuhet se nuk ka asnjë logjikë, sado të sofistikuar, që të argumentojë se Ilir Meta ka menduar të porosisë vrasje deputetësh, qoftë dy, apo një.
Por ka një argument që duket sikur akuzon Ilir Metën. Madje, ky duket ka mbetur edhe argumenti më i fortë i atyre që i mëshojnë versionit se ai është fajtor. Janë momentet kur duket sikur Ilir Meta dhe ata që e mbështesin, e humbasin kontrollin. Janë momentet kur duket sikur ata po përpiqen të mbyllin shpërthimin e një skandali. Kjo është vënë re edhe në zërin e dridhur dhe fytyrën e ikur të Ilir Metës, qoftë në lëvizjet dyshuese të Spartak Brahos. Madje, lëvizjet e Brahos së fundmi po lexohen si tentativa apo aksione për të mbyllur gojët e dëshmitarëve apo për të dëmtuar provat.
Duke mbetur në një linjë me analizën e sipërme, edhe në këtë rast Ilir Meta nuk është pjesë e fajit. Pas publikimit të video-përgjimit nga Dritan Prifti, ai gjendet në pozitat e viktimës që i djegur nga qulli, bën të gjitha përpjekjet për t’i fryrë çdolloj kosi. Ilir Meta nuk njihet si këmbëngulës sypatrembur në kohëra furtunash, sidomos politike. Në vitin 2002, Ilir Meta dha dorëheqjen si Kryeministër vetëm sepse disa socialistë duartrokitën Fatos Nanon, dhe jo atë, në një sallë mbledhjesh në Berat. E njëjta gjë mund të pretendohet edhe për dorëheqjen e fillimvitit 2012. Pra, duke qenë se Ilir Meta nuk shquhet si këmbëngulës sypatrembur, situata e krijuar, këtë radhë jo për faj të tij, duket e ka nxjerrë nga shinat. Kështu, i vënë përballë një trysnie të madhe politike dhe mediatike, i përvëluar nga tmerri i një teorie konspirative, që e akuzon për skenarë nga më kriminalët, nuk ka pse duket e çuditshme figura e nxituar e turrjes për të shkulur çdo qime, me pamje fillestare të dyshimtë, në mjekrat e gjithkujt, pa u kujdesur se veprimi mund të gjykohet si dekonspirues.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura