“Përplasen” premierat, Anton Çehovi përballë Anthony Neilson

Jan 15, 2016 | 15:26
SHPËRNDAJE

Pas një periudhe përgjumjeje që pason festat e fundvitit, nisin edhe aktivitetet në institucionet kulturore në Tiranë. Madje, duket edhe një “garë” e heshtur mes tyre, përderisa dy institucione kombëtare, fare pranë njëri-tjetrit, kanë vendosur që premierat e para për këtë sezon artistik t’i lënë për të njëjtën ditë. Kështu, në datën 16 janar (nesër) do të kenë premierat edhe “Tri motrat” e Çehovit në Teatrin Kombëtar dhe “Gënjeshtër pas gënjeshtre” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

motre-332x200

Nga njëra anë një shfaqje e “artilerisë së rëndë”, me një trupë të gjerë aktorësh, me një shtrirje kohore prej tri orësh, madje edhe me pushim në mes, nga ana tjetër një komedi, që pretendon “të qeshura pa fund dhe mesazhe të fuqishme”.

Sigurisht që çdonjëri prej zhanreve ka publikun e vet, e megjithatë, do të ishte dashur që institucionet që i ndan vetëm një oborr të merreshin vesh më mirë mbi premierat, për të mos e vënë publikun në “dilemë”, por edhe për të shpërndarë hartën e aktiviteteve kulturore në Tiranë. Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që drejtori i “Kujtim Spahivoglit” preferon “përplasjet”, jo vetëm me datat, por edhe me të njëjtit tituj.

“TRI MOTRAT” Ëndrra moskovite e tri motrave ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Hervin Çulit. Pasi ka provuar edhe më parë me veprat e Çehovit, Çuli rikthehet si regjisor në Kombëtar me “Tri motrat”. Përveçse provon një vepër të madhe, që vjen përherë në institucionin që ai drejton, Çuli me këtë produksion rikthen traditën e dublantëve. Disa nga rolet kryesore në këtë vepër do të interpretohen nga dy aktorë.

Sipas Çulit, përmes kësaj nisme, shpreson krijimin e hapësirave më të mëdha për të gjithë aktorët e TK-së, mundësinë për të luajtur role të rëndë- sishme prej më shumë artistëve, angazhimi i të rinjve, por edhe nxitja e konkurrencës mes tyre. Siç tregon dhe lista e personazheve, është pjesa më e madhe e aktorëve të Teatrit Kombëtar që angazhohen në këtë vepër.

“Tri motrat” rrëfehet në një skenografi të realizuar nga Kristo Çala, e cila synon të krijojë një marrëdhënie më të afërt me publikun. Skena është e shkrirë me vendin ku qëndrojnë të ulur spektatorët. Sipas regjisorit, çdo frymëmarrje e aktorëve duhet të ndihet nga spektatori. Kostumografia është realizuar nga Berina Kokona.

“GËNJESHTËR PAS GËNJESHTRE” Komedia “Gënjeshtër pas gënjeshtre”, e cila hap sezonin artistik në TKE “Kujtim Spahivogli”, me autor dramaturgun dhe regjisorin skocez Anthony Neilson, vjen me regji të Qëndrim Rijanit. Sipas regjisorit, përmes kësaj vepre “jemi përpjekur që të zbërthejmë ato të vërteta tronditëse të cilat na thuhen përmes gënjeshtrave që vijnë njëra pas tjetrës, e që në tërësi formojnë një gënjeshtër të madhe. Ato transmetohet nga dy policë, të udhëhequr nga paaftësia për të thënë një të “vërtetë” të dhimbshme.

Të gjithë ‘përrallën’ e transformojnë në një ngatërresë të madhe situatash, sa komike, po aq intriguese për lojë me ndjenjat e shikuesit, publikut”. Vepra, e cila vjen përmes lojës së aktorëve Mehmet Xhelili, Genc Fuga, Sotiraq Bratko, Ermira Gjata, Adriana Tolka, Andi Begolli dhe Dasara Xhangolli, ngre pyetjet: A vret më shumë një e vërtetë apo një gënjeshtër?

A është më e dhimbshme një e vërtetë, apo një gënjeshtër e sajuar për të mbuluar një të vërtetë? A i duhet qëndruar besnik gjithmonë të vërtetës, apo ia vlen që të zbusim dhembjen e së vërtetës, me sajime gënjeshtrash të bardha? A vlen më shumë racionaliteti mbi detyrën e dhënë? Apo vullneti për të qenë gjithmonë i mirë na tjetërson detyrën?

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura