Përmbytjet, PD: Qeveria hoqi edhe fondet për kanale kulluese e kanalizime. Reagon PS

Oct 13, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Situata e përmbytjeve ka qenë sërish në qendër të vëmendjes për Partinë Demokratike. Deputeti Arben Ristani në një deklaratë për mediat ka akuzuar qeverinë se i ka lënë qytetarët në dorë të Zotit dhe nuk ka bërë asnjë investim për të menaxhuar situatën e kushteve të këqija gjatë dimrit që shkaktojnë për mbytje. Sipas tij, qeveria ka hequr edhe fondet e parashikuara për kanale kulluese dhe kanalizime.

Arben Ristani
Arben Ristani

“Qytetarët s’kanë parë as edhe një punonjës të bashkisë e qeverisë. Ministri tha se hidrovoret kanë qenë jashtë shërbimit se s’ka pasur energji, ja ku del njëra dorë e qeverisë. Dorë kriminale që duhet hetuar me urgjence dhe përgjegjësit të shkojnë para ligjit. Dora tjetër është qe qeveria është kujdesur të heqë fondet për kullime, kanalizime, janë hequr 5 milion dollarë që po të ishin investuar qindra familje do ishin shpëtuar nga uji dhe balta.

Kryeministri nuk shpreh as keqardhje por merret me ceremoni sportive dhe kërkon të marrë merita edhe aty ku nuk i takojnë. Ishte ky kryeministër që s’do lejonte përmbytjen e asnjë pëllëmbe tokë. Populli vuan nga përmbytjet aq sa nuk ka vuajtur në 20 vite të marra së bashku. Asnjë dollarë e investuar, qytetarët janë në dorë të Perendisë”,- tha ai.

Sipas Ristanit, PD do kërkojë llogari deri në fund, “nxisim qytetarët të kërkojnë të drejtën e tyre, qeveria u detyrohet një dëmshpërblim të plotë dhe të shpejtë”.

Përgjigjet PS-ja: Menaxhim në kohë rekord të situatës

Akuzave të PD-së i është përgjigjur selia e PS-së. Deputetja Blerina Gjylameti tha se ndërkohë që Ristani “flet nga selia e Shqupit, emergjencat civile, ministrat dhe deputetët janë në terren, në mbështetje dhe në ndihmë të familjeve në nevojë”.

Sipas saj, menaxhimi i situatës nga ana e institucioneve shtetërore ishte në kohë rekord.

“Pavarësisht vërshimit të ujit, qeveria shqiptare mobilizoi operacionin më të madh të solidaritetit njerëzor dhe pavarësisht dëmeve, menaxhimi i kësaj qeverie bëri të mundur që institucionet shtetërore të ishin në krye të detyrës dhe rimbursimi të bëhej në kohë rekord”,- tha ajo.

Teksa sulmoi kohën kur PD-ja ishte në pushtet:

“Është e panevojshme të kujtojmë se si sillej qeveria e Partisë Demokratike me zonat e përmbytura, të cilat në më të shumtën e rasteve i përmbyste nga pakujdesia dhe paaftësia e menaxhimit të digave.
Për të mos folur pastaj për mungesën në investime në këtë fushë për tete vite me radhë. E për të mos përmendur banorët që Saliu u premtonte rimbursim por që nuk i rimbursoi kurrë dhe u desh të vinte në qeveri koalicioni i majtë për të përmbushur premtimet e doktorit”,- vijoi ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura