Përse ambasadori amerikan foli “shqip”!

Nov 18, 2015 | 12:08
SHPËRNDAJE

blendi_fevziuBLENDI FEVZIU

Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, ka folur sot  dy herë shqip! E para ka folur në gjuhën shqipe; e dyta, ka folur (siç thuhet në zhargon) shqip! Ai i ka thënë gjërat ashtu siç janë dhe ashtu siç i dimë të gjithë. Madje, siç i dinë të gjithë shqiptarët. Deklaratat e tij nuk janë të panjohura. Ato janë thënë shumë herë nga mediat dhe opozita, por sot kanë një tjetër vlerë. Kanë vlerë, sepse thuhen nga përfaqësuesi i një vendi të madh.

Një ambasador që ka lënë mënjanë gjuhën diplomatike dhe me kupën e mbushur plot foli sot qartë: në këtë vend kriminelët dhe shkelësit e ligjit nuk dënohen! Lu pa dyshim që mund të kishte shkuar edhe më tej. Ai mund të kishte thënë se në këtë vend, që rezulton më i korruptuari në Europë, asnjë politikan nuk është dënuar për korrupsion në 20 vitet e fundit; që asnjë zyrtar i lartë nuk është ndëshkuar për zullumet e tij edhe kur të gjithë i kanë pranuar ato publikisht, siç ishte rasti i aferës CEZ; që asnjë gjykatës që ka dhënë vendime skandaloze nuk është përgjigjur përpara drejtësisë.

Mund të thoshte edhe që kriminelë të dënuar me shumë mund me burgim të përjetshëm po gjykohen një pas një dhe po u rishikohen dënimet. Nuk do të jetë larg dita kur do t’i shohim sërish në rrugë më barrën e kufomave hedhur mbi shpinë e pse jo, edhe në sallën e Parlamentit. Mund të thoshte se s’ka vend tjetër në botë ku njerëz të akuzuar për vrasje e trafik bëhen deputetë.

Dhe bëhen sërish, sepse i shpëtojnë ndëshkimit. Dhe sepse blejnë politikën që sërish nuk ndëshkohet për këtë. Mund të thoshte edhe shumë të tjera si këto. Por Lu ka zgjedhur 3 – 4 raste sa për të thënë publikisht qëndrimin e vendit të tij dhe njëkohësisht për t’i dhënë kurajë publikut. Për t’i thënë që s’ka të paprekshëm dhe se s’duhet të kenë frikë nga askush.

Dhe e fundit e kryesorja, Lu i tha të gjitha këto, për t’ju thënë se kur kriminelët janë jashtë; kur shkelësit e ligjit nuk ndëshkohen, dikush ka përgjegjësi për këtë. Dikush është fajtor që kjo ndodh. Dhe fajtorët nuk mund të mbeten pa u përgjigjur. Kurdo dhe sado të fortë që të jenë. Ndaj Lu foli “shqip”, që ta dëgjojnë të gjithë. Keqbërësit dhe publiku që duhet t’i vërë ata përpara përgjegjë- sisë!

Opinion.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura