Përplasja në Bashkinë e Vlorës, këshilltarët i përgjigjen Dritan Lelit: Nuk do pranojmë takime online, duhet të japësh llogari për…

Jun 22, 2021 | 11:24
SHPËRNDAJE

Pas disa ditësh përplasje, edhe këtë të martë ka dështuar mbledhja e posaçme e Këshillit Bashkiak të Vlorës në ambientet e Teatrit “Petro Marko”.

Kryebashkiaku Dritan Leli ka refuzuar sërish që të zhvillojë mbledhje fizike. Madje me një shkresë më herët, ai u ka bërë të ditur këshilltarëve që edhe mbledhja e rradhës ditën e enjte do të zhvillohet po online.

Përpara Teatrit “Petro Marko”, në emër të këshilltarëve të Bashkisë është shprehur anëtari i bashkisë njëkohësisht dhe deputeti i zgjedhur i PS-së, Ilir Metaj.

Ai bën me dije se nuk do të pranohet prej këshillit, asnjë mbledhje e zhvilluar online apo në çfarëdo forme tjetër në distancë. Gjithashtu, Ilir Metaj deklaroi se nëse Leli dakordësohet për të vijuar mbledhjet fizikisht, ai duhet të japë llogari për mungesën e tij gjatë mbledhjeve të thirrura më herët.

“Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës u paraqitën sot 22 qershor pranë ambienteve të teatrit ‘Petro Marko’ për të zhvilluar mbledhjen e posaçme të këtij këshilli. E drejta për të zhvilluar këtë mbledhje sanksionohet me ligj. Por me gjithë pritshmërinë tonë për reflektim u nëpërkëmb dhe njëherë nga kryebashkiaku Dritan Leli i cili zgjedh dhe njëherë të tregohet refraktar ndaj ligjit, moralit politik dhe ndaj nesh si aëtarë të Këshillit Bashkiak të zgjedhur nga i njëjti komunitet sikurse ai vetë. Kryebashkiaku zgjedh të dalë mbi ligjin dhe rregullat e demokracisë së përfaqësuar.

I kujtojmë zotit Leli se ai nuk ka ardhur në krye të bashkisë si kandidat i pavarur dhe si pjesë e shoqërisë civile. Ai ka ardhur si pjesë e Partisë Socialiste dhe e mbart këtë barrë morale dhe politike. Ai e di se ne i njohim protokollet dhe ne i respektojmë ato. Leli refuzon të ballafaqohet me këshilltarët. Leli e di mirë se të flasësh për koshat e plehrave që i mungojnë qytetit do të thotë të flasësh për mungesë qytetarie. Kjo duhet të jetë nga mungesat e fundit të listës së gjatë që bashkia e Vlorës ka. Leli kërkon të mbrohet pas ekranit të kompjuterit, por kjo mbetet mburojë virtuale. Nuk pranojmë asnjë komunikim në distancë, çdo mbledhje fizikisht do ketë kërkesat për llogaridhënie të Lelit për punët e bashkisë, do të marrim audit të jashtëm për dhënien e lejeve nga Bashkia e Vlorës. Ne për t’i dhënë seriozitet pikave të rendit të ditë është prania fizike e sallës së mbledhjes” – tha Metaj.

Ndërkohë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Bashkiak Agron Gjipali ka folur këtë të enjte përpara teatrit ku ka lexuar letrën që i ka dërguar zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli lidhur me këto mbledhje. Në përgjigjen e saj thuhet se aktualisht në Vlorë situata epidemiologjike është e qëndrueshme dhe COVID nuk mund të cënojë mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Ndërkohë sipas planifikimit të kryebashkiakut Dritan Leli për të zhvilluar mbledhjen online, ky i fundit lexon përgjigjen që i ka dërguar kryetares së Këshillit Bashkiak, Migena Balla lidhur me këtë ccështje. Ai thotë se e gjithë situata është keqkuptuar dhe se zhvillimi i mbledhjeve online nuk ka për qëllim të pengojë asnjë proces. Ai sërish qëndron me vendimin për zhvillimin e takimeve online derisa të jenë në fuqi masat antiCOVID.

“Administrata dhe kryebashkiaku Leli vlerëson me përgjegjësi maksimale ushtrimin e funksioneve dhe me po këtë ndjenjë vlerëson rolin e Këshillit Bashkiak, nisur nga ky vlerësim, deklarojmë se është keqkuptuar se administrata e Bashkisë e ka penguar qëllimisht mbajtjen e mbledhjes, sa i përket pretendimit të disa këshilltarëve për tejkalim të kompetencave nga ana e kryetari të Bashkisë, është i pabazuar se administrata nuk ka pasur asnjë pretendim për datën, kjo për faktin se kryetari i Bashkisë dhe administrata ishin të gatshëm në platformën Zoom për mbledhjen, siç është dhe sot.

Për korrektesë nga ana e administratës është vënë një informacion mbi problematikat, në rastin konkret nuk ka qenë qëllimi i Bashkisë që të pengojë këshilltarët të hyjnë në ambientet e Teatrit “Petro Marko”, pasi nuk ka diskutim që këshilltarët janë pjesë e Bashkisë dhe godina është ambient publik. Ka një keqkuptim nga ana juaj ku i referoheni nenit 9 të ligjit të 2015 për vetëqeverisjen vendore, pasi nuk ka të bëjë me tjetërsim për pronën. Mbledhja jashtë radhe në sallën “Petro Marko”, nuk mund të zhvillohet se masat janë akoma në fuqi. Zhvillimi i mbledhjeve në ambiente të mbyllura do të ndryshojë pas datës 01.07.2021. Administrata e Bashkisë do të jetë në dispozicion. Do kërkojë mirëkuptimin që t’i kursenin një shfaqje e panevojshme qytetarëve në mesin e zhvillimit të sezonit turistik, iu kam shpjeguar se zhvillimi i mbledhjes është i pamundur pasi janë në fuqi masat anti-COVID” – tha Leli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura