Përplasja/ Sulmi ndaj të rinjve para Enverit në 1961, si u përgjigj Kadare (Pjesa II)

Jul 6, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Shkrimtari i njohur Skifter Këlliçi në një shkrim “Poetët, “gju më gju” me diktatorin”, tregon për përplasjet mes shkrimtarëve shqiptarë, si lindi debati mes shkrimtarëve “të rinj” e “të vjetër” në vitin 1961 dhe vëmendja e diktatorit Enver Hoxha në këtë çështje. Në shkrimin e sotëm, ai flet për reagimin e Kadaresë mbi sulmet dhe përplasjet në mbledhjen e shkrimtarëve në vitin 1961.

ENVER HOXHA NE MBLEDHJEN E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE
ENVER HOXHA NE MBLEDHJEN E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE

vijon nga numri i kaluar (lexo këtu)

Fryma e re që disa poetë të rinj si Kadare, Agolli apo Arapi po tentonin të sillnin në letërsinë shqipe, kishte turbulluar jo pak poetët, që deri në atë kohë mendonin se mbanin flamurin e “traditës” dhe i kishin dhënë vetes të drejtën të gjykonin se çfarë ishte apo nuk ishte “e drejtë” në letërsinë e një vendi socialist.

Kishin filluar sulme e kundërsulme, shkrime e kundërshkrime në shtypin e kohës, një valë debati, që njihet si përplasja mes shkrimtarëve “të vjetër” e “të rinj”. Ishte viti 1961.

Në “llogoren” e të vjetërve ishin renditur Llazar Siliqi, Andre Varfi, Luan Qafëzezi, e nga ana tjetër Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Shori Qiriazi.

Shkrimtari Skifter Këlliçi sjell përmes këtij dosieri atmosferën e atyre viteve e, mbi të gjitha, mbledhjen e shkrimtarëve, ku merrte pjesë Ramiz Alia dhe në mënyrë të beftë do të dukej edhe vetë Enver Hoxha.

Pasi do të dëgjonte diskutimet e të dyja “palëve”, do të merrte fjalën diktatori, qëndrimi i të cilit do të sillte edhe më shumë pështjellime…

SULMI I POETEVE TE VJETER

Varfi, Siliqi, Qafëzezi

Si prolog i takimit ishte “Diskutim rreth vendimit të KQ të PPSH-së ‘Mbi letërsinë dhe artet'”,(7 qershor 1961), botuar në shtypin tonë. Në këtë diskutim, midis të tjerash shkruhej: “Trajtimi i heronjve pozitivë… shkrimtarët të rrojnë sa më afër me popullin..

Për këtë qëllim të përdoren sa më gjerë e me vend lejet krijuese, të shfrytëzohet koha e punës fizike… pjesëmarrja në ekipet me afat të gjatë, bashkëpunimi me organet e shtypit… është e domosdoshme të shumëfishohen përpjekjet e vetë shkrimtarëve dhe artistëve që të lidhem sa më ngushtë me popullin… të shkrihen me jetën e popullit”.

Këto ishin pak a shumë disa nga tezat kryesore që përmend Fatos Arapi në librin e tij me mjaft interes, “Kujtohem që jam” (faqe 63, 1997), të cilit do t’i referohemi disa herë gjatë këtij cikli.

Takimi i 11 korrikut të vitit 1961 u hap me referatin e Ramiz Alisë, sekretar i KQ të PPSH-së. Duke ritrajtuar tezat e më- sipërme, ai u ndal në dukuritë e reja që viheshin re në poezinë shqiptare. “Theksi i referatit, – nënvizon Fatos Arapi në librin e tij, – godiste më tepër të rinjtë”. (faqe 71).

Dhe kur pas këtij referati nisën diskutimet, të parët që e morën fjalën qenë përfaqësuesit më në zë të poetëve të vjetër, midis të cilëve edhe komunistë. Kishin marrë edhe më shumë zemër, sepse referati në fjalë u hapte shtigje të reja. Kurse për poetët e rinj krijohej një atmosferë e rëndë, aq më tepër kur në sallë ndodhej vetë Enver Hoxha dhe shumica e anëtarëve të Byrosë Politike të KQ.

Gjithnjë duke u mbështetur në veprën e Fatos Arapit, “Kur kujtohem që jam”, po paraqes disa fragmente nga diskutimet.

Andrea Varfi: “Të jesh artist i realizmit socialist dhe të ndjekësh në të njëjtën kohë novatorizmin për hir të novatorizmit, është krejt pa kuptim dhe punë e dështuar që në fillim… Cilësia dhe vetëm cilësia artistike të bën novator dhe origjinal dhe aspak akrobacitë dhe majmunizimet e të huajve. Futuristët, me shokë, deshën të varrosnin çdo gjë të trashëgimit kultural dhe artistik të së kaluarës. Edhe sot “izmat” e ndryshme që pjell borgjezia imperialiste në kalbëzim nuk lënë gur pa luajtur në këtë drejtim…”

Siç shihet, diskutimi mbarte nota shumë të ashpra dhe kuptohet mirëfilli se i drejtohej vetëm poetëve të rinj, që me prirjet e tyre, sipas Varfit, po vazhdonin madje edhe rrugën e futuristëve.

Llazar Siliqi: Unë jam i mendimit se ne e kemi një letërsi dhe art novator dhe nuk ka mbet puna që atë ta fillojmë me e krijue sot, pa mohue përpjekjet e matejshme që ne të gjithë duhet të bajmë për ta çue edhe ma përpara letërsinë dhe artin tonë novator… Karakteri novator kuptohet disa herë, nga njena anë si ndryshim, ose ma saktë si thyemje e formës dhe, nga ana tjetër, novatorizmi dhe fryma e kohës kontestohet atje ku ka fjalë të reja si ‘asfalt’, ‘najlon’ dhe tematikë ndërkombëtare. Mendoj se edhe kërkimi i tepruem i figurave dhe ngarkimi me figura, kur kjo shndërrohet në një kërkesë të domosdoshme për çdo varg, mund të çojë në rrugë jo të drejtë, si dhe mund ta bajë të vështirë kuptimin nga lexuesi”.

Por shumë më i ashpër qe në diskutimin e tij poeti Luan Qafëzezi, i cili, ndër të tjera, theksoi:

“Në vitet 1960-61, vargjet e lira filluan të duken përsëri në shtypin tonë të përditshëm dhe periodik, por këtë herë me një formë të re, më me pretendime, duke dashur të thyejnë të gjitha normat tradicionale të metrikës sonë, nën pretekstin e njëfarë ‘novatorizmi’… Përdorimi i vargjeve të lira nga disa poetë nuk duhet shikuar si një çështje thjeshtësisht formale, si një çështje teknike dhe pa rëndësi. Përkundrazi, kur përdoret pa kriter, duhet parë si fenomen negativ dhe, në qoftë se nuk frenohet me kohë, mund t’i sjellë dëme poezisë sonë. Edhe disa dëme ia ka sjellë që tani. Ne prapa këtij “modernizimi” shikojmë një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë. Thjesht, në këtë lloj poezie gjen mjegullime, paqartësira, përçartje dhe figura ekstravagante. Tema e saj kryesore është tema ndërkombëtare, shekulli i 20-të, kozmosi e të tjera, duke u larguar kështu nga jeta shqiptare e përditshme, nga problemet që preokupojnë Partinë në mënyrë direkte”. (F. Arapi, vepër e cituar, faqe 73-74-75).

Pa qenë nevoja të zgjatemi, shihet qartë se diskutimet e poet- ëve të mësipërm qenë tendencioze, madje edhe të veshura me njëfarë ligësie. Me një fjalë, ata mohonin tërësisht poezinë e kolegëve të tyre të rinj. Për më tepër, këtë e bënin para vetë Enver Hoxhës, të bindur që ai do t’u jepte plotësisht të drejtë.

Tani e kishin radhën poetët e rinj. Duhej jo vetëm të mbroheshin, por edhe të kundërsulmonin, sepse, në fakt, mbrojtja më e mirë në të tilla raste, është sulmi. Ishte e rrezikshme, por edhe e domosdoshme.

DHE KESHTU NDODHI…

Mbrohen dhe kundërsulmojnë Kadare, Arapi, mungon Agolli “Seanca e paradites mbaroi. Salla u boshatis dhe unë po rrija i vetëm dhe i dëshpëruar ende në karrige. Parandjeva rrezikun që u kërcënohej të rinjve. Andrea, Llazari, Luani kishin thënë aq, por ishte e natyrshme që nënteksti dhe çfarë lexohej midis radhëve të shkruara, ishte akoma shumë i rëndë”.

Kështu shkruan Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam” (faqe 75). Më tutje vazhdon:

“E mori dreqi këtë punë, – mallkova veten nëpër dhëmbë dhe u çova të dal jashtë. Në krye të sallës bisedonin midis tyre me zë të ulët Nexhmije Hoxha dhe Fiqrete Shehu… Atëherë Nexhmija më tha: “A do të diskutosh, Fatos?”. “Jo,- iu përgjigja i dëshpëruar”. “Pse? -pyeti Nexhmija. -Partia ka nevojë të dëgjojë fjalën tuaj” (kështu tha “tuaj”, që nënkuptonte: “Partia ka nevojë të dëgjojë fjalën e të rinjve”(faqe 76).

Më pas Arapi rrëfen se si u takua me Ismail Kadarenë dhe Dhori Qiriazin dhe se si, duke ngrënë drekë në një restorant të Tiranës, vendosën që dy të parët të diskutonin në seancën e pasdites së kësaj mbledhjeje, që ishte edhe seanca e fundit. Fatos Arapi kujton se Agolli nuk ishte në mbledhje. Flitej se kishte shkuar në Durrës. Megjithatë, siç do ta shohim, do të thoshte fjalën e tij në artikullin “Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, (Drita”, 27 gusht 1961).

Po rendis më poshtë disa fragmente nga diskutimet e poetëve në fjalë, që, ndonëse të rinj në moshë, ditën, jo vetëm të mbronin veten, por të hidhnin poshtë me argumente të matura dhe të zgjuara akuzat pa vend të poetëve të brezit të vjetër.

Ismail Kadare: “Problemi i ngritur kohët e fundit në diskutime dhe në faqet e gazetës ‘Drita’, në esencë të tij është problem fiktiv, i fryrë me qëllim nga disa njerëz. Bile, me sa duket, këta njerëz nuk e kanë hallin te vargjet e lira, por te poezia e disa poetëve të rinj, të cilën poezi nuk e pranojnë dhe duan ta hedhin poshtë në çdo mënyrë… Vargu i lirë lidhet patjetër te ne, nga disa, me emrin e modernizmit. Po sikur të ngriheshim e të thoshim, po të niseshim nga poezia formaliste, se vargjet më të rregullta kanë qenë të lidhura me monarkitë dhe kanë lulëzuar me tërë akademizmin e tyre, sidomos pranë oborreve mbretërore? Këto përfundime, kur nisesh nga formalizmi, të çojnë në qorrsokak… Unë mendoj se në kohën tonë nuk është bërë te ne asnjë shpikje forme. Te ne përmbajtja e re ka sjellë gjetjen e disa mënyrave të reja shprehjeje, disa herë me sukses e disa herë pa sukses. Asgjë tragjike nuk ka ndodhur, asnjë traditë s’është mohuar, asnjë klasik s’është përbuzur. Në qoftë se arti është i vërtetë, ai do të ketë patjetër të renë, novatoren. Novatorja mund të jetë edhe brenda strofave të rregullta, ashtu siç mund të jetë konservatorja në mes të vargjeve të lira”. (Revista “Nëntori”, 11, 1961).

Fatos Arapi në diskutimin e tij, siç do të shohim, shkoi edhe më tutje, duke zbuluar se te poetët e vjetër fshihej synimi që t’i zhvendosnin poetët e rinj gati në opozitë:

Shpeshherë, – tha ai, – na qortojnë se gjoja jemi mosmirënjohës, nënçmojmë gjithçka që është krijuar te ne dhe në mënyrë të veçantë, gjithçka që është krijuar te ne pas Çlirimit e këndej. Akuza, siç shihet, është e rëndë. Ta themi hapur, ajo i nxjerr poetët e rinj në pozita antimarksiste. Në qoftë se dikush ka bërë traditë të tij “personale” të shkruajë vjersha të dobëta, dhe këtë traditë kërkon të na e shesë si traditë kombëtare, këtë ne nuk e pranojmë kurrë. Tjetër punë pastaj në qoftë se mendon që respekti kundrejt tij tregohet duke shkruar vjersha edhe më të dobëta… Por mua më duket se problemi i vargut të lirë nuk ngrihet drejt… Lihet përshtypja sikur është ky varg i lirë që i ndan tradicionalistët nga jotradicionalistët, klasikët nga joklasikët, të ashtuquajturit modernë… Nuk e ka fajin vargu. Dhe në qoftë se dikush, duke bërë poezi të këqija ka diskretituar veten e tij, ai nuk ka diskredituar tetërrokëshin tonë të mrekullueshëm. Ky poet duhet të kuptojë se vargu i thyer nuk i ka rrëmbyer atij lavdinë poetike që s’e ka pasur… Shyqyr që na doli vargu i lirë, sepse disa kështu kanë rreth kujt të bëjnë zhurmë dhe të tregojnë se ekzistojnë, janë gjallë…” (Revista “Nëntori”, 11, 1961)

Është e kuptueshme se pas këtyre dy diskutimeve që dukeshin se ishin vazhdimi logjik i njëri-tjetrit, me argumente të qarta, ku mbrohej ajo që ishte për t’u mbrojtur, tradita, fjalë me të cilën poetët e vjetër kishin spekuluar në diskutimet e tyre, duke u rrekur t’i vinin poetët e rinj në bankën e të akuzuarve, u krijua një mjedis i tendosur.

Për më tepër, kur në presidium ndodhej vetë Enver Hoxha dhe referatmbajtësi Ramiz Alia, për të mos përmendur, siç thamë, dhe anëtarë të tjerë të Byrosë Politike.

Ishte hera e parë që në një takim letrar të bëheshin diskutime krejtësisht të kundërta me njëri-tjetrin, që dëshmonin se problemet ishin shumë të mprehta. Mund ta kishte marrë fjalën Ramiz Alia për të bërë konkluzionet. Por kjo, ashtu, siç kishin rrjedhur ngjarjet, u bë e vështirë për të, aq më tepër që Ismail Kadareja dhe Fatos Arapi me diskutimet e tyre, në një mënyrë a në një tjetër, i ishin kundërvënë edhe vetë shefit të ideologjisë në Komitetin Qendror.

Ja përse në fund të takimit u ngrit vetë Enver Hoxha. Me këtë veprim ai dëshmoi se nuk kishte ardhur në këtë takim thjesht për të përshëndetur, por për të gjetur një rrugë të mesme paqtuese. Shkurt, siç e kemi përmendur, për t’u bërë gjykatës midis poet- ëve të vjetër e poetëve të rinj.

FLET DIKTATORI HOXHA

“Nuk është problem çështja ‘të rinj’ dhe ‘të vjetër'”

Kjo është një nga shprehjet ku e vuri menjëherë theksin Enver Hoxha, që atë ditë, e përsëris, ishte veshur me një kostum të bardhë, si të dëshmonte se kërkonte të vendoste mirëkuptim në këtë mjedis që po bëhej i ndezur.

Dhe kështu ishte. Që ai të kishte lexuar referatin e Ramiz Alisë, mbajtur në këtë takim, ku do të diskutohej vendimi i KQ të PPSH-së “Mbi letërsinë dhe artet”,(7 qershor 1961) dhe ta kishte aprovuar atë, as që vihet në dyshim. Pra, që ai të kishte miratuar, gjithashtu, edhe kritikat që Ramiz Alia do t’u drejtonte poetëve te rinj, edhe kjo nuk vihet në dyshim.

Si pasojë, ai edhe mund të mos kishte ardhur në këtë mbledhje. Por ja, pra, që erdhi, se kështu e pa të arsyeshme, pikërisht disa çaste para fillimit të takimit, kur askush nuk e priste.

“Shoku Andrea Varfi, – nisi të fliste pa letër Enver Hoxha, – kur zuri të diskutonte theksoi se atij i pëlqen tetërrokëshi. Edhe mua më pëlqen tetërrokëshi, edhe dhjetërrokëshi. Dhe kur dëgjova diskutimin e shokut Andrea, i thashë në pushim se unë jam dakord me pikëpamjen e tij. Atëherë Andrea iu kthye shokëve dhe u tha me shaka:

“Flisni tani, po të doni”. Por në fakt u gabua. Dhe e vërteta është se dolën shokë e folën, diskutuan, dhe mbrojtën me zjarr pikëpamje të kundërta… Të them të drejtën, veç për një gjë nuk më erdhi mirë, që doli sikur çështja shtrohet “të vjetër” e “të rinj”.

Të rinjtë, me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre, bëjnë mirë që na shkundin ne, të vjetërve. Prandaj, unë nuk besoj kurrë që shkrimtarët e artistët e vjetër duan të pengojnë krijimtarinë e më të rinjve, veçse ata, duke pasur kaluar më parë nëpër këto shtigje, kanë frikë se mos nga hovi i madh, ju shkisni nga rruga… Por unë jam i bindur se ju, shokë të rinj… nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabuar…. Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar, p.sh, atë që ai ia ka kushtuar Kalasë së Gjirokastrës (“Princeshës Argjiro”), dhe mua më ka pëlqyer. Kam lexuar edhe vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshtypjen se ai është një i ri me talent.

Mendimi im personal është se gjersa vjershat tuaja të kenë përmbajtje marksiste, me të vërtetë patriotike, mobilizuese, edukative dhe formë të bukur, tërheqëse, të qartë, ato s’kanë se pse të mos pëlqehen… Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli, ai varg është i mirë”. (Revista “Nëntori”, 11, 1961).

Me fjalë të tjera, Enver Hoxha, duke u vënë përballë poetëve të rinj dhe poetëve të vjetër, u jepte të drejtë të dyja palëve. Pra, nga një anë këshillonte të vjetrit të mos sulmonin të rinjtë, por, nga ana tjetër, u vinte njëfarë kushti këtyre të fundit që, nëse poezia e tyre do të pëlqehej nga lexuesi, të cilin ai e quante populli, ajo poezi ishte e vlefshme.

“Në këtë mënyrë ai kërkonte ‘unitet'”, vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”.

Të mos harrojmë, jemi në korrik të viti 1961, kur nëntë muaj më parë ishte zhvilluar Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste, në të cilën Enver Hoxha kishte dalë kundër vijës politike të revizionistëve sovjetikë dhe disa muaj më pas, në tetor të atij viti, kur kundërshtitë ideologjike midis partive komuniste të të dyja vendeve do të bëheshin të njohura botërisht nga vetë Hrushovi në Kongresin e 22-të të PK të Bashkimit Sovjetik.

“Në njëfarë kuptimi, – vazhdon Fatos Arapi, – fjala e Enver Hoxhës linte në hije raportin e Ramiz Alisë, i cili ishte disi i ashpër me të rinjtë. I papritur duhet të ketë qenë qëndrimi i tij për drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve. Dhimitër Shuteriqi nuk diskutoi fare. Në fund të mbledhjes ai dukej në presidium shumë i lodhur dhe i shqetësuar. Më vonë, nga gojë të këqija u tha se ai kishte ardhur në mbledhje me dy referate në xhep. Do të mbante atë nga ana e të cilit anonte peshorja”. (Faqe 82).

Lind vetvetiu pyetja: Përse Enver Hoxha mbajti një qëndrim të tillë, pra, përse ua dha dorën të rinjve?

Logjikisht, duke miratuar referatin e Ramiz Alisë, do të mjaftonte që në fund të takimit të theksonte se poetët e rinj duhet të kenë parasysh këshillat e poetëve të vjetër, që të mos thellojnë gabimet e tyre, që po i shpien drejt një krijimtarie poetike të mbarsur me ndikime moderniste, ashtu siç vunë në dukje Andrea Varfi, Llazar Siliqi e Luan Qafzezi… e kuptohet që poetëve të rinj do t’u mbyllej rruga për një kohë të gjatë.

Dhe, duke marrë parasysh se ç’ndodhi disa vite më pas kur nisi i ashtuquajturi revolucionarizim i jetës së vendit, me qarkullimin e kuadrit dhe të shkrimtarëve e artistëve për të njohur nga afër jetën e vendit dhe më 1973-shin pas Plenumit të 4-t të KQ të PPSH-së, kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste, që kam përmendur më sipër, është e kuptueshme se nuk dihet se kur ne do të kishim pasur në dorë ato vepra aq të njohura të Ismail Kadaresë, Fatos Arapit e shumë e shumë poetëve të tjerë, që u shfaqën më pas në letërsinë tonë.

Enver Hoxha në këtë takim përkrahu poetët e rinj, kryesisht se ai e shihte se ata ishin shumë më të talentuar se poetët e vjetër. Kjo nuk ishte shumë e vështirë për t’u kuptuar, aq më tepër nga ai vetë. Vërtet kishte shkuar për studime në Francë, ku nuk kishte mundur të jepte asnjë provim, por të mos harrojmë se kishte mbaruar Liceun Francez të Korçës, ku ishte njohur jo vetëm me krijimtarinë e poetëve më të mirë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, por, mbi të gjitha, me letërsinë dhe poezinë franceze dhe europiane.

Si pasojë, nuk e kishte të vështirë të dallonte se ç’ndryshim të madh artistik kishin krijimet e poetëve të vjetër me krijimet e poetëve të rinj, qoftë edhe nga ata pak shembuj që janë përmendur më sipër.

Ai kishte nevojë për talentin e të rinjve, paçka se të shprehur në mënyrë moderniste. Ata do t’i duheshin atij që të thurnin vargje për Partinë, vepra që do të mbeteshin, pikërisht falë talentit të tyre.

Dhe, në fakt, kështu ndodhi. Poetët tanë të rinj, krahas poezive lirike intime dhe erotike, do të detyroheshin të shkruanin edhe vepra ku t’i këndohej “rrugës heroike të Partisë sonë të lavdishme për ndërtimin e socializmi, luftës së saj madhështore dhe të guximshme kundër revizionizmit modern, për ruajtjen e fitoreve të popullit tonë, të arritura nën drejtimin e saj dhe, mbi të gjitha, të atij vetë, si krijuesi i kësaj partie, i këtyre fitoreve”.

Nuk gabonte: ishin më pas poemat “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, të Kadaresë, “Devoll, Devoll!”, “Baballarët”, të Dritëro Agollit, “I përkasim komunizmit”, të Fatos Arapit, ndonëse në të nuk përmendet gjëkundi fjala “parti”, e më pas poetëve të tjerë të rinj që iu kushtuan Partisë dhe atij vetë, të cilat edhe sot mbeten në historinë e letërsisë shqipe si ndër më të mirat, pavarësisht nga fryma politike së cilës poetët e mësipërm nuk mund t’i shmangeshin kurrsesi. Këta poetë ishin të detyruar, në një mënyrë a në një tjetër, ta paguanin këtë haraç. Jo më kot në librin e tij “Alternativa letrare shqiptare” poeti dhe kritiku i njohur kosovar, Agim Vinca, shkruan kështu rreth kësaj çështjeje:

“Këtë përkrahje ndaj shkrimtarëve të rinj Kadareja e shpjegon si një manovër për t’i përvetësuar ata (poetët e rinj, shënimi im- S.K.), si një karrem që u hidhej atyre në mënyrë që prej talentit të tyre të përfitonte pastaj regjimi dhe vetë diktatori. Pavarësisht nga paraqitja, sipas Kadaresë, djallëzore që kishte, këtë qëndrim të shefit të Partisë dhe të shtetit, sikurse edhe me klimën liberale që u krijua në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60,… shkrimtarët shqiptarë e shfrytëzuan për t’ia ndërruar dukshëm fizionominë deri atëherë tejet uniforme letërsisë shqipe dhe veçanërisht krijimtarisë poetike”.(Vepër e cituar, faqe 71).

SKIFTER KËLLIÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura