Përplasje me armë pranë KZAZ në Laç, vritet aktivisti i LSI, plagoset kandidati i PD

Jun 23, 2013 | 14:59
SHPËRNDAJE

Trupi i viktimës pak çaste pas vrasjes
Përplasje me katër lloje armësh në Laç, shtatë dëshmitarë, asnjë i arrestuar.

Vritet aktivisti i LSI pranë KZAZ. “Viktima kërcënoi kandidatin e PD-së, qëlloi i pari me armë”
Plagoset kandidati i PD-së Fufi dhe kushëriri i tij.

Zbardhen detaje nga konflikti i vrasjes në Laç.

Dëshmitarët në vendngjarje: Sherri Gjoni-Fufi nisi për lekët në këmbim të votës për LSI-në.

 Trafiku i votave ka shënuar viktimën e parë elektorale për zgjedhjet parlamentare 2013, Gjon Gjonin. Gjithçka ka nisur si debat për bindje politike, por konflikti ka degjeneruar në akuza të rënda, për të përfunduar deri në vrasje.  Të paktën kështu thonë disa nga dëshmitarët okularë të krimit në Laç, teksa rrëfejnë dinamikën e ngjarjes. Sipas tyre, ka qenë ora 08:40 e mëngjesit, kur simpatizanti i LSI-së, Gjon Gjoni, ka dalë nga ambientet e brendshme të shkollës “At Shtjefën Gjeçovi” (KZAZ dhe qendër votimi) dhe te dera e madhe e saj është përplasur me kandidatin për deputet të PD-së, Mhill Fufi. Që të dy kanë qenë shoqëruar nga disa persona.

Nga vendi i ngjarjes, Lac
Debati dhe vrasja
Fillimisht dëshmitarët, të cilët kanë disa biznese aty ngjitur, nuk kanë mundur dot të dëgjojnë se çfarë kanë biseduar dy grupet, por më pas zërat janë ngritur. Fufi dhe shoqëruesit e tij e kanë akuzuar Gjonin se po u jepte lekë qytetarëve në këmbim të votës për LSI-në. Ata kanë dyshuar për shkak të informacioneve që kishin marrë paraprakisht, por edhe se Gjonit i është parë një zarf në dorë, duke aluduar se aty ka para. Më pas, grupi i djathtë i ka rekomanduar Gjonit që të mos përzihej në pazare politike, pasi ai jeton në Greqi dhe nuk e ka idenë se çfarë ndodh në Laç. Gjoni u është kundërpërgjigjur me sharje dhe, në këtë moment, njëri nga personat që po shoqëronte kandidatin e PD-së, e ka qëlluar atë me levë. Menjëherë ka ndërhyrë kunati i viktimës, Enver Curri, i cili ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar. Po kaq e rrufeshme ka qenë kundërpërgjigjja e grupit tjetër, nga ku kanë qëlluar me breshëri Gjon Gjonin. Më pas kanë vijuar të shtëna të tjera, por edhe dëshmitarët aty pranë nuk kanë arritur të shohin gjë, për shkak se janë shtrirë përtokë për t’u mbrojtur nga plumbat. Kur janë çuar sërishmi, kanë parë në tokë kandidatin e PD-së, Mhill Fufin dhe kushëririn e tij të dytë, Kastriot Fufin. “Ata po lëviznin dhe kërkonin ndihmë. Kastriot Fufi kishte marrë plagë në kokë, por rënkonte. Mhill Fufi ishte ca më mirë, por sërish i plagosur në trup. Ndërsa Gjon Gjoni ishte i kthyer përmbys me kokë pa asnjë shenjë jete”, thonë dëshmitarët.   
Të implikuarit e tjerë
Për personat e tjerë shoqërues të dy grupeve PD-LSI, dëshmitarët okularë nuk tregojnë gjeneralitetet. Sipas tyre, të mbijetuarit kanë lënë viktimën dhe dy të plagosurit përtokë, duke u larguar me makina të tipit “Fuoristradë”, pa targa, në drejtime të kundërta. Brenda 5 minutash ka mbërritur në vendngjarje policia dhe dy ambulanca, të cilat kanë transportuar të plagosurit. Për hetimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili kryesohet nga prokurori i rrethit gjyqësor Kurbin. Në përbërje të këtij grupi bëjnë pjesë dhe specialistët më të mirë të kësaj fushe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët nuk janë nxituar të dalin në përfundime, ashtu siç pamë të vepronin forcat politike menjëherë pas ngjarjes së rëndë. Grupi hetimor ka arritur të identifikojë të gjithë të implikuarit në konfliktin me pasojë vrasjen, por ende nuk ka prerë mandat arresti për fajtorët. Për shkak të numrit të madh të të dyshuarve, por edhe të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit, ekspertët e hetimit po verifikojnë deklarimet e deritanishme, si dhe po presin rezultatet e provave shkencore që kanë mbledhur nga vendngjarja.

Gjoni akuzoi Mhillin për rrahjen e shoqëruesve të Monika Kryemadhit

Viktima Gjon Gjoni
Konflikti që mëngjesin e djeshëm përfundoi me një viktimë dhe dy të plagosur, ka gjasa që të ketë nisur mbrëmjen e së shtunës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, rreth orës 22:40, në aksin rrugor Fushë Mamurras-Mamurras kanë qenë duke udhëtuar me mjetin e tyre shtetasit Erjon Buzani, 31 vjeç dhe Donard Kekenezi, 20 vjeç; që të dy nga Tirana, shoqërues të kandidates për deputete të LSI-së në qarkun Lezhë, Monika Kryemadhi. Dy djemtë janë ndaluar në rrugë nga persona të paidentifikuar, të cilët u janë drejtuar me fjalët: “Përse bëni fushatë për LSI–në nga Tirana në Mamurras”. Më pas, Kekenezi dhe Buzani janë qëlluar me mjete të forta, duke i kërcënuar që të ikin nga Mamurrasi dhe të mos kthehen më aty. Por plagët e rënda kanë bërë që dy të rinjtë të përfundojnë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ndërsa Policia nisi hetimet për gjetjen dhe arrestimin e personave që i dhunuan. Pikërisht ky episod është kthyer dje në debat mes aktivistit të LSI-së, Gjon Gjonit dhe kandidatit të PD-së, Mhill Fufi. Sipas dëshmitarëve okularë, pak minuta para se të ndodhte vrasja, Gjoni ka akuzuar Fufin për rrahjen e dy shoqëruesve të Monika Kryemadhit.

Gjoni, emigrant në Greqi, u kthye për votime
Gjon Pjetër Gjoni ishte baba i dy fëmijëve në moshë madhore, një djali dhe një vajze. Veç tyre, ai ka lënë pas nënën dhe një motër, e cila është e martuar me Enver Currin, që ka qenë i pranishëm në vendngjarje. Shtëpia e prindërve ndodhet pranë shkollës së Mesme “At Shtjefën Gjeçovi”, ku edhe mbeti i vrarë, por prej vitesh jetonte si emigrant i ligjshëm në Greqi. Ai ishte kthyer në Laç para tri javësh dhe që atëherë ishte angazhuar intensivisht me aktivitetet e LSI-së në këtë qytet. Pas lajmit tragjik, e shoqja dhe fëmijët janë nisur menjëherë drejt Laçit, por për shkak të distancës së largët varrimi u shty për sot.

Pas vrasjes, panik dhe bojkot i votës
Laçi nën terror, votuesit braktisin KZAZ e përgjakur
Kaos dhe terror në Laç. Pas vrasjes së Gjon Gjonit dhe plagosjes së dyfishtë të kushërinjve Fufi, qytetarët e Laçit u përfshinë nga paniku. Për disa orë thuajse askush nuk doli nga shtëpia, ndërsa ata që krimi i gjeti në rrugë, nxituan që të futen brenda banesave. Qyteti u tejmbush me forca të shumta policie, që rrethuan skenën e krimit. Heshtjen e thyenin vetëm dy makina që mbanin parulla elektorale, duke i rënë rreth e rrotull qytetit. KZAZ-ja pranë së cilës ndodhi ngjarja, e cila është dhe qendër votimi pezulloi përkohësisht procesin. Edhe kur e rihapi, qytetarët ngurruan që të shkonin. Komisionerët mbetën vetëm me njëri-tjetrin deri vonë pasdreke, ndërsa në dy orët e fundit para se të mbyllej votimi, pati tek-tuk ndonjë votues. Sakaq, bizneset përreth vendngjarjes pezulluan aktivitetin. Shumica e pronarëve dhe punonjësve të këtyre bizneseve kanë dëgjuar dhe kanë parë se si ka ndodhur krimi, por asnjë prej tyre nuk guxon që të tregojë. As për Policinë, as për Prokurorinë dhe as për median. Edhe për ato pak dëshmi që kanë dhënë përmes copëza deklarimesh, kanë kërkuar anonimat të plotë, duke theksuar se ndihen të pasigurt për jetën. Sepse sipas tyre, disa nga personat e përfshirë në këtë konflikt me armë janë me precedentë penalë.     

Meta: Paralajmëruam Policinë, mbrojti kriminelët

Berisha: Ata që e dinin për krimin, duhej ta parandalonin
Përplasje deklaratash politike për vrasjen dhe plagosjen e dyfishtë
Ilir Meta ka reaguar pas ngjarjes tragjike të Laçit, ku mbeti i vrarë aktivisti i LSI-së, Gjon Gjoni, por edhe akuzoi policinë që nuk kishte parandaluar krimin. “Dje, në mesnatë, kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam vizituar disa aktivistë dhe komisionerë të LSI-së, që janë sulmuar me armë dhe me mjete të forta nga banditë të PD-së në zonën e Laçit. Po dje kam takuar drejtorin e Policisë së Lezhës dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë,  Hysni Burgaj, ku i kam njohur me këto zhvillime dramatike si pjesë e një skenari të dhunshëm dhe i kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet, por të marrë masa për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme për sot… Ne kemi fakte që zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është në funksion të manipulimit të zgjedhjeve dhe të mbrojtjes së kriminelëve dhe banditëve të PD-së, që dalin me armë këtu, gjakosën dhe vranë një qytetar të pafajshëm para kësaj KZAZ-je”, tha Meta që nga Laçi. “Kjo histori ka përfunduar, Sali Berisha nuk është më Kryeministri i Shqipërisë, ai nuk ikën dot nga pushteti pa gjak”, shtoi kreu i LSI-së. Pas këtyre deklaratave, ka ardhur përgjigjja e Kryeministrit Berisha: “I kërkoj Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të administrojë çdo deklaratë. Ata që e dinin se krimi do të ndodhte, duhet të binin gjithçka për ta parandaluar”, deklaroi Berisha, i cili u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimës Gjon Pjetër Gjoni, si dhe i uroi shërim të shpejtë kandidatit Mhill Fufi dhe kushëririt të tij, Kastriot Fufi Berisha. “Kërkoj nga organet e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme të hetojnë me përparësi këtë ngjarje, të nxjerrin të vërtetën për të gjitha rrethanat e ndodhjes së ngjarjes dhe përgjegjësinë”, shtoi Berisha. Para Berishës, PD-ja pati reaguar edhe me një deklaratë tjetër. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, dënoi aktin dhe sqaroi se kandidati për deputet, Mhill Fufi dhe i afërmi i tij, po bënin apel që të mos bliheshin vota. “Politikanët e nekropolitikës vrapuan të nxjerrin kapital politik me ngjarjen tragjike të Laçit, një akt i pastër terrorist ndaj kandidatit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Politikanët e nekropolitikës harruan të shprehin ngushëllime publike për familjen e viktimës dhe të përmendin plagosjen e kandidatit të PD dhe të afërmit të tij nga persona, mbështetës dhe përkrahës të PS dhe aleatëve të saj, disa prej të cilëve shkuan nga Tirana për motive të paqarta. Këta persona, thirrjes së kandidatit tonë largohuni dhe mos ndani lekë këtu, i janë përgjigjur me armë, duke plagosur kandidatin e PD dhe të afërmin e tij, Kastriot Fufi”, deklaroi Vorpsi.

Rama: Policia, jo palë me krimin
Rreth tri orë pas vrasjes së Gjon Gjonit, Rama mbërriti në Laç, ku akuzoi Policinë e këtij qyteti se po bashkëpunon me krimin. “Policia e Shtetit nuk është në krye të detyrës, forcat kriminale me mbështetjen e Policisë kanë nisur një operacion për përhapjen e frikës dhe terrorit me armë. Por kërcënimet e kriminelëve nuk mund të ndalin popullin të votojë. Ne do garantojmë procesin, nuk ka forca kriminale që mund ta pengojnë popullin të vendosë, Policia të ndalë bashkëpunimin me krimin”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura