Përplasjet për demarkacionin, ambasadat lëshojnë viza afatgjate

May 24, 2016 | 9:45
SHPËRNDAJE

Shumë kosovarë vazhdojnë të qëndrojnë para dyerve të ambasadave të Bashkimit Evropian (BE) për t’u pajisur me viza Schengen, pavarësisht paralajmërimeve se heqja e vizave pritet të ndodhë shumë shpejt. Madje, disa qytetarë konfirmojnë për gazetën “Zëri” se së fundmi kanë marrë viza për periudha kohore prej 6 muajsh apo edhe një vit.

viza

“Para disa ditëve kam marrë vizë gjashtëmujore në njërën nga ambasadat e Bashkimit Evropian”, thotë një qytetar, i cili nuk dëshiron të flasë publikisht për “Zërin”.

Kjo po bën që shumë qytetarë të dyshojnë në liberalizimin e vizave në një afat të shkurtër. Megjithatë, kur Kosova mori rekomandimin e shumëpritur pozitiv për liberalizimin e vizave, më 4 maj 2016, ai u dha me dy kushte. Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe intensifikimin e shënimin e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E edhe njëra, edhe tjetra po dalin të jenë problem për Qeverinë. Në veçanti ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht insistimit të Qeverisë se kjo do të bëhet shumë shpejt.

Këtë po e bën të “pamundur” opozita, e cila me tërë kapacitetin e saj po kundërshton ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, duke thënë se është një kusht i padrejtë i BE-së karshi Kosovës. Në këtë situatë rrjedhimisht lind edhe pyetja se a po rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën?! Jashtë qarqeve politike, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë jo. Megjithatë, nuk mohojnë urgjencën me të cilën duhet të trajtohet përmbyllja e procesit të demarkacionit me Malin e Zi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura