Përkujtimi i Luftës dhe kontradiktat e “Peza n’Fest”

Sep 19, 2017 | 11:19
SHPËRNDAJE

ENRIKETA PANDELEJMONI

Pas rënies së komunizmit, kujtimet e Luftës së Dytë Botërore u shpalosën lirshëm në të dyja anët e ish-Perdes së Hekurt. Kujtesa personale dhe kolektive  u çliruan nga kufizimet e imponuara nga nevoja për legjitimimin e shtetit dhe të menduarit mik-armik që shoqëroi Luftën e Ftohtë. Një ndër ngjarjet që lidhet me përkujtimin e “së shkuarës” është edhe eventi “Peza n’fest”, që organizohet nga Bashkia e Tiranës në kujtim të Konferencës së Pezës së mbajtur në fshatin Pezë, më 16 shtator 1942. Përkujtimi i luftës është një moment jetik në këtë procesin e forcimit të identitetit kombëtar.

ENRIKETA PANDELEJMONI

Nocioni komb-shtet është thelbësor për politikën e përkujtimit të luftës. Shtetet, lëvizjet, partitë politike dhe agjentët e tjerë socialë, janë përfshirë të gjithë në ndërtimin e versioneve të së kaluarës kombëtare dhe identitetit kombëtar, duke përzgjedhur ose ripunuar repertorin e historive dhe simboleve kombëtare për t’i dhënë formë në mënyrë efektive kujtimeve publike të përdorshme për qëllimet e tyre të veçanta.

Kjo kujtesë zyrtare shprehet përmes përmendoreve të përhershme dhe një kalendari ceremonish (vjetore dhe përvjetore), të cilat kujtojnë në mënyrë të përsëritur ngjarjet kryesore të kohës së luftës, dhe meditojnë për kuptimin e tyre. Gjatë Komunizmit (1945-1991), Konferenca e Pezës përkujtohej përmes një sërë ceremonish përkujtimore të organizuara nga autoritetet shtetërore, si një ngjarje shumë e rëndësishme e luftës kundër ushtrive fashiste dhe naziste, për shkak të krijimit të FNÇ- së dhe krijimit të këshillave nacionalçlirimtare të dominuara nga komunistët në të gjithë Shqipërinë.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ky takim është përkujtuar sërish, por kryesisht nga forcat e majta politike të vendit, traditë e nisur nga Kryeministri socialist aktual, Edi Rama, ishte kryebashkiaku i Tiranës gjatë viteve 2000-2013 dhe vazhduar dhe nga kryebashkiaku sot i Tiranës, Erion Veliaj. Prej vitit 2015, kjo ngjarje është përkujtuar si “Peza n*Fest”, një event festiv triditor i organizuar nga Bashkia. Peza n”Fest është konceptuar si një event argëtues me një përzierje shfaqjesh muzikore me ekspozita arti, fokusi i të cilave është historia dhe kultura e Shqipërisë.

Por ajo nderon gjithashtu ata që luftuan dhe u martirizuan në luftën e tyre për çlirimin e qytetit. Sipas një deklarate të Veliaj, një prej qëllimeve të këtij koncerti ishte promovimi i agroturizmit dhe vlerave turistike të fshatit të Pezës. Në këtë kuadër u bë dhe restaurimi i Varrezave të Dëshmorëve, shtëpive muzehistorike dhe objekteve të tjera historike. Duket se fshati i vogël në periferi të Tiranës është kthyer në një “lieux de memoire”, meqenëse e kaluara përkujtohet përmes veprave të artit (koncerte, ekspozitë fotosh), monumenteve dhe përmendoreve (varreza, lapidarë).

Narrativa kryesore në rastin e “Peza n*Fest” është ai i partizanëve dhe çlirimit të vendit nga pushtuesit gjatë LDB. Lufta, nuk ka më një kuptim të vetëm dhe siç pohonte dikur Nora, efekti i këtij shpërthimi në kujtesë konsiston në rritjen dramatike të përdorimeve të bëra nga e kaluara për qëllime politike, komerciale dhe turistike. Në festimin “Peza n*Fest”, mesazhet kulturore janë të përsëritura dhe qarkullojnë e ripërdoren nga elita politike (lokale dhe qendrore), qëllimisht “për të ruajtur” kujtesën zyrtare të së kaluarës. Në Pezë, nisur nga çfarë përfaqëson “Peza n*Fest”, duket se kujtesa është instrumentalizuar nga organizatorët dhe nuk është një kujtesë e përbashkët, me gjithë kuptimin e saj simbolik dhe gjuhën e patriotizmit të përdorur nga politikanët zyrtarë.

Jo e gjithë shoqëria shqiptare pranon që një takim i tillë historik të përkujtohet në mënyrë kaq festive, siç ndodhi në fakt në vitin 2015, 2016 apo dhe këtë vit, më 2017. Në diskursin shkencor shqiptar të ditëve të sotme, Peza është simboli i debateve mbi rolin që kanë luajtur partizanët dhe nacionalistët gjatë LDB, si dhe një ansambël i miteve politike dhe i rolit të Enver Hoxhës si komandant i luftë çlirimtare. Në Pezë është përdorur shpesh “miti i lirisë” dhe “historia e re pro-Europiane”. Qytetarët janë informuar se shqiptarët kanë luftuar gjithmonë për liri kundër armiqve të tyre.

“Konferenca e Pezës ishte ai moment, kur rinia u rebelua kundër forcave anti-europiane. Shqipëria ishte në anën e drejtë të historisë!” Gjatë komunizmit, narrativa kryesore e historisë ishte ai i fituesve dhe humbësve të luftës. Ata që bënë luftë kundër fashistëve dhe nazistëve ishin partizanët, nën udhëheqjen e krye/komandantit të tyre,Enver Hoxha dhe Partisë Komuniste. Ndërsa “të tjerët” nuk bënë luftëkundër armiqve të vendit, por kundra partizanëve. Në fakt, Peza ishte momenti dhe vendi ku të dyja palët u takuan për t’u bashkuar dhe për të luftuar kundër pushtuesve. Por sipas narrativës zyrtare kryesore të së kaluarës, vetëm partizanët ishin në anën e drejtë dhe çliruan vendin.

“Të tjerët” bashkëpunuan me armiqtë dhe kështu tradhtuan kauzën e duhur kombëtare. Pas rënies së komunizmit, një nga diskurset më delikate në kuadër të debatit historik shkencor, ishin ngjarjet e LDB dhe analiza e tyre. Pajtimi me të kaluarën duket detyrë e vështirë për historianët, veçanërisht në një shoqëri post-totalitare, siç qe ajo shqiptare. Ajo që vihet re sot është një fenomen bashkëkohor intrigues, si vlerësimet/perceptimet pozitive publike të periudhës komuniste, që zakonisht njihet si‘nostalgjia për komunizmin’. Perceptimet pozitive publike të komunizmit janë sot, sidomos nga forcat e majta politike.

Kështu, duke iu kthyer kremtimit “Peza n*Fest”, megjithëse “lufta e partizanëve” kundër fashistëve dhe nazistëve ishte e mbushur me propagandën komuniste, ajo ende mbetet pjesë e identitetit kombëtar dhe faktit historik. Kjo është arsyeja, pse liderët politikë dhe lokalë orkestrojnë rreth lapidarëve dhe monumenteve këtë përkujtimore, me qëllim që të bindin qytetarin për të kaluarën “e mirë” dhe kështu, të zbusin kontradiktat sociale apo pikëpamjet alternative që lidhen me procesin e të kujtuarit të së kaluarës. Të dy, Foucault dhe Kansteiner, e lidhin kujtesën dhe kujtimet e saj me keq, interpretimin e saj përmes kujtesës popullore, nëpërmjet mediave, televizionit dhe kinemasë njerëzve u transmetohet një riprogramim i kujtesës popullore. Shumica e njerëzve i marrin njohuritë e tyre të së kaluarës nga romane, gazeta, revista, politikanë, personalitete publike.

Gjuha simbolike e patriotizmit është thelbësore për kujtesën publike. Kështu, “Peza n*fest”, me ciklin e saj vjetor të ceremonive të demonstrimeve të së “kaluarës së lavdishme”, në sensin e protagonizmit të partizanëve (logot me partizanë, të rinj të veshur si partizanë, tubime rreth zjarrit dhe këndimi i këngëve patriotike-partizane) në luftë, përbën një përpjekje të pushtetit politik për të orkestruar, modifikuar, prodhuar dhe promovuar modelin zyrtar të kujtesës publike të së kaluarës, që përjashton aspektet e tjera të kujtesës (kujtimet heterogjene dhe multivokale për të kaluarën).

Shembull më i mirë i kësaj është edhe lejimi i demonstrimeve e parakalimeve të nostalgjikëve të komunizmit me fotot e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, të parakalojnë, më grushtin lart, simbol i përshëndetjes komuniste, lehtësisht e pa kurrfarë pengese nga autoritetet përgjegjëse të organizimit të “Peza n’Fest” si në 2015, 2016 dhe fatkeqësisht edhe këtë vit më 2017.

* Pedagoge, Departamenti i Historisë, Universiteti i Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura