Përpara bustit të Havzi Nelës

Jun 16, 2018 | 14:46
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

prec zogajPara tri ditësh u organizua në Kukës, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Bashkim Shehu, vendosja e bustit të Havzi Nelës, një vepër modeste në përmasa, por e arrirë artistikisht, sipas meje, realizuar nga skulptori i njohur kuksian Ilimi Hoxha.

E kisha parë Havziun në disa fotografi të publikuara nga studiuesi i tij më i njohur, Petrit Palushi, fotografi që ndryshonin nga një shkrepje në tjetër aq sa të mos ngjante i njëjti njeri. Doemos, kur jeta e një njeriu thyhet në mes nga burgosja dhe riburgosja mbi njëzetvjeçare, siç ka ndodhur me Havzi Nelën, ai s’mund të ketë më pamjen e jashtme që ka pasur para arrestimit; mësuesi i hijshëm me këmishë dhe kollare i vitit 1965 dallohet shumë pak tek i burgosi i rrazbitur me flokët e qethur pas dy dekadash. E kisha parë pra në fotografi, tani po e shihja në bronz, në një pamje që skulptori e kishte kërkuar e realizuar si një sintezë e të gjitha pamjeve: fytyrë e hijshme, as e re, as e vjetër, e rrahur nga koha dhe mendimet, siç janë në përgjithësi fytyrat e poetëve; një shpalosje mirësie që ushqehet me zgjuarsi dhe forcë të brendshme, që më ngjan se është edhe një tipologji e pamjes së lumjanëve të kultivuar që kam njohur e njoh.

Përtej përshkrimit, busti i Havziut qëndronte mbi kolonën e lartë si një grishje e re për ta njohur, për ta kuptuar, për të treguar sa është e mundur heroizmi i tij të rrallë njerëzor dhe intelektual në diktaturë- një ndërmarrje aspak e lehtë në vetvete, që vjen e vështirësohet akoma më shumë nga precipitimi në kohë i dogmave dhe steriotipeve të reja mendore që nuk e shpjegojnë dot njeriun e lirë që rrezikon e sakrifikon me vetëdije për lirinë. Havzi Nela arriti të mbaronte studimet dhe të punonte mësues në fshatrat e Kukësit. Ai erdhi te idetë e lirisë jo prej paragjykimeve për regjimin e mirëqenies utopike, por duke parë me sy e ndjerë me zemër robërinë e njerëzve. Ai foli me bindje, kundërshtoi me bindje, u arratis në Jugosllavi në prill të vitit 1967, dy javë më vonë pala jugosllave e kthen në Shqipëri në kuadrin e marrëveshjeve me regjimin e Tiranës. Fati e mallkon të jetë viktimë e dyfishtë e armiqve të Shqipërisë dhe Lirisë. U dënua në vitin 1967, u ridënua pas tetë vjetësh, mbahet në burg deri në dhjetor të vitit 1986, internohet pas një viti, provon të largohet nga internimi në qershor të vitit 1988, diktohet dhe ndiqet nga forcat e policisë, tenton të vrasë veten, por plagos pa dashje një polic, sipas disa studiuesve që kanë hulumtuar në ketë episod fatal të jetës së tij, ndërkohë që akuza dhe gjykatat e kohës do ta akuzojnë për terrorizëm dhe do ta dënojnë me vdekje me varje në litar.

Presidiumi i Kuvendit Popullor lë në fuqi dënimin e tij. Varet duke zbardhur drita në 15 gusht të vitit 1988. Havzi Nela- duhet ta themi përsëri-është një prej kundërshtarëve politikë më të qartë e më të vendosur të diktaturës komuniste në Shqipëri. Të përbashkët me të ngjashmit e tij të martirizuar ka pasur kalvarin e dënimeve dhe ridënimeve. Të veçantë ka fundin, dënimin me varje në litar vetëm një vit para rënies së murit të Berlinit. Emri i Havzi Nelës shënohet si i dënuari i fundit me vdekje për motive politike në Shqipëri dhe në gjithë lindjen ish- komuniste. Me ardhjen e demokracisë ai filloi të shpalosej në përmasën e një poeti sui generis që kishte krijuar duke folur me vete, duke u rikthyer në oralitetin e lashtë të krijimit, duke i ndërtuar vargjet në strukturën dhe kantilenën e të mësuarit përmendësh për t’i hedhur pastaj në letër me shpejtësi, sa herë t’i jepej rasti, si diktime të një zëri që duhet t’i dorëzohet së shkruarës për të mbijetuar pa të zotin. Janë poezi që të ftojnë t’i dëgjosh si të folura edhe kur i lexon të shkruara. Shpërthime të mendjes pa pranga, pulsime të shpirtit të lirë në vuajtje dhe blasfemi, poezitë me të mira që kemi njohur deri tani të Havzi Nelës, sikurse të disa poetëve të tjerë të burgosur apo që kanë shkruar në ilegalitet, e thyejnë historinë e letërsisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, duke sjellë përmasën e disidencës së qartë. Duke lexuar deponimet e tij në hetuesi dhe poezitë e tij të shkruara në burg, shtyhesh të mendosh një gjë të lexuar më parë në ndonjë ese, por që të tingëllon sikur po e zbulon për herë të parë: edhe në kohërat më të errëta Liria i gjen mendjet ku të bëjë folenë. Havziu është një prej atyre që i dhanë strehim Lirisë në mendjen e tyre. Kjo duket hyjnore, por është edhe mbinjerëzore në kushtet kur mendjet e shqiptarëve të izoluar nga bota bombardoheshin natë e ditë nga makina e fuqishme e propagandës, edukimit dhe trushpëlarjes që pretendonte dhe reklamonte se diktatura është Liria, demokracia, drita, dielli që lëshon rrezet në gjithë planetin. Kjo ka ndodhur në Shqipërinë komuniste dhe kur rri e mendoj thellë habitem si nuk jemi prishur mendsh të gjithë. Ndaj është vërtetë e jashtëzakonshme të shpërthesh këtë errësirë, të mbetesh mendje e lirë. Të dish çfarë është liria është një gjë. Të vendosësh të dalësh hapur dhe të përballesh është tjetër. “Historia ka shumë pak përgjigje si t’ia bësh me tiranin”, ka shkruar disidenti polak, Adam Mihnik. Një është të zgjedhësh rrugën e kryengritjes, që ndodh më së shumti në vitet e para të instalimit të diktuarës, siç e kemi parë edhe në Shqipëri. Këtë rrugë e zgjedhin fare pak njerëz, të cilët i nderojmë si modele të guximit heroik, si heronj kombëtarë.

Rruga tjetër është t’i ikësh tiranit sa më larg të jetë e mundur. Këtë rrugë kanë zgjedhur qindra emigrantë politikë shqiptarë, që vunë jetën në rrezik në kërkim të botës së lirë.

Më në fund mbetet për t’u zgjedhur forma e vetëpërshtatjes së brendshme mbi bazën e asaj që duket më e mundshme për t’u realizuar në rrethanat konkrete. Shkrimtarët tanë me të mirë të periudhës së komunizmit zgjodhën këtë formë për t’u realizuar si shkrimtarë.

Havzi Nela veproi në rrethanat që e çuan të zgjidhte përgjigjen e dytë- arratinë- që mjerisht i rezultoi e pasuksesshme dhe pastaj përgjigjen e parë- kryengritjen që në rrethanat e tij do të ishte mendore. Ai s’pushoi së demaskuari shtypjen dhe së predikuari lirinë e demokracinë perëndimore. Ka të drejtë Petrit Palushi kur në librin për ridënimin e Havziut shkruan se në lidhjen e tyre mendimet e tij janë si një Promemorie e Lirisë, që do të vinte kohë pas vdekjes së tij. Lirisë i duhet të jetë. Përhapja është fati i saj dhe s’ka tjetër.

Emri i Havzi Nelës e shpërthen dhe duhet ta shpërthejë sapo të përmendet një informacion i ngjeshur, i kufizuar sigurisht, si ky që parashtruam më sipër. Të njohurit, studiuesit, të interesuarit për jetën e tij epike dinë më shumë. Por ka plot që nuk dinë asgjë. Këtu nuk kam parasysh indiferentët par exellance. Kam parasysh të privuarit për shumë arsye nga njohja e shembujve të mëdhenj e deri heroikë të antikonformizmit në emër të vlerave dhe idealeve demokratike e njerëzore. Ceremonia solemne e zbulimit të bustit të Havziut dhe sidomos sesioni i filipikave pasuese në Pallatin e Kulturës, të qytetit të Kukësit, nën moderimin e shkrimtarëve Agron Tufa dhe Rexhep Shahu, e pozuan këtë problem, sikurse shpalosën pikëpamje, qëndrime dhe reflektime mjaft interesante që lidhen me diktaturën, me kujtesën , me nderimin e martirëve, me postkomunizmin e tjerë. Është një debat i gjerë që vazhdon. Personalisht, duke qëndruar përballë kujtimit të Havziut, u gjenda përsëri në grishjen e një pyetjeje të pamundur për t’u verifikuar, por që e intrigon gjithnjë mendimin: si do ta vazhdonte jetën e tij, si do të sillej në demokraci Havzi Nela, çfarë qëndrimi do të mbante ndaj mbrapshtive të qeverisë dhe qeverive të kësaj periudhe. Përgjigjet në fakt na i kanë dhënë gjatë këtyre viteve qindra ish-të burgosur politikë, të cilët kanë dëshmuar qëndrueshmërinë e vlerave për të cilat sakrifikuan e vuajtën. Për shkak të martirizimit proverbial dhe faktit se ishte edhe poet, besoj se përgjigjja e Havziut do të shtyhej larg përsa i përket neverisë për dogmat e vjetra të kthyera përmbys apo për konformizmin e ri intelektual dhe politik si mënyrë të menduari dhe të vepruari në kohën tonë, konformizëm, i cili i tregon keq aktet e qëndresës antikomuniste, për rrjedhim nuk i afron natyrshëm me publikun e gjerë. Në të vërtetë, siç e thotë edhe vetë në një prej shënimeve të tij, antikonformizmi mbetet shtylla e disidencës së Havzi Nelës që e çoi dora-dorës drejt martirizimit. Antikonformizmi është natyrë dhe përmasë intelektuale. Ai nuk pushon, nuk e lë. Në asnjë rrethanë. Përderisa u sakrifikua për antikonformizmin, Havzi Nela do të ishte i tillë edhe në demokraci po të kishte jetuar. Nuk kam dyshim për ketë. Ta tregojnë si shembull do të thotë t’i ngjajmë. Përballë formave të reja të totalitarizmit, inteligjenca përsëri duhet të zgjedhë ose bashkëfajësinë, ose frikën, ose sakrificën, ose atë rrugën e katërt, që do të thotë të mos tradhtohet disiplina shpirtërore individuale në momente më të vështira dhe nën kurrfarë presioni, siç thotë për një situatë të tillë një shkrimtar i njohur çek.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura