Përse dështoi grushti i shtetit?

Jul 18, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Tomorr AlizotiTOMORR ALIZOTI

Tentativa për grusht shteti të premten duke u gdhirë e shtunë, lë vend për shumë pyetje. E paqartë është se sa e përçarë është ushtria turke dhe se sa dinte qeveria për pakënaqësinë në ushtrinë turke. I paqartë është edhe roli i Fethullah Gulen, të cilin qeveria e akuzoi që në orët e para të grushtit të shtetit.

HISTORIA TURKE ËSHTË E MBUSHUR PLOT ME GRUSHTE TË SUKSESSHME SHTETI

Gabimet e kësaj here ishin të mëdha, prandaj edhe dështuan. Një ndër pyetjet më të rëndësishme është se si ndodhi që një ushtri me një histori të suksesshme puçesh të ishte kaq diletante. Në vitet 1960, 1971, 1980, ushtria arriti në një kohë të shkurtër të nxirrte jashtë loje të gjitha institucionet, ndërsa në 1997 mjaftoi vetëm një fjalë e shefit të shtabit për të rrëzuar Erbakanin, paraardhësin e Erdoganit.

Të premten në darkë u duk qartë se puçi nuk ishte organizuar në rangje të larta, gjë e cila mund të çonte vetëm në dështimin e tij. Një pjesë e forcave ajrore dhe xhandarmërisë e kishte bërë të qartë qëndrimin ndaj AKPsë dhe Erdoganit, por mënyra diletante e veprimit hedh dyshime të forta mbi profesionalizmin e ushtrisë turke, e cila është dhe e dyta në NATO.

SHOQËRIA TURKE NUK E MBËSHTETI PUÇIN

Puçet e mëparshme janë zhvilluar vonë në mesnatë, në mënyrë që ushtria të dilte e qetë nga kazermat. Rasti i së premtes ishte në mes të lëvizjes së qytetarëve. Puçistët e mëparshëm neutralizuan presidentin dhe kryeministrin, ndërsa në rastin e së premtes, presidenti arriti të bënte thirrje popullit në media që të dilnin në rrugë, po ashtu edhe kryeministri.

Simpatizantët e Presidentit vërshuan nëpër rrugë dhe arritën t’i ndalonin e rrethonin tanket derisa t’i neutralizonin trupat e Erdoganit. Një ndryshim vendimtar nga puçet e mëparshme ishte se ushtria nuk e kishte shumicën e popullit në krah.

KEQKALKULIM DHE MUNGESË PLANI

Fluturimet e ulëta të avionëve dhe helikopterëve, dhe bombardimi i parlamentit nuk arriti t’i bënte për vete as kundërshtarët e Erdoganit. Madje, ata e panë si një sulm ndaj tyre. Një keqkalkulim ishte bllokimi i hapë- sirës ajrore, i cili nuk ishte efikas. Erdogan arriti të ngrihej nga vendi i pushimeve Marmara e të ulej në Stamboll. Me uljen e tij në Stamboll u shemb edhe puçi. Bombardimi i hotelit, në të cilin Erdogan rrinte rreth një javë me pushime, u krye pasi ai e kishte lënë Marmaranë e ishte ulur në Stamboll.

A MUND TA SHMANGTE QEVERIA PUÇIN?

Nëse puçistët do të donin të ishin të suksesshëm si paraardhësit e tyre, duhet medoemos të kishin nën kontroll institucionet e rëndësishme shtetërore dhe të neutralizonin ato civile. Ata pushtuan zyrat e televizionit shtetëror dhe detyruan spikeren me armë në dorë të lexonte deklaratën e tyre. Pikërisht këtu del në pah një dobësi tjetër e keqorganizimit.

Liderët e mëparshëm të puçit i lexonin vetë deklaratat. Që në hapat e para grushtit të shtetit i mungonte “fytyra”. Liderët mbetën anonim. Pas orës dy të mëngjesit, disa orë pas deklarimit të puçit, prokurori i Përgjithshëm i Ankarasë lexoi emrat e organizatorëve. Lind pyetja, kur prokuroria e dinte kaq shpejt se kush ishin organizatorët e puçit, përse nuk i arrestoi më parë të dyshuarit për të parandaluar atë që ndodhi? Po shërbimi sekret ç’bënte? A është ai ende efektiv, që kur drejtimin e tij e ka marrë i besuari i Erdoganit, Hakan Fidan.

GJENERALËT ASNJËHERË NUK E KANË BËRË VENDIN MË DEMOKRATIK

Deklarata e Komitetit që u lexua, përmbante pothuajse të gjitha kritikat që i ishin bërë presidentit dhe kryeministrit, si cenimi i Kushtetutës, shkelja e të drejtave të njeriut, moszbulimi i aferave korruptive. Por në deklaratë nuk u shfaq asnjë program ose plan afatshkurtër për muajt e ardhshëm.

Kjo i bënte të paqartë puçistët të cilët nuk arritën të fitonin mbështetje. Pas çdo puçi, ushtria arrinte të vendoste rendin dhe qetësinë, por asnjëherë nuk arriti dot ta demokratizonte vendin. Pas këtij puçi të dështuar duket qartë se sa e polarizuar është shoqëria turke, madje kjo u vu re edhe në ushtri, e cila nuk u rebelua vetëm ndaj AKP-së, por edhe ndaj eprorëve të saj. Për vite me radhë ushtria ka qenë simboli i unitetit dhe garancia e vendit për shoqërinë turke.

PËRSE NUK U PËRFSHINË TË GJITHË USHTARAKËT E LARTË NË PUÇ?

Kohëve të fundit ka pasur zhvillime pozitive ndërmjet gjeneralëve dhe Erdoganit. Madje, një nga ata i cili ishte edhe shefi i shtabit, ishte i ftuar në dasmën e së bijës. Gjeneralëve u është lënë dorë e lirë në luftën ndaj kurdëve, të cilët njihen për qëndrimin e tyre të ashpër. U plotëson çdo dëshirë në buxhet për të blerë armët më moderne.

Marrëdhënia pozitive i ka rënë në sy dhe një ndër kritikëve më të ashpër të Erdoganit, Dogu Perincek, një Qemalist, i cili shprehet se edhe Erdogan arriti të bëhet një Qemalist, ashtu si vetë ushtria, e cila është pararoja mbrojtëse e vlerave Qemaliste. Puçi u shtyp, por pakënaqësia te një pjesë e xhandarmërisë dhe ushtrisë, e cila është garantuese për sigurinë në vend vazhdon të jetë ende prezente.

KONFLIKTI NDËRMJET POLICISË DHE USHTRISË

Të premten në darkë, kryeministri Yldirim u bëri thirrje forcave policore të përballeshin me puçistët. Konflikti ndërmjet policisë dhe ushtrisë ka traditë në Turqi. Qeveritë e kanë parë policinë si një kundërpeshë ndaj ushtrisë e më pak si një ruajtëse rendi. Andaj nuk është e çuditshme që luftimet ishin të ashpra ndaj puçistëve dhe policisë. Që në fillim të puçit, në lagjen “Goelbasi” të Ankarasë puçistët sulmuan qendrën e forcave special, ku gjeten vdekjen 17 policë.

AKUZAT SE PAS PUÇIT FSHIHET GULEN, NUK JANË DHE AQ TË VËRTETA

Gjenerali Ymit Dyndar, i cili zëvendësoi shefin e shtabit që ish marrë peng, deklaroi se pas puçit të së premtes ishin forcat ajrore dhe një pjesë e xhandarmërisë. Asnjë forcë në ushtrinë turke nuk shquhet aq sa forcat ajrore për Qemalizimin dhe besnikërisë ndaj vlerave të Ataturkut.

Tentativa e puçit, e cila kishte për qëllim dobësimin e Erdoganit, arriti të kundërtën. Erdogan do të ketë dorë të lirë në spastrimin e ushtrisë dhe kundërshtarëve të tij. Ai sot është më i fuqishëm se kurrë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura