Përplaset fugoni që transportonte 40 emigrantë të paligjshëm, arratiset shoferi. Detaje

Jul 17, 2020 | 16:06
SHPËRNDAJE

Rreth 40 emigrantë ilegalë u gjetën në furgonin që mëngjesin e sotëm u përplas në pikën-pagesore në Milladinovc, në afërsi të Shkupit.

furgoni qe transportonte emigrantet

Pasi goditi traun e më pas edhe barrikadën prej betoni, shoferi i furgonit ‘Iveco’ me targa të Shkupit  është arratisur nga vendi i ngjarjes. MPB-ja është në kërkim të shoferit, ndërkohë ka kontrolluar emigrantët.

“Në automjet janë gjetur 40 emigrantë, për të cilët po verifikohet se nga cili vend janë dhe si kanë ardhur këtu. Disa janë nga Turqia, por për të tjerët po verifikohet. Tani për tani, vetëm 1 person është ankuar për lëndime. Flas me rezervë sepse hetimi vazhdon dhe ende po punohet për zbardhjen e rastit” – u shpreh Toni Angellovski, Zëdhënës i Ministrise se Brendshme.

Me zbutjen e masave kundër pandemisë, respektivisht heqjen e orës policore dhe hapjen e kufijve, është rritur emigracioni ilegal në Maqedoninë e Veriut. Në periudhën nga 13 maji deri më 12 qershor në kufijtë e vendit janë penguar 2643 tentime për kalim ilegal, ose rreth pesë herë më shumë krahasuar me periudhën nga 13 prilli deri më 12 maj kur u penguan 537 tentime. Lëvizjet kanë filluar të shtohen që nga 25 maji, ashtu që mesatarisht nuk lejohet të kalojnë rreth 85 persona çdo ditë, shkruan alsat m.

93% e tentimeve të kalimit të paligjshëm janë penguar në kufirin jugor me Greqinë, ku krahasuar me periudhën paraprake ka për 6 herë më shumë tentime. Situata në kufirin me Serbinë dhe Kosovën është njësoj, por karakteristike është rritja e numrit të tentimeve për kalim ilegal në kufirin me Bullgarinë dhe Shqipërinë. Numri më i madh i emigrantëve që duan të tranzitojnë përmes Maqedonisë së Veriut për në shtetet evropiane, vijnë nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura