“Përse Enver Hoxha krijoi konfidencialitet me shefin e misionit amerikan”- Paskal Milo depërton në arkivat sekrete: Shqiptarët në përgjithësi e shihnin me dyshim…

Jan 26, 2021 | 14:23
SHPËRNDAJE

Profesor Paskal Milo vijon studimin e tij bazuar në dokumente arkivore amerikane dhe britanike në lidhje me qëndrimin e aleatëve gjatë luftës ndaj Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Milo dokumentet enver hoxha

Dokumentet arkivore tregojnë se vlerësimi i misionit amerikan dhe atij britanik ndaj Frontit Nacional Çlirimtar ishte thuajse i njëjtë dhe pse me amerikanët Enver Hoxha dukej se kishte më shumë besim, ndërsa britanikëve u druhej për qëllimet e tyre jo shumë në favor të Frontit, por dhe Shqipërisë.

“Shqiptarët në përgjithësi e shihnin me dyshim politikën britanike, veçanërisht qëndrimin e saj ndaj integritetit territorial të vendit”, shkruan profesor Milo në analizën e tij, ndërsa shprehet se misioni amerikan krijoi një marrëdhënie konfidencialiteti me Enver Hoxhën, nga i cili merrnin raporte sekrete ushtarake që i dispononte vetëm kreu i Shtabit të Përgjithshëm.

Por profesor Milo sjell në vëmendje bazuar në dokumentet arkivore edhe zhgënjimet e britanikëve por dhe amerikanëve ndaj Ballit Kombëtar, të cilët sipas raportimeve të britanikëve, po bashkëpunonin ngushtësisht me nazistët, të cilët i kishin furnizuar edhe me armë.

NGA PASKAL MILO

FRONTI NACIONAL ÇLIRIMTAR

Amerikanët dhe britanikët kanë pasur shumë pak informacione deri në pranverën e vitit 1943 për zhvillimet brenda në Shqipëri. Kontaktet e drejtpërdrejta që ata vendosën gradualisht me faktorët kryesorë politikë e ushtarakë të rezistencës antifashiste përmes misioneve të tyre në terren e pasuruan informacionin dhe përmes tij u bë e mundur të realizohej edhe një njohje dinamike e në proces të tyre.

Nëse do të duhej të përmblidheshin shkurtimisht vlerësimet e përbashkëta ose të përafërta të qeverive britanike dhe amerikane ndaj tyre, panorama mund të ishte: Të dyja qeveritë e konsiderojnë një grupim politik dhe ushtarak të majtë nën influencën direkte të Titos dhe të tërthortë sovjetike.

Britanikët që e kishin ndjekur më nga afër FNÇ dhe udhëheqësit e tij, përmes misioneve të ndryshme të oficerëve të ndërlidhjes, kanë dhënë analiza dhe informacione të hollësishme rreth tyre. Mjaft oficerë të ndërlidhjes, si Meklin, Smajli, Kemp, Palmer, Smith etj., kanë pasur njohje nga afër e lidhje pune me Enver Hoxhën e Spiro Moisiun, por edhe me drejtuesit kryesorë të formacioneve partizane si Mehmet Shehu, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Hysni Kapo, Ramadan Çitaku, Dali Ndreu, Islam Radovicka, Kadri Hoxha, Baba Fajë Martaneshi, Haxhi Lleshi etj. Ata i kanë studiuar nga afër dhe në arkivat britanike ka vlerësime të shumta rreth tyre. Veçanërisht për Enver Hoxhën e Mehmet Shehun.

Ndër këto vlerësime të bëra në kohën e Luftës, por edhe pas saj, me botimin e kujtimeve e ditarëve të oficerëve të ndryshëm të ndërlidhjes ka edhe subjektivizëm me nota negative e pozitive.

Në pamundësi për të sjellë të gjitha këto vlerësime, do të merren së pari në konsideratë ato që janë më kryesore dhe pa asnjë motiv paraprak seleksionues. Për shkak edhe të pozitës si shef i misionit britanik në Shqipëri, si referencë e parë merren më tepër dy raportet e gjeneralit Dejvis dërguar komandës superiore dhe që aty Londrës. Në raportin e parë të 12 nëntorit 1943, Dejvis ka shkruar se “e konsideroj Lëvizjen Nacional Çlirimtare si komuniste, por janë nën influencën e Titos dhe jo të rusëve… e konsideroj Lëvizjen Nacional Çlirimtare më afër fitores, sepse janë të rinj, janë më shumë agresivë që të lënë shijen e një lëvizjeje terroriste” .

Në mjaft dokumente të kohës amerikanët dhe britanikët njohin se FNÇ është forca politike dhe ushtarake më e madhe dhe më e organizuar, me kontributin më të madh në mos të vetëm në luftën kundër gjermanëve në Shqipëri. Harry Fultz në fillim të shtatorit 1944 raportonte se në dallim nga dy grupet e tjera rivale, Balli Kombëtar e Legaliteti, “ FNÇ ka më pak orientalizëm në makeup-in e tij dhe është i përbërë në një përqindje të lartë nga njerëz të rinj… ata kanë treguar një farë aftësie organizative dhe administrative në lidhje me luftën guerile” . 

Britanikët dhe amerikanët u bindën në mënyrë graduale nga vëzhgimet në terrenin e luftës se FNÇ ishte thuajse forca e vetme antifashiste në kuptimin e plotë të fjalës në Shqipëri. Por duke e ditur këtë fakt, ata i dhanë mbështetje e ndihmë në shërbim të rezistencës antifashiste dhe u treguan të kujdesshëm që deri në tetor 1944 të mos jepnin asnjë mesazh politik në favor të FNÇ.

Në fund të Luftës, një anëtar i OSS-it, që kishte punuar në zyrat qendrore në Uashington e që u bë më pas anëtar i misionit diplomatik amerikan në Tiranë, Stefën Peters, fitoren e partizanëve shqiptarë që ai i cilësonte si “ radikalët e rinj” e shpjegonte me faktin se “ ata nuk nguruan të bënin sakrifica; sepse ata ishin trima e të guximshëm; sepse ata kishin aftësi të mira organizuese; sepse ata ishin të vendosur që idetë e tyre radikale t’i vinin në praktikë” .

Britanikët që ishin të pranishëm në Shqipëri përmes edhe misioneve që dërguan kanë njohur në përgjithësi rolin dhe kontributin parësor të FNÇ. Pavarësisht se mjaft prej oficerëve britanikë të ndërlidhjes nuk pajtoheshin me bindjet politike të udhëheqjes së FNÇ-së dhe nënvizonin tendencën prokomuniste të saj, ata në raportet që dërgonin në qendrën e tyre bënin analiza e vlerësime realiste. Një prej tyre që ka vepruar në zonën e Gjirokastrës, majori Tilman, raportonte se LNÇ është “ e vetmja palë në Shqipëri me të njëjtat qëllime për luftën si tonat”, por mirënjohja e tyre “ zhvlerësohej kur ndihmonim në mënyrë të barabartë të gjitha palët” .

Meklin, që për shkak të bindjeve të tij konservatore nuk ushqente ndonjë simpati për Enver Hoxhën, përkundrazi, ka njohur në raportin e tij të tetorit 1943 se “ LNÇ deri tani nga pikëpamja ushtarake është partia me e fuqishme në Shqipëri, nga pikëpamja politike dhe administrative më e organizuar dhe në të njëjtën kohë më aktivja kundër Boshtit” . 

Po këtë vlerësim ka dhënë edhe majori E. Uotrës (Watrous) kur në qershor 1944 shkruante se LNÇ përfaqëson tashmë “një forcë guerrilase të fuqishme, të mirëpajisur, të mirorganizuar dhe të aftë për të ndërmarrë sulme në një shkallë që deri tani mendohej e pamundur”. Ka edhe mjaft raporte të tjera pozitive për rolin e FNÇ-së nga oficerë të tjerë britanikë të ndërlidhjes, si R. Hibert, A. G. Hend (Hands), N. Uilër (Wheeler) etj.

Ndonëse të dyja qeveritë ecën me një hap në vija të përgjithshme në qëndrimin ndaj FNÇ-së, ato gjatë Luftës manifestuan edhe dallime dhe rivalitete për influencë ndaj tij. Britanikët u investuan më tepër në Shqipëri nga të gjitha pikëpamjet, por nuk arritën objektivat politike që ata dëshironin në vend. Ndër arsyet kryesore që mund të përmenden janë se shqiptarët në përgjithësi e shihnin me dyshim politikën britanike, veçanërisht qëndrimin e saj ndaj integritetit territorial të vendit.

Misionet britanike në një masë jo të vogël përbëheshin nga oficerë ndërlidhës konservatorë që e urrenin FNÇ-në për shkak të udhëheqjes komuniste të tij. Fakti që një pjesë e tyre qëndruan tek udhëheqësi i Legalitetit Abas Kupi dhe te nacionalistët antikomunistë të Veriut, që FNÇja i konsideronte si armiqtë e tyre, e thelloi edhe më tepër hendekun e ndarjes mes tyre. Një arsye tjetër kryesore ishte se komandanti i përgjithshëm i UNÇL dhe udhëheqësi politik i FNÇ, Enver Hoxha, i shihte me shumë dyshim britanikët, kishte frikë prej tyre për të mos thënë se i urrente.

Shtetet e Bashkuara në sytë e shqiptarëve paraqiteshin në një pamje tjetër. Ata ishin përmes figurës së Presidentit Udro Uillson shpëtimtarët e pavarësisë e të integritetit territorial të Shqipërisë. Kishin dënuar pushtimin italian të vendit dhe kishin bërë deklarata të qarta e pa rezerva në mbështetje të luftës antifashiste të shqiptarëve.

Në Shtetet e Bashkuara jetonte një komunitet shqiptar i lidhur ngushtë me mëmëdheun dhe shumë aktiv.

Gati 90 për qind e misionit amerikan të OSS–it që erdhi në Shqipëri gjatë Luftës përbëhej nga shqiptaro–amerikanë që flisnin gjuhën shqipe e që shërbeu si një faktor afrimi, mirëkuptimi e bashkëpunimi jo vetëm me popullsinë e thjeshtë, por edhe me partizanët e me udhëheqjen e FNÇ-së. Enver Hoxha ishte i kujdesshëm me amerikanët, jo se i donte, por i kishte në konsideratë faktorët e mësipërm. Shefi i misionit amerikan Tom (Thoma) Stefani ishte gjithnjë i mirëpritur tek Enver Hoxha.

Këtë klimë Stefani e ndjeu që në fillim dhe informon që në kabllogramet e para. Në këtë mënyrë ai siguroi një lloj konfidencialiteti te Enver Hoxha që e ndihmoi shumë që të realizonte detyrën kryesore të tij që ishte “ grumbullimi, koordinimi dhe përcjellja e sekreteve ushtarake” , veçanërisht ”informacioni i cili do të kontribuojë në një mbështetje maksimale të veprimeve të formacioneve të FNÇ-së kundër forcave pushtuese armike”.

Oficeri amerikan i ndërlidhjes i ndodhur në këtë pozicion u njoh me shumë informacione të privilegjuara dhe i paraqiti një tablo realiste qendrës së vet kur i shkruante se “ …mua më duhet të them që këta njerëz do të luajnë një rol të madh në qeverinë e ardhshme, sepse ata janë duke luftuar për liri dhe janë përgatitur për sakrifica të mëdha dhe se komunizmi do të rritet po të mos bëjnë Aleatët pak më shumë propagandë” .

Britanikët e shihnin me shume xhelozi këtë marrëdhënie preferenciale të Tomas Stefanit me udhëheqjen e FNÇ-së, për të mos thënë më shumë. Amerikanët u përpoqën ta shfrytëzonin si një letër politike me vlerë dhe ishin të kujdesshëm për të mos e humbur atë. Ndaj edhe Sekretari i Departamentit të Shtetit, Hall, porosiste në korrik 1944 se “ne ndofta do të biem dakord në përgjithësi me vijën tashmë të propozuar nga britanikët, por nuk duhet të japim mbështetjen e prestigjit amerikan në Shqipëri për përparësi britanike nëse ajo do të shfaqet për të paragjykuar pozitën tonë…”.

Dokumentet arkiva-Paskal Milo

BALLI KOMBËTAR

Veprimtaria e kësaj organizate politike në Shqipëri u ndoq në fillim nga afër dhe me interes nga misionet britanike dhe amerikane. Ato ishin të interesuar në emër të qeverive të tyre ta nxisnin Ballin Kombëtar në luftën kundër pushtuesve të huaj dhe në krijimin e një fronti kombëtar antifashist. Britanikët për afro 6 muaj pasi erdhën në Shqipëri, në kundërshtim edhe me FNÇ-në tentuan ta mobilizojnë Ballin në Luftë, kontaktuan udhëheqësit e tij, biseduan dhe i inkurajuan, por nuk arritën t’i bindin.

Gjeneral Dejvis, kryetar i misionit britanik në Shqipëri, pasi e konsumoi këtë përpjekje, në raportin e tij të dytë, në 17 dhjetor 1943 shkruante: “ Tani unë rekomandoj një ndryshim. Tani së fundmi situata është zhvilluar kaq shumë sa që është urgjente të denoncohet Regjenca kolektivisht dhe me emra veç e veç, gjithashtu Balli Kombëtar dhe Zogistët. Të gjithë janë duke bashkëpunuar me gjermanët, të cilët i furnizojnë ata me armë në sasi të mëdha” .

Disa muaj më vonë, një dëshmi tjetër autentike u dërgua në Londër për Ballin Kombëtar. Ishte E. Kuajl (A. Quail), oficer britanik i ndërlidhjes me gradën major, aktori i ardhshëm i famshëm që në fund të prillit 1944 raportoi se Balli Kombëtar “ është një trupëzim i padisiplinuar i individëve që qëndrojnë së bashku vetëm nga urrejtja e tyre për komunizmin” , se “ liderët e tij përfshijnë njerëz me patriotizëm të padyshimtë” , po ata “ janë rreshtuar me gjermanët kundër LNÇ… janë më tepër se kurrë larg për t’u shkëputur nga bashkëpunimi gjerman” dhe se “ të shpresohet për ndihmë të organizuar nga Balli Kombëtar, ose më saktë, të mbështetesh në të, është e kotë” .

Një dokument tjetër britanik, në shkurt 1944 nënvizonte se “ është e qartë se në Shqipërinë Jugore e Qendrore anëtarë të Ballit Kombëtar janë duke luftuar me gjermanët kundër partizanëve…” . Majori britanik J. A. Field, që nuk ushqente asnjë simpati për FNÇ-në dhe që vepronte si oficer i ndërlidhjes në Vlorë, raportonte se “ është shumë e vështirë të tregohet se sa i keq është realisht Balli Kombëtar…

Nuk ka asnjë pikë dyshimi se ata bashkëpunojnë me gjermanët… Disa nga anëtarët e rinj kanë luftuar kundër gjermanëve me partizanët, por shumica e udhëheqësve të tyre janë me armikun” . Një oficer tjetër britanik, i njohur dhe i deklaruar si konservator dhe antikomunist, Peter Kemp, në raportin e tij gjashtëmujor për Shqipërinë në mars 1944 konstatonte se “ gjatë kësaj periudhe ishte e qartë se politika e Ballit Kombëtar ishte ta mbante mirë me gjermanët dhe të mos bënte asgjë për t’i kundërshtuar ata…” .

Misioni amerikan i OSS-it erdhi disa muaj më vonë në Shqipëri se misionet britanike, por vlerësimet e tyre për Ballin Kombëtar ishin thuajse të përafërta me ato britanike dhe në mjaft raste edhe më kritike. Misioni amerikan zyrtarisht u akreditua pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ dhe nuk u porosit për t’u atashuar te Balli Kombëtar dhe as të bashkëpunonte me të. Anëtarë të veçantë të misionit takuan gjatë Luftës drejtues lokalë të Ballit, por ajo ishte një marrëdhënie e izoluar e spontane.

Amerikanët deri në verën e vitit 1944 ndonëse kishin informacione të mjaftueshme për zhvillimet brenda në Shqipëri, ishin shumë të kujdesshëm që të qëndronin sa më neutralë ndaj grupimeve rivale politiko-ushtarake në vend. Ata rekomandonin bashkimin e tyre në funksion të luftës kundër pushtuesve gjermanë.

Ndaj edhe dokumentet amerikane deri në këtë kohë thuajse mungojnë, nuk ka vlerësime të posaçme për secilin prej këtyre grupeve, për natyrën dhe synimet e tyre. Një vlerësim i vetëm i dokumentuar më herët është ai i shkurtit 1944 i shefit të zyrës të OSS-it në Bari, Harry T. Fultz që mbulonte Shqipërinë kur deklaronte se “ e vetmja rezistencë ndaj gjermanëve është ajo që po bëhet nga partizanët” .

Në verën e vitit 1944 amerikanët u bindën përfundimisht për nevojën e një diferencimi të qartë në mbështetje të FNÇsë. Balli Kombëtar nuk përmendet as edhe me emër në dokumentet diplomatike amerikane, ndërkohë që Abas Kupi i Legalitetit është i pranishëm në to. Dhe një qëndrim i tillë jo pa arsye. Në Departamentin e Shtetit qarkullonte mendimi se Balli Kombëtar “ tani është duke bashkëpunuar në mënyrë të paturpshme me gjermanët dhe është kaq shumë i lidhur me qeverinë kuislinge, saqë është pothuajse e pamundur të bëhet ndonjë dallim midis të dyve” .

Pak më vonë, në fillim të tetorit 1944, qëndrimi i Departamentit të Shtetit bëhet më i ashpër kur në një studim të tij çmohet se Balli Kombëtar dhe shumë ish-fytyra të mirënjohura politike “ janë të përlyer me kolaboracionizëm. Ata do të jenë zero politike në sytë e popullit” .

LEXO EDHE 

“Janë një kërcënim publik”/ Studiuesi Paskal Milo hap arkivat britanike dhe amerikane të luftës: Çfarë thuhet për Shqipërinë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura