Përplasja me armë në Elbasan/ Dy shtetas përfundojnë në pranga dhe një tjetër është në kërkim, akuzohen për…

Nov 26, 2020 | 10:42
SHPËRNDAJE

Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë lidhur me përplasjen me armë që tronditi mesditën e djeshme Elbasanin.

I arrestuar është një 21-vjeçar nga Librazhdi me inicialet E.C., që dyshohet të ketë kryer “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.

Ndërkaq po ashtu ka përfunduar në pranga shtetasi me inicialet F.F, i akuzuar për veprën “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, “blutë” po vijojnë punën për kapjen e autorit tjetër të dyshuar, shtetasit me inicialet M.Q.

Kujtojmë që dje në Spitalin e Traumës u arrestua Ervis Causholli, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat me armë. 28-vjeçari është një emër i njohur për Policinë për shkak të rekordeve të mëparshme kriminale, dhe njihej ndryshe me nofkën  “korçari”.

Ervis Çausholli
Ervis Çausholli

Njoftimi i Policisë

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, ku gjatë një konflikti të çastit mes dy drejtues automjetesh u përdorën dhe armë zjarri, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, vënia në pranga e njërit prej autorëve dhe shpallja në kërkim e një tjetër autori.

Si rezultat i veprimeve hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, nga specialistët për Hetimin e Krimit kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit:
F. F., 21 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

E. C., 21 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu, si rezultat i këtyre hetimeve është shpallur në kërkim policor, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” shtetasi A. C., 21 vjeç, banues në Elbasan. Vijon puna për kapjen e tij dhe për kapjen e autorit tjetër, shtetasi M. Q.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura