Përplasja në Elbasan/ Përgjimet që nuk u autorizuan kurrë për Bekteshin

Oct 8, 2017 | 16:55
SHPËRNDAJE

Emri i Enea Bekteshit, si një nga personat që ishte brenda makinës së blinduar “Audi” e cila goditi atë të Policisë më 18 shtator, figuron në shkresën që Prokuroria i kërkonte Policisë ta vinte në përgjim si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale në qytetin e Elbasanit.

enea bekteshi

Ka dyshime se ai mund të jetë i përfshirë në sulmin me antitank ndaj lokalit të familjes Çapja disa kohë më parë dhe që është mbajtur e fshehtë nga ana e Policisë. Bekteshi dyshohet se ka qenë i përfshirë, si në vjedhjen e mjetit “BMW” në Durrës, me të cilin u krye sulmi, ashtu edhe në disa ngjarje të tjera kriminale. Ai automjet u gjet i djegur pranë Spitalit Psikiatrik “Sadik Diçi”, 500 metra larg vendit të ngjarjes.

Megjithatë, ende nuk ka një akuzë zyrtare ndaj tij për këtë ngjarje dhe se përgjimet telefonike të kërkuara nuk u kryen asnjëherë.

DESHMIA

Enea Bekteshi, 32- vjeçari i arrestuar si drejtuesi i “Audit” të blinduar që goditi makinën e zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit, tha dje në Gjykatë se uniformat blu tentuan ta vrisnin gjatë incidentit.

Bekteshi, që u arrestua nga Policia në Cërrik më 4 tetor, dy javë pas incidentit, pranoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda se ishte ai drejtuesi i “Audit” të blinduar, nën pronësi të biznesmenit Petrit Çela. Përkundër akuzave që hodhi nga kafazi i hekurt në sallën e gjyqit, trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dhe kunatin e tij, Aleks Pupulekun, i cili e strehoi në shtëpinë e tij në Cërrik.

Pupuleku akuzohet tashmë nga Krimet e Rënda për “përkrahje të autorit të krimit”. Në seancën e së shtunës, Bekteshi pranoi se kishte marrë pa leje automjetin nën pronësi të Petrit Çelës. Ai tha se nuk i njohu efektivët e Policisë dhe u tremb nga të shtënat e tyre. Sipas tij, nga të shtënat mund të kishte humbur edhe jetën nëse mjeti nuk do të kish qenë i blinduar, duke akuzuar uniformat blu për tentativë vrasjeje.

DËSHMIA NË GJYQ

“Unë isha drejtuesi i automjetit ‘Audi’, të cilin ia kisha marrë pa leje pronarit të saj, Petrit Çelës. Nuk kam pasur kurrë si qëllim të godisja Policinë. Kam dashur vetëm të hyj në mjediset e tregut, por makina e Policisë ishte pa fenelina dhe pa targa.

Tentova të shmangesha dhe u përplasa me të aksidentalisht. Kam qenë i dehur dhe prej vitesh jam përdorues i lëndëve narkotike. Pasi u përplasa me “Fordin” e Policisë, u tremba dhe tentova të hyja në treg, por më qëlluan. Policia mund të më kishte vrarë dhe sot s’do të isha gjallë. Shpëtova nga mjeti i blinduar. Do të kisha ndaluar po të më jepte ndonjë shenjë Policia. Nuk kam pasur synim të vrisja ndonjë polic.

As nuk më ka shkuar në mendje kjo gjë”. Kjo ka qenë dëshmia e 32-vjeçarit Bektheshi para trupit gjykues ditën e djeshme në seancën për masën e sigurisë. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe avokati i tij, Genc Gjokutaj. Ai tha se klienti i tij nuk mund të akuzohet për “tentativë vrasjeje ndaj punonjësve të Policisë, pasi efektivët ishin pa uniforma dhe kanë qëlluar ndaj tij pa asnjë paralajmërim katër herë. Ai shtoi se përplasja me makinën e Gjergji Oshafit ka qenë krejt aksidentale dhe ai ka tentuar të largohet pasi ka pasur frikë mos arrestohej për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

SHENJAT E GISHTAVE

Prokuroria ka analizuar me imtësi automjetin tip “Audi” të blinduar që goditi mjetin e zv.drejtorit të Elbasanit, Gjergji Oshafit. Në automjet nuk janë gjetur shenja të gishtave të Bekteshit në timon, apo në pjesën ku qëndron drejtuesi i mjetit. Shenjat e gishtave të Bekteshit janë gjetur vetëm në derën e pasagjerit, duke krijuar në njëfarë mënyrë një konfuzion lidhur me ngjarjen.

Sipas prokurorit të çështjes, Enea Bekteshi, Suel Çela (djali i biznesmenit Petrit Çela), Klemend Xhaferri dhe Ledio Zabeli, para se të ndodhte incidenti kanë qenë në Rinas, duke përcjellë të afërmit e Çelës për në aeroport. Incidenti ka ndodhur në kthim, ku fillimisht është ndaluar mjeti tip “Range Rover”, që drejtohej nga Xhaferri dhe në të ndodhej si pasagjer Ledio Zabeli, ky i fundit i lënë në burg nga Apeli i Krimeve të Rënda.

NGJARJA

Sipas Prokurorisë, ngjarja e 18 shtatorit ka ndodhur rreth orës 20:00, në lagjen “Syrja Dylgjeri’, para tregut agroushqimor. Gjergji Oshafi, fillimisht ka ndaluar mjetin tip “Range Rover” ku ndodheshin Zabeli me Xhaferrin, të cilët nuk ndaluan në shenjën e parë të dhënë nga Policia. Zabeli dhe Xhaferri kundërshtuan forcat e rendit, teksa u kërkohej që të dorë- zonin një radio policie që dyshohej se ata mbanin në mjet.

Në momentin që u ra dakord për shoqërimin e Zabelit dhe Xhaferrit është shfaqur mjeti tip “Audi”. Nga pamjet e kamerave të sigurisë së tregut agro-ushqimor shquhet mjeti tip “Audi” që tenton të kalojë pas mjetit të Policisë, dhe ky i fundit që i pret rrugën me indietro. Aty ndodh edhe kontakti dhe të shtënat me armë, që u pasuan me largimin e “Audit” drejt tregut dhe me mbylljen e derës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura