Përplasja e fortë me Kumbaron, artistët: Ministrja kërkon të vendosë edhe me kë do debatojë

Feb 11, 2018 | 14:23
SHPËRNDAJE

Sindikata e Artistëve i ka bërë një tjetër akuzë ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro lidhur me debatin e fundit për zhvendosjen e Teatrit dhe Ligjin e Kulturës.

Sipas kësaj sindikate, Top Channel i ftoi për të marrë pjesë në një debat me ministren në emisionin Top Shoë, por pasi ata propozuan një emër që do ti përfaqësonte, Kumbaro nuk e kishte pranuar.

mirela kumbaro

DEKLARATA E SINDIKATES

Më 10 shkurt 2018, moderatori i emisionit Top Shoë, z. Alban Dudushi, ftoi SASE-n t’i bashkohet debatit që do të zhvillohet të martën e ardhshme, në lidhje me zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe Projekt-ligjin për Artin dhe Kulturën, me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës.

SASE konfirmoi pjesëmarrjen në debat, me një përfaqësues, nga katër gjithsej që do të kishte paneli i artistëve dhe nuk vuri asnjë kusht për temat, pyetjet apo përbërjen e paneleve.

Por më pas, z. Dudushi na njoftoi se Kabineti i Ministres nuk e pranonte përfaqësuesin e SASE-s dhe kërkonte që ai të zëvendësohej me një tjetër. Meqenëse ky ishte kusht i panegociueshëm i Ministrisë së Kulturës, të cilin z. Dudushi e kishte pranuar, SASE vendosi ta bojkotojë debatin. Askush nuk do të flasë në emër të kësaj sindikate të martën e ardhshme.

Simboli i Sindikates se Artisteve
Simboli i Sindikates se Artisteve

Lidhur me këtë incident, SASE deklaron:

– Znj. Ministre e Kulturës nuk dëshiron debatin me artistët, por manipulimin e opinionit publik me debate false.

– Znj. Ministre e Kulturës duhet të kuptojë se ka perënduar koha kur vendoste Partia e Punës se kush duhej të fliste e çfarë të thoshte “në emër të masave”.

– SASE nuk është departament i Ministrisë së Kulturës dhe nuk është krijuar për të qenë “rrip transmisioni i Partisë”, por avokat i artistëve në çdo konflikt që ata kanë me shtetin.

– SASE i qëndron kërkesës së saj, të nënshkruar nga mbi 80 artistë dhe të mbështetur nga mijëra qytetarë, që po nënshkruajnë peticionin në Internet, për debat të hapur, në sallën e Teatrit Kombëtar, javën e ardhshme. Ne mirëpresim znj. Ministre në debat dhe e sigurojmë se nuk do të vemë asnjë kusht për panelin apo stafin që do ta shoqërojë atë.

Së fundi, pavarësisht mospjesëmarrjes sonë, shpresojmë dhe urojmë që debati në Top Shoë të bëhet dhe që pjesëmarrësit artistë të mbrojnë të denjësisht kërkesat e drejta të artistëve.

 

Kryesia e Përkohshme e SASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura