“Përleshen” në fushë, Memushaj dhe Basha: Ja e vërteta

Apr 3, 2016 | 18:23
SHPËRNDAJE

Java e 34-t e Serisë B italiane kishte vënë për ballë dy skuadra që e kishin thuajse vendimtare një rezultat pozitiv. memushajPeskara dhe Komo do të kërkonin një rezultat pozitiv, e para për t’u rifutur në zonën “play off” dhe e dyta për të rifituar terren nga skuadra e parafundit në tabelën e klasifikimit. Ndeshja është fituar nga “delfinët” me dy gola të Lapadulës, ndërkohë që për Komon ka ngushtuar rezultatin Giosa.

Megjithatë, mediat italiane kanë raportuar se në përfundim të takimit, në minutën e tretë të kohës shtesë, Basha dhe Memushaj kanë pasur një zënkë mes tyre, që ka sjellë edhe ndëshkimin me karton të kuq të mesfushorit të Komos, ndërsa për kapitenin e Peskarës karton të verdhë.

Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me të dy futbollistët e Kombëtares pas ndeshjes për të mësuar të vërtetën e asaj që ka ndodhur në fushë dhe të dy futbollistët njëzëri e hedhin poshtë këtë aludim.

Basha

Mesfushori i Komos shpjegon situatën për gazetën “Panorama Sport”.

“Ishte një faull taktik nga ana ime, pa menduar se kush ishte kundërshtari. Memushaj ishte në zotërim të topit dhe më duhej të ndërhyja për të ndërprerë aksionin, jo për të dëmtuar kundërshtarin që në këtë rast ishte një shok i Kombëtares”, tregon fillimisht Basha. Më tej, mesfushori komenton edhe ndëshkimin. Pavarësisht se kërkon që të jetë profesionist dhe diplomat në deklaratën e tij, mesfushori e pranon se në ato momente është nervozuar, pasi, sipas tij, ndëshkimi nuk ishte aspak i drejtë.

“Nuk dua të komentoj vendimet e arbitrave, megjithëse nuk mund ta fsheh që nuk e meritoja. E përsëris që bëra vetëm një faull taktik dhe prisja vetëm një karton të verdhë. Kur pashë kartonin e kuq, të them të drejtën u nervozova sepse ishte i padrejtë”, shton Basha. Mesfushori i Kombëtares komenton edhe atë që kanë raportuar media të ndryshme italiane, se mes lojtarëve ka pasur një përplasje fizike. Kur dëgjon këtë pyetje, ai qesh fillimisht.

“Si ka mundësi që të shkruhet diçka e tillë nëpër media?! Nuk jemi prekur mes nesh. Jua thashë që kam bërë faull, por jo për ta dëmtuar. Pastaj, si mund të grindem unë me Ledianin, kur një javë më parë isha në një dhomë me të në grumbullimin me Kombëtaren?

Edhe pas takimit folëm bashkë dhe diskutuam pa as më të voglin shqetësim mes nesh”, përfundon Basha.

Memushaj

Kapiteni i Peskarës ka qenë protagonisti i “vjedhjes” së kartonit për Bashën, edhe pse në të vërtetë ai nuk e ka pasur qëllimin me shokun e Kombëtares.

Në prononcimin e tij për “Panorama Sport” pas ndeshjes, ka sqaruar: “Ishte një moment kur dikush u dëmtua dhe arbitri nuk e saktësoi se për kë duhej të ishte topi në nisje të lojës. Unë nisa lojën dhe në tentativë për të dribluar, Migjeni më bëri faull.

Por jo për të më dëmtuar. Në këtë moment, ndërkohë që lojtarët e Komos prisnin që unë t’u ktheja topin dhe arbitri pa atë faull, e konsideroi si të qëllimshëm ndërhyrjen e Bashës dhe për këtë e ndëshkoi, mendoj që nuk duhej i kuq”, deklaron Memushaj.

Më tej, kapiteni i Peskarës qartëson edhe një herë se mes dy futbollistëve të Kombëtares nuk ka pasur asgjë. “Nuk kishte asgjë mes nesh. Pas ndeshjes u takuam dhe biseduam normalisht”, shton ai. “Për ne ishte një fitore shumë e rëndë- sishëm që duhet të pasohet edhe nga të tjera radhazi, për të garantuar pjesëmarrjen në ‘play off’”, përfundon Ledian Memushaj prononcimin e tij për “Panorama Sport”.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura