FOTO VIDEO/ Përplasje në burgun grek mes shqiptarëve dhe pakistanezëve. Bilanci: 2 të vdekur 21 të plagosur

May 4, 2015 | 14:40
SHPËRNDAJE

Përleshje e përgjakshme mes shqiptarëve e pakistanezëve në një burg të Greqisë, dy vdesin dhe mbi 20 persona kanë mbetur të plagosur.

Foto nga burgu ne Greqi

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria greke e Drejtësisë. Mësohet se viktimat nuk janë shqiptarë, por ka disa të plagosur mes tyre. Ngjarja ndodhi mbrëmë kur dy grupe janë përplasur mes tyre në burgun e Koridallos. Disa të dënuar shqiptarë e arabë kanë sulmuar pakistanezët, duke vrarë dy prej tyre.

Policia greke nuk bëri të ditur emrat e viktimave, ndërkohë që revolta mes të dënuarve deri në përgjakje mes tyre ka vënë në alarm strukturat e burgut.

Policia greke konfirmoi se janë 21 persona të plagosur, mes të cilëve edhe shtetas shqiptarë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor, por nuk ka të dhëna për gjendjen e secilit prej tyre. 


Ata janë të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe ndodheshin prej disa kohësh në këtë burg. Shërbimet brenda burgut nuk kanë pasur informacion të mëparshëm për grupet rivale brenda këtij institucioni, dhe as konflikte të mundshme mes të dënuarve.

Përleshja mes tyre është zhvilluar në darkë pak para mbylljes së dyerve të qelive, ku janë përdorur thika të improvizuara. 


Sipas autoriteteve, tetë prej të plagosurve që janë më rëndë dhe në rrezik për jetën janë dërguar me urgjencë në spital në Nisë, ndërsa të plagosurit e tjerë më lehtë janë dërguar në spitalet më të afërta.

Autoritetet bënë të ditur se situata është vënë në kontroll në një kohë të shpejtë, ku është dashur ndërhyrja e dhjetëra forcave të Policisë. 


Pas vënies nën kontroll të situatës ka nisur menjëherë hetimi për të zbuluar shkaqet e përplasjes mes dy grupeve brenda burgut.

Gjithashtu do të hetohet edhe përgjegjësia e drejtuesve të këtij institucioni, pasi dyshohet se mjetet e përdorura për krim mund të jenë futur edhe nga jashtë. Por deri në hetimin e plotë të kësaj çështjeje nuk ka të arrestuar dhe as të proceduar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura