Përplasje, rrahje e pranga për pronat në bregun e Lalëzit. Nga dhuna ndaj biznesmenit libanez, te prangosja e Liridon Pulës

Nov 6, 2019 | 14:40
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Pronat e bregdetit të Durrësit gjatë viteve të fundit kanë qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, shoqëruar me skandale të vazhdueshme, madje edhe me etiketime të tipit “mafia” e tokave.

mix-lalzi

Protesta, përplasje fizike, rrahje, arrestime, madje edhe vrasje tipike mafioze, kanë ndodhur brenda një harku kohorë të shkurtër dhe motivi i tyre ka qenë pikërisht “prona”. Policia e Prokuroria kanë kryer vazhdimisht operacione, që kishin si qëllim goditjen e rasteve të tjetërsimit të pronave. Qytetarë, biznesmenë, madje edhe zyrtarë të Hipotekës e të institucioneve të tjera vendore, kanë përfunduar pas hekurave për skandalet e pronave në bregdetin e Durrësit, kryesisht për zonën e Ishmit, Gjirit të Lalëzit dhe Hamallajt.

SHEFI I KADASTRES

Vetë prokurori Arian Ndoja, që u plagos në atentatin e së premtes, është lakuar javët e fundit nga Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe, pas urdhrit të arrestit që prokurori kishte lëshuar ndaj shefit të Kadastrës, Liridon Pulës. Duke konsideruar arrestimin e këtij të fundit të padrejtë, Rama akuzoi prokurorin për bashkëpunim me grupet kriminale.

“Sa kohë kam që e them, këto kanë vënë pasuri marramendëse. Me çfarë i bërë zotrote, faturat e bixhozit në Monte Karlo. Nuk është pushim nga puna vetingu, por do të hetohet. Sot është prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe u bën shantazh nëpunësve të shtetit. Nuk arreston qeveria, arreston drejtësia dhe procesi i një drejtësie që arreston është ky që po bëjmë”, tha Kryeministri disa javë më parë. Akuzat për prokurorin u vazhduan me tej edhe nga zv.kryeministri, Erjon Braçe, që ndoqi edhe seancën për vlerësimin e masës së sigurisë.

Pëllumb Muharremi (Rrumi)
Pëllumb Muharremi (Rrumi)

“Nuk ishte provuar që drejtuesi i Kadastrës të kishte sjellë dëme mbi shtetin, gjë që nuk e pretendon as prokurori, dhe dëme mbi privatin, kompaninë që ka bërë ndërtime në Lalëz ose partnerët e saj, të cilët janë pronarët e truallit. Çdo gjë, në gjykimin tim personal, është e stisur dhe prokurori dhe gjykatësi duhet të vërtetojnë në Apel ato që nuk i provuan, por edhe u përgjigjën që deri në këtë moment kemi këto, nëse na sillni prova, ne ndryshojmë qëndrim. Nuk sjell i akuzuari prova, por prokurori. E kuptoni se në çfarë shkelje të rëndë kushtetuese është ky prokuror?”, tha Braçe. Kreu i Kadastrës akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndërsa u la në burg në Shkallë të Parë, vendim që u prish disa javë më vonë nga Gjykata e Apelit.

BIZNESMENI LIBANEZ

Biznesmeni me shtetësi amerikane dhe kombësi libaneze, Fadi Mitri, u masakrua me shkop bejsbolli në rrugën e Rinasit, pranë kryqëzimit të Laknasit në Tiranë, më 10 shtator të vitit 2016. Mitri, në atë kohë 55 vjeç, po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit me automjetin tip “Mitsubishi”, që drejtohej nga shoferi i tij shqiptar, me iniciale E.M., kur është përplasur qëllimisht nga një automjet tjetër. Ai ishte administrator i kompanisë nga Katari, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtonte një resort gjigant me vlerë 180 milionë euro në Gjirin e Lalzit.

Biznesmeni i huaj ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija në momentin kur u sulmua barbarisht me shkop bejsbolli. Ai është goditur 10 herë në kokë dhe 7 herë të tjera në gjymtyrë e për pasojë ka hematoma të shumta, ndërsa njërën këmbë e ka të thyer. Kanë qenë tre persona që e kanë sulmuar, pasi i kanë përplasur makinën, me të cilën ai udhëtonte në rrugën e Rinasit. Ata janë larguar me një makinë tip “Tuareg” me targa të huaja, që ende nuk është gjetur nga Policia.

Sipas dëshmisë që Fadi Mitri dhe shoferi i dhunuar kanë dhënë para hetuesve, njëri nga autorët ka filmuar të gjithë skenën. Vetë biznesmeni i plagosur ka arritur të fiksojë targën e automjetit “Tuareg”, ku ndodheshin autorët, të cilën edhe e ka fotografuar, pasi mjeti gjatë gjithë rrugës kryente manovra të rrezikshme dhe parakalonte makinën e tij. Burimet thanë se makina ka qenë me targa italiane, të vjetra, që pas verifikimeve nuk kanë rezultuar të kenë kaluar në rrugë zyrtare kufirin shqiptar.

Sulmi ndaj tij u dyshua se kishte lidhje me investimin që do të kryhej në Gjirin e Lalëzit, nga i cili më pas ai u tërhoq dhe u largua nga Shqipëria. Të paktën këto ishin dyshimet e para të Policisë, nisur nga ato çka vetë sipërmarrësi i huaj ka deklaruar pas sulmit. Sipas dëshmisë që ai ka dhënë para hetuesve, mësohet se autorët që e kanë sulmuar, e kanë kërcënuar duke i thënë: “Ik nga Shqipëria, ose ndërprit punimet”.

“RRUMI”

Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi”, por që mban disa identitete, është një emër i njohur për Policinë dhe mediat, pasi në vitin 2016, dyshohej se kishte porositur dhunimin që iu biznesmenit libanez, Fadi Mitri. Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikan-libanez, Fadi Mitri, në rrugën e Rinasit.

Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku dhe sipas burimeve nga grupi hetimor, në atë kohë u dyshuan se mund të jenë paguar ose porositur nga persona të tjerë për të dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj. Mes të arrestuarve ishte edhe Landi Muharremi, i cili është djali i xhaxhait, por edhe djali i tezes së Pëllumb Muharremit. Ndërsa vetë “Rrumi” nuk doli asnjëherë në skenë, ndonëse u hetua për një kohë të gjatë si ideatori i këtij sulmi, që më pas solli edhe tërheqjen e biznesmenit Fadi Mitri nga projekti për ndërtimin e resortit.

AUTORI I DHUNËS NDAJ BIZNESMENIT, KUSHËRIRI I PARË I “RRUMIT”

Pas dhunës së ushtruar ndaj biznesmenit libanez Fadi Mitri, Policia tha në atë kohë se tre personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen e datës 10 shtator 2016, ishin Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku. Njëri prej tyre, Krahja, u arrestua pasi iu gjet një sasi hashashi në xhep.

Ndërsa në lidhje me plagosjen e rëndë të biznesmenit Fadi Mitri, nuk u gjetën prova të mjaftueshme që t’i lidhnin me ngjarjen. Por, përveç kësaj ngjarjeje, Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati vitin e kaluar, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë.

Landi Muharremi rezulton të jetë kushëriri i parë i “Rrumit”, personi që mbeti i plagosur në atentatin e organizuar ndaj tij dhe prokurorit Arian Ndoja. Pëllumb Muharremi dhe Landi Muharremi janë edhe djem xhaxhallarësh, edhe djem tezesh.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura