Përndjek gazetaren për 2 vjet, pranga “shkrimtarit”. I dërgonte SMS Jonida Shehut në FB: Sot nuk buzëqeshe, pse ishe e mërzitur?

Mar 24, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Një 33-vjeçar është vënë në pranga të shtunën nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për përndjekjen e një gazetareje për dy vite radhazi. I arrestuari është Saimir Qefalia, me arsim të lartë, banues në rrugën “Mihal Grameno”, në Tiranë.

Saimir Qefalia / Jonida Shehu

Ai është vënë në pranga nga shërbimet e Komisariatit nr.1, pas një kallëzimi që ka bërë për përndjekje gazetarja 33-vjeçare, Jonida Shehu. Burimet thanë se për dy vite rresht ai i ka dërguar mesazhe në rrjetin social “Facebook” gazetares Shehu, duke i shkaktuar shqetësim të vazhdueshëm.

Pasi ka pritur afro dy vite që personi që e bezdiste të hiqte dorë nga mesazhet, Jonida Shehu ka vendosur t’i drejtohet për ndihmë Policisë, kur ka kuptuar që i dyshuari nuk kishte ndërmend të ndërpriste mesazhet.

Për këtë arsye, ajo ka printuar të gjitha mesazhet që ai i ka dërguar në “Facebook” për dy vite rresht dhe i ka dorëzuar në Komisariatin nr.1, bashkëngjitur kallëzimin me shkrim që ajo ka bërë për përndjekje.

Burimet thanë se i dyshuari i dërgonte mesazhe shqetësuese gazetares thuajse çdo ditë, por numri më i madh i mesazheve ishte pas çdo puntate të emisioneve që ajo drejtonte në televizionet “Ora News” dhe aktualisht në “Top Channel”.

Frazat që përsëriteshin më shpesh nga i arrestuari pas emisioneve që drejtonte gazetarja Shehu, ishin ngacmuese dhe shqetësuese. 

Një ndër mesazhet që ai i ka dërguar me dhjetëra raste Shehut, ishte: “Sot nuk buzëqeshe shumë. Pse ishe e mërzitur?”. Policia i ka administruar si provë të gjitha mesazhet e printuara në fletë të formatit A4 nga gazetarja dhe pas arrestimit i dyshuari është ballafaquar me këto prova.

I ARRESTUARI
Personi i arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Tiranës për përndjekjen e gazetares Jonida Shehu, është 33-vjeçari, Saimir Qefalia, i diplomuar për Gjuhë-Letërsi në vitin 2004.

I arrestuari, gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin nr.1, ka pranuar se i ka dërguar mesazhe gazetares së njohur, duke u shprehur se e kishte fiksim dhe nuk ka pasur asnjë qëllim të keq dhe as për ta bezdisur.

Ai ka treguar se ka ndjekur çdo emision që ka drejtuar Jonida Shehu, pasi ajo i pëlqen dhe nuk e ka fyer, as kërcënuar.

Në një moment kur oficeri i Policisë e ka pyetur se përse e ka përndjekur zonjën, ai duke mos pranuar se Shehu është e martuar, i është përgjigjur: “Ju lutem shumë, ajo është zonjushë”.

Më pas, oficeri i Policisë e ka ballafaquar atë me mesazhet që i kishte dërguar gazetares prej gati dy vitesh, duke i treguar fletët e printuara që vetë e dëmtuara kishte dorë- zuar në Polici.

Qefalia ka pranuar gjithçka, madje i ka thënë oficerit të Policisë se “me mesazhet që i kam dërguar Jonidës, së shpejti do të botoj një libër”. Në fund të deponimit të tij, 33-vjeçarit i është komunikuar akuza “përndjekje”, për të cilën është kryer edhe arrestimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura