Përplasja e fortë me Dvoranin, Presidenca hedh sot shortin me gogla për zgjedhjen e KED-së re: Transparencë e plotë

Dec 5, 2019 | 9:56
SHPËRNDAJE
Shorti i KED i zhvilluar nje vit me pare ne Kuvend
Shorti i KED i zhvilluar nje vit me pare ne Kuvend

 

Institucioni i Presidentit bën të ditur se sot do të zhvillojë shortin për zgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pikërisht institucioni që është bërë mollë sherri muajt e fundit, për listimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Shorti do të hidhet në orën 12:00 dhe në këtë garë marrin pjesë gjyqtarë të Kushtetueses, anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatave Administrative, po ashtu dhe Prokurorë.

“Sot në ora 12:00 në Institucionin e Presidentit të Republikës hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Transmetim LIVE – TRANSPARENCË E PLOTË”, bën të ditur zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

Në total KED-ja përbëhet nga një trupë prej 9 anëtarësh, ndërkohë që për këtë organ të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë zgjidhen edhe 3 anëtarë zëvendësues.

KED ka si funksion që të bëj vlerësimin e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Prokurorëve etj.

Si rrallë më parë, Presidenti i Republikës është përplasur kësaj here më kreun e KED-së, Ardian Dvorani, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe ndaj të cilit ka bërë një padi penale në Prokurori.

Zanafilla e sherrit nisi pikërisht për mënyrën se si kreu i KED sipas Presidencës zbatoi ligjin dhe i dërgoi kreut të shtetit dy lista për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Kushtetueses në të njëjtën ditë, duke i hequr të drejtën të zbatojë afatet ligjore./ PANORAMA.al

Kushtetuta neni 149/d

1. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.

2. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme.
3. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik.

Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.

Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së shortit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura