Përmbushet amaneti, Robert Elsie prehet në Theth me kostum popullor

Oct 17, 2017 | 12:55
SHPËRNDAJE

I veshur me kostum popullor, ai do të ndërmarrë udhëtimin e fundit për në Theth. Atje do të qëndrojë përgjithmonë. Në përmbushje të amanetit të fundit, trupi i pajetë i albanologut të shquar, Robert Elsie, ka mbërritur në Shqipëri, për t’u varrosur në Alpet shqiptare. E rëndë për familjarët dhe ata që e deshën, që të mos kenë pranë qoftë edhe një gur varri, por dëshira e tij ishte kjo. E shprehu sa qe gjallë, të prehej në tokën që e lumturonte dhe e çmendte njëkohësisht.

Sot, nga ora 14:00 deri në 16:00, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, atje ku ruhen dhjetëra vepra origjinale dhe të përkthyera prej tij, do të zhvillohet ceremonia mortore, ndërsa më tej, kortezhi do të niset drejt Veriut, në Shkodër e më tej në Theth, një nga vendet e preferuara të Elsiesë, një gurrë e pasur kulture, për të. Nga njerëz të afërm të albanologut mësojmë se në këtë udhëtim të mbramë do të jetë i veshur me kostumin popullor të Veriut shqiptar.robert-Elsie

Albanologu Robert Elise u nda nga jeta dy javë më parë nga një sëmundje e rrallë NMD (motor neurone disease), e cila e shkëputi para kohe nga puna e tij, duke lënë përgjysmë shumë projekte kërkimore në lëmë të letërsisë, gjuhësisë, historisë, fotografisë, përkthimit… Robert Elsie ishte një nga ata njerëz që ka punuar për Shqipërinë më shumë se shumë shqiptarë.

Botimet e veprës së tij studimore kushtuar Shqipërisë – dashurisë së tij të madhe – zënë fill me botimin në vitin 1986 i “Dictionary of Albanian literature”, për të vijuar gjatë punë së tij 35-vjeçare me vepra të tjera të vyera, deri tek “Albanian alphabets: borrowed and invented” (2017). Njohës i shkëlqyer i shqipes dhe kulturës shqiptare, Robert Elsie ka përkthyer në gjuhën angleze autorë dhe poetë të rëndësishëm shqiptarë, si Gjergj Fishta, Migjeni, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Azem Shkreli, Flora Brovina, Eqrem Basha, Ornela Vorpsi; është autor i shumë recensioneve mbi veprat e Ismail Kadaresë, Xhevahir Spahiut, Shaip Beqirit, Kasëm Trebeshinës, etj.

THANAS L. GJIKA

Të hënën, më 2 tetor 2017, vdiq profesor Robert Elsie, albanologu më i shquar i ditëve tona, në një spital të qytetit Bon të Gjermanisë, pasi ishte shtruar për t’u kuruar prej motor neuro disease. Kisha nja tre muaj që heshtja e tij dhe mospërmendja e emrit të tij në shtypin shqiptar më ngjallte shqetësim. Më shkoi mendja të shkruaja disa kujtime për të dhe t’ia dërgoja si mirënjohje për gjithë atë punë që kishte bërë në disa fusha të albanologjisë. Mirëpo, ditët shkonin njëra pas tjetrës, duke u marrë sot me një gjë e nesër me diçka tjetër dhe ja, erdhi dita që më duhet t’i shkruaj, pa u konsultuar me të për disa saktësime datash dhe emrash.

GJATË VIZITËS SË TIJ TË PARË

Njohja ime me Robert Elsie-n ndodhi gjatë vitit 1977. Ai kishte ardhur pranë Akademisë së Shkencave për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë tonë. Donte të mblidhte material për të hartuar një histori të letërsisë shqiptare anglisht, vepër e munguar. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në Bibliotekën e Institutit tonë…

Më ra në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë dhe nuk mund ta dalloje se cila ishte gjuha e tij amtare. Kisha vënë re se gjermanët, francezët, italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme, që mund t’i dalloje shpejt se cila ishte gjuha e tyre amtare. Roberti e fliste shqipen pa asnjë aksent gjuhësh të huaja. Kur e pyeta se si e shpjegonte këtë dukuri, më tha se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë, ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, serbishten, etj.

Më sqaroi se shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte dhe se ishte përqendruar në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar dhe nuk i njihte ende dialektet. Më shprehu dëshirën se po t’i jepej një bursë, mund të bëhej nja dy vjet student në Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo mundësi nuk iu dha. Më tej ai erdhi shpesh në Shqipëri dhe Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë në seminaret e gjuhës shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës. Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore, gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të kishte origjinë hebraike.

Mirëpo as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të mëvonshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për familjen e familjarët e tij. Mbante veshur pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t’i hekuroste, kurse sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t’i bojatiste. Një ditë, për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta: – A e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë? Ai m’u përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin, jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër shokë, pasi mbaruam maturën, blemë një makinë të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë duke fjetur natën në çadrën tonë.

Gjashtë ditë kur shkuam dhe gjashtë ditë kur u kthyem. Kanadaja është fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, plantacione me grurë, herë pak të tatëpjeta e herë pak të përpjeta. Ishte një monotoni. Tani rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejta… Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë gjatë kohës së shkollës, prandaj nuk mund të flinim nëpër hotele.

Në hotel fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysmë të gatshme dhe i hanim pa i gatuar”. Mua nuk m’u durua dhe e pyeta: – Po prindërit nga ana e tyre nuk ju dhanë para? – Mbas viteve 1950-1955, më sqaroi ai, mirëqenia e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji, sipas së cilës marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp.

Secili kishte mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit. Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës. Kur shkuam te Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva, shefja e bibliotekës, e sqaroi mikun se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit kishin depozituar secili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t’i merrte me vete për të mbajtur shënime.

Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi (kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi mbrëmjeve në hotel dhe paraditeve kur punonte në Bibliotekën Kombëtare. Kishte një shkrim të vogël, si shkarravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri përshtypje, sepse te ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. M’u kujtua fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zonjushja ime, kur më pa se shkruaja me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të rëra me germat a, A, b, B dhe c, C që kishim bërë deri atëherë…

Në vitet 1970-1980 tek ne nuk kishin hyrë kompjuterët, kurse Roberti punonte në shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë tonë. Duke pirë kafe, një ditë e pyeta: – Si të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël dhe që është zhvilluar në një gjuhë të vështirë?

Me gjuhët që dije, ti mund të studioje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje shqipen e vështirë. Roberti, më sqaroi: – “Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve. Janë kryer aq shumë studime, saqë studiuesit e kanë vështirë të gjejnë tema studimi.

Historia e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën e së cilës do të kapja një temë studimi që i intereson shkencës dhe kulturës europiane. Letërsia shqipe, është letërsi e pasur. Ka shumë popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si p.sh. populli holandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli shqiptar. Populli shqiptar është popull që ka probleme dhe një popull që ka probleme e lëvron letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme.

Holandezët janë marrë e merren me pikturë. Kosova zien, prandaj atje lulëzon poezia”. Gjatë vizitave të mëvonshme Pas vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë më vuri sërish ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin 1996, kur unë fitova lotarinë amerikane dhe u largova nga Shqipëria.

Ndoshta ishte mars -prill i vitit 1978, mbaj mend se ishte si shoqërues edhe Fatos Beja, punonjës tjetër i Institutit. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës, Roberti hapi bisedën për bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë baba teqeje, i cili gjatë kërcimit ritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër bullçijtë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura