Përplasja Çomo-Nishani, zbardhet procesverbali i KLD: Po justifikojmë paligjshmërinë

Jul 26, 2015 | 19:40
SHPËRNDAJE

Zbardhen debatet e forta të zhvilluara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e 10 korrikut 2015, që kishin në thelb mbetjen bosh të vendit të zëvendëskryetarit të KLD-së.

Sokol Çomo dhe Bujar Nishani
Sokol Çomo dhe Bujar Nishani

Mungesa e zëvendëskryetarit është evidentuar në momentin e përcaktimit të kryetarit të një komisioni tre anëtarësh, funksion që në kushte normale kryhet prej tij.

KLD publikoi dje procesverbalin e plotë të mbledhjes, ku pasqyrohen përplasja e anëtarit Sokol Çomo me anëtarë të tjerë, si dhe me Presidentin e Republikës, i cili ka shfrytëzuar debatin për t’i bërë thirrje Kuvendit të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

DEBATI NE KLD

Sokol Çomo: Neni 29 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” parashikon në mënyrë të qartë që komisionin për seleksionimin e kandidaturave duhet ta drejtojë zëvendëskryetari i Këshillit. Dëgjova nga zoti Mustafaj që komisioni ka vlerësuar që të zbatojë për këtë komision ligjin “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërorë dhe të enteve publike”…

Ilir Mustafaj: Tani, nuk besoj se është vendi këtu për të bërë interpretime. Ne në mbledhjen e kaluar vendosëm që është një situatë emergjente e krijuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për emërimin e magjistratëve dhe Këshilli i Lartë i Drejtë- sisë duhet të gjejë zgjidhjet për problemet që janë shumë të rëndësishme, siç është problemi që analizova përpara dhe menduam – propozim është në fund të fundit, gjithsecili mban qëndrimin e vet nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë – që funksionimin, për sa i përket kryetarit, e morëm në nenin 3 të ligjit “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore”.

Sokol Çomo: Atëherë dua të bëj komentin tim. Argumenti që është përdorur në relacion për të shmangur zbatimin e nenit 29 të Ligjit, “Për organizmin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, është haptazi i kundërligjshëm, për arsye se në të vetmet raste kur ky Këshill ka përdorur zbatimin dhe interpretimin e ligjit “Për organet kolegjiale të administratës shtetërore”, është vetë Këshilli i Lartë i Drejtë sisë. Nuk mundet që të konsiderohet organ kolegjial edhe KLD-ja, edhe komisionet që mund të ngrejë ky Këshill, edhe grupet e punës dhe çdo strukturë që mund të ngrejë ky Këshill me më shumë se një anëtar. Kështu që pretendimi për të shëruar paligjshmërinë me relatimin në një ligj tjetër është haptazi në kundërshtim me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e KLD”.

Tritan Hamitaj: … Në rastin konkret, ne e kemi quajtur komisionin në fjalë që ka përcaktuar gjyqtarët konkurrues për në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e kemi quajtur organ kolegjial, por edhe po ta quajmë zëvendëskryetarin të shkëputur nga ky komision si organ administrativ individual, mendoj që gjen bazë ligjore dhe neni 34 i Kodit të Procedurës Administrative.

Sokol Çomo: Të nderuar kolegë, ne nuk mund të shpikim formula dhe standarde sa herë që duhet të justifikojmë një paligjshmëri. Atëherë unë kam një pyetje. Ne sot kemi në rendin e ditës që Presidenti i Republikës ka marrë të drejtën e zëvendëskryetarit për të propozuar inspektorë. Pyetja ime është: Është sipas nenit 34, që ju sapo cituat, apo është sipas nenit 3 të ligjit “Për organet kolegjiale”? Sepse nëse ne do mbajmë, duhet të mbajmë një standard dhe do themi, -kemi një mungesë, këtë mungesë do ta zëvendësojmë në këtë mënyrë, por nuk mundet që për çështje të caktuara të shkojmë te ligji i organeve kolegjiale; për çështje të caktuara të shkojmë te neni 34 që zoti Hamitaj citoi; dhe çështje të tjera t’i lëmë në diskrecion të organeve të tjera, që kur duan t’i ushtrojnë, i ushtrojnë, për çështje të tjera që nuk duan t’i ushtrojnë, nuk i ushtrojnë. Atëherë, hajde dhe të përcaktojmë një standard të vetëm, një kriter të vetëm ligjor se si mund të zgjidhet kjo situatë, e cila është një situatë fare e qartë, haptazi, që është çështje e moszbatimit të ligjit, por nuk mundet që të shpikim gjithmonë interpretime, referime, duke e copëzuar këtë sipas problematikave të ndryshme. Mbajmë dot një qëndrim atëherë se si do ta zgjidhim vakancën e zëvendëskryetarit në kushtet kur Kushtetuta dhe ligji “Për Këshillin e Lartë të Drejtë- sisë” ia ka përcaktuar në mënyrë të qartë detyrat? Nëse do të vazhdojmë me këtë mënyrë që të shpërndajmë detyra, një herë të themi që disa do t’i bëjë sekretari i Përgjithshëm, disa do t’i bëjë një tjetër, pastaj disa të tjera do mblidhet një grup dhe do e zëvendësojë në një mënyrë tjetër, vetëm thellojmë paligjshmërinë në veprimtarinë e organit.

Bujar Nishani: Unë do t’ju lutesha gjithsecilit që kur diskutojmë, të diskutojmë vetëm për pikën e rendit të ditës që është në diskutim. Çdo pikë pastaj që vjen më pas, kemi po ashtu të drejtën për të diskutuar. Gjithsesi, unë përfitoj nga rasti i shqetësimit që ngriti zoti Çomo për mungesën e zëvendëskryetarit. Mungesa e zëvendëskryetarit, pa dyshim që është një problem jo normal. Unë gjej rastin edhe një herë nga kjo mbledhje t’i bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të respektojë sa më parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të kthejë ligjshmërinë e emërtesave të Kuvendit të Shqipërisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në mënyrë të tillë që t’i hapë rrugë Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të vijojë mbi bazë kushtetutshmërie dhe ligjore me zgjedhjen e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Është një thirrje që ia kam bërë në mënyrë të përsëritur Kuvendit të Shqipërisë. Do vijoj t’ia bëj, sepse Kuvendi është më shumë ndoshta se çdo organ tjetër i këtij shteti, jo vetëm që duhet të respektojë vendimet e gjykatave, por njëkohësisht duhet të krijojë kushtet normale ligjore dhe kushtetuese për institucionet e tjera, për të përmbushur detyrat e funksionit të tyre.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura