Përleshje mes shqiptarëve dhe afrikanëve në burg, disa të plagosur

Sep 7, 2018 | 17:08
SHPËRNDAJE

Një përleshje shpërtheu dje pasdite në burgun e Firences në Itali, ku 40 persona, shqiptarë dhe afrikano-veriorë, u përfshinë në një rrahje masive. Shqiptarët ishin njëri fraksion, përballë afrikanëve.

download

Të paraburgosurit u përballën me njëri-tjetrin në kampin sportiv të burgut, por shkaqet që çuan në luftën masive janë ende të panjohura.

Gjatë përleshjes, një oficer i policisë së burgut ndërhyri për t’i qetësuar duke pësuar nxjerrjen e shpatullës nga vendi, çka do t’i duhet 20 ditë për t’u rikuperuar.

“Dy fraksione në kundërshtim me njëra-tjetrën, nga njëra anë afrikanë dhe të tjerët shqiptarë, janë përfshirë në një sherr masiv, shkaqet e të cilit po hetohen”, tha zyrtari i lartë i burgjeve, Angelo Urso.

Përveç kësaj, katër ose pesë të burgosur të përfshirë në luftë janë transferuar në spital, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rastin.

Ajo çfarë është e çuditshme është se ndërkohë që kaq shumë të burgosur kishin dalë në kampin sportiv, ata i ruante vetëm një oficer policie, siç shkruan “Il Giornale”.

Falë ndërhyrjes së mëvonshme të personelit të policisë së burgut, të dënuarit u futën në qelitë e tyre pa trazira të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura