Përplasja me ish-drejtorin e Policisë në gjyq, Shullazi: Kaq di ti, mbarove punë?

Oct 19, 2017 | 11:52
SHPËRNDAJE

Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, u përball ditën e djeshme te Krimet e Rënda me Emiljano Shullazin për çështjen e Mynyr Konit.

Emiljano Shullazi
Emiljano Shullazi

Ai ishte thirrur në seancë si dëshmitar i kërcënimit të ish-kandidatit për rektor dhe tha se emrin e të pandehurit e kishte dëgjuar nga rektori i atëhershëm, Dhori Kule. Ai madje u përplas edhe me Shullazin në seancën e gjyqit.

Ky i fundit i kërkoi llogari ish-drejtorit se përse nuk bëri ballafaqim kur Koni ishte në Polici për kallëzimin. Po në atë ditë, në Polici u shoqërua edhe Shullazi. I pandehuri u shfaq i tensionuar ndaj ish-drejtorit të Policisë së Tiranës. Veç tij, në gjyq dëshmuan edhe Mynyr Koni, Dhori Kule e Lindita Nikolla.

DËSHMIA E HODAJT

Prokurori: Çfarë detyre keni mbajtur në prill të vitit 2016 dhe si u njohët me kërcënimin e zotit Koni?

Ervin Hodaj: Kam mbajtur postin e drejtorit të Policisë së Tiranës. Ka qenë një telefonatë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ku më tha ta takoja. Mbaj mend që jemi takuar diku afër godinës së Gjykatës së Lartë. Ishte edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Prokurori: Për çfarë biseduat konkretisht?

Ervin Hodaj: Biseduam për një kanosje të mundshmen ndaj kandidatit të atëhershëm për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Këtë të fundit e mësova nga rektori i atëhershëm, Dhori Kule.

Prokurori: Çfarë detajesh ju dha zoti Kule lidhur me ngjarjen? Çfarë mësuat më shumë?

Ervin Hodaj: Sipas bisedës që kreva me Kulen, dikush ishte paraqitur si Emiljano Shullazi para zotit Koni dhe e kishte kërcënuar që të hiqte dorë nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës. Menjëherë pas kësaj, jam ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë që të kontaktoja me zotin Koni. Kam takuar kancelarin e UTsë dhe më pas kam shkuar të takojë Konin. Më pas jemi mbledhur të gjithë në mjediset e Gardës, ku në atë kohë ishte zhvendosur Ministria e Brendshme. Jemi takuar me Konin, Kulen, Nikollën, Çakon etj. Pas atij takimi, Koni bëri edhe kallëzimin në Polici.

Prokurori: Po zoti Koni, çfarë ju tha për kërcënimin?

Ervin Hodaj: Ai ishte shumë i tronditur nga ngjarja. Ishte shumë i shqetësuar dhe nuk arrita të marr shumë detaje.

Avokati: Me gjithë këto vrasje e ngjarje, çfarë kishte ndodhur që ishit shqetësuar ju aq shumë?

Ervin Hodaj: Nuk isha unë i shqetësuar, ishte zoti Koni…

Gjyqtari: Zoti dëshmitar, se nuk ka ndonjë gjë të shqetësohesh…

Ervin Hodaj: Nuk isha unë, por Koni i shqetësuar. Takimet që zhvilluam ishin të nivelit të lartë dhe e pashë të arsyeshme që ta takoja personalisht zotin Koni.

Emiljano Shullazi: Dëshmitari, në Prokurori ka thënë se emrin tim e dëgjoi për herë të parë te takimi te Garda, tani thotë që e ka marrë vesh nga Kule, a ka mundësi ta ndajë pak…? E

rvin Hodaj: E kam dëgjuar emrin edhe në radion e Policisë.

Emiljano Shullazi: A jam shoqëruar edhe unë në të njëjtën ditë që ka dhënë Koni kallëzimin?

Ervin Hodaj: Me sa di unë, po.

Emiljano Shullazi: Po pse nuk u bë ndonjë ballafaqim, pra?!

Ervin Hodaj: Janë disa procedura që…

Emiljano Shullazi: E mirë vazhdo pra… Çfarë po thotë ky tani?! Ky vetëm më shoqëroi mua dhe kaq di ky! Mbaroi punë ky! Si qenka kjo punë?! Hajde përmend një emër dhe fute në burg?!

Ervin Hodaj: Kështu janë procedurat. Unë aq kisha për detyrë të bëja, pjesën tjetër e bëjnë efektivët që marrin kallëzimin.

Erald Deliu/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura