Përkthyesja gjermane: Si jetova në Shqipërinë e ‘88-s me Sigurimin nga mbrapa

Oct 4, 2016 | 7:15
SHPËRNDAJE

Herën e parë që erdhi në Shqipëri përkthyesja Zuzana Finger, megjithëse ende studente dhe e painformuar rreth gjendjes në vitin 1988, i ndiente hijet që e ndiqnin pas nëpër Tiranë. Nuk i afroheshin asnjëherë aq sa për ta trembur, por as largoheshin aq sa për t’u menduar se nuk ishin më aty rrotull. Të ngjan e çuditshme që një gjermane ta flasë shqipen aq pastër, po Finger ka ardhur aq shpesh në Tiranë e ka takuar aq shumë njerëz e bashkëpunëtorë, sa për të, tashmë, është krejt e zakonshme. 

Përkthyesja gjermane, Zuzana Finger
Përkthyesja gjermane, Zuzana Finger

Këtë herë, pas 10 vitesh, rikthehet si e ftuar në rezidencën e “Poetekës” për të punuar sërish me përkthimin në gjermanisht të veprave të autorëve e miqve të saj shqiptarë. Ishte në Tiranë prej një muaji (u largua të premten), por nuk i duket kohë e gjatë. Herët e para që ka ardhur ka ndenjur edhe më shumë. Sot Shqipëria i duket e ndryshuar, jo vetëm kur e krahason me kohën e komunizmit, por edhe me atë të 10 viteve më parë. Pikërisht ndryshimet që i ka bërë koha e njeriu vendit, janë gjithnjë në qendër të bisedave të saj.

Në këtë intervistë, Zuzana tregon arsyet pse e sollën së pari në Shqipëri, pse zgjodhi të mësonte shqipen, ç’e lidhi më pas, gjatë demokracisë, me vendin që tashmë e njihte mirë dhe gjithë çuditë që i ndodhnin dikur, vetëm pse ishte e huaj…

E flisni shqipen kaq mirë, sa s’mund t’ju pyes për tjetër veç: si dhe pse e keni mësuar?

Kam studiuar Gjuhësi dhe kam udhëtuar në Jugosllavi, meqë gjuha ime amtare është gjuha sllave dhe nuk kisha vështirësi të kuptoja sllavët kur flisnin, ndërkohë nuk kuptoja dot shqiptarët dhe kjo më bënte edhe më kurioze për gjuhën. Kam pasur një profesor shumë të mirë në Berlin, Norbert Reirte, që u mor me gjuhën shqipe dhe ai ka pasur ndikimin e tij.

Gjuhën e mësuat, shqiptarët i kuptonit tashmë, a nuk mendonit se ishte pak e rrezikshme për një të huaj të udhëtonte drejt Shqipërisë, në 1988-n? Ishit në moshë fare të re kur keni ardhur për herë të parë…

Nuk e mendova si të rrezikshme, sepse udhëtimi i parë drejt Shqipërisë ishte i organizuar nga shkolla, nuk erdha me iniciativën time. Kur kam qenë studente në Berlinin Perëndimor, një profesor i yni organizoi udhëtimin me studentë të Gjuhës e Historisë. Qëndruam një javë dhe në atë kohë nisa të praktikoj shqipen mjaft mirë, sado që më dukej gjuhë shumë e vështirë.

2637345-Tirane_Skenderbeg_square_1988-Tirana

Ju pëlqeu aq sa për t’u rikthyer një vit më vonë?

Një vit më vonë konkurrova për një bursë të Shërbimit Akademik Gjerman. Një bursë njëmujore për ndjekjen e kursit të shqipes në Tiranë. Qëndruam në të njëjtin hotel, te “Hotel Tirana” dhe shkonim në mësim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Sado që ishit studente, ka pak gjasa që një i huaj të mos shihej si i dyshuar atyre viteve. A kishit paraprakisht informacion për këtë?

Kishim dëgjuar, po dhe kjo ishte një nga arsyet pse përpiqeshim, unë dhe studentët e tjerë, të mos krijonim lidhje e të mos kishim asnjë komunikim me shqiptarë. Së pari, sepse nuk donim të dëmtonim ata e së dyti, për të mos krijuar dyshime as te vetja.

Nëse është kështu, me siguri ka qenë gjithnjë dikush për t’ju vëzhguar… Keni pikasur gjë?

Oh po! Ishte shumë e vështirë mos të binin në sy! Sa herë që dilnim, unë dhe shoqja ime e vjetër kishim gjithnjë dy burra që na ndiqnin. Nuk afroheshin asnjëherë, nuk na bezdisnin apo të përpiqeshin të komunikonin, por ishin gjithmonë aty.

Cilat kanë qenë përshtypjet e para kur mbërritët në Shqipëri?

Unë jam me origjinë nga Çekosllovakia dhe isha rritur me rregullat e socializmit, nuk është se atmosfera këtu ishte tërësisht e panjohur. Më herët kisha koleksionuar pulla postare, pra kur isha e vogël, dhe kisha disa pulla nga Shqipëria. Një lidhje me të e kisha gjithmonë. Më pas kur erdha në aeroport e pashë nga afër, ashtu si edhe në ditët kur shkuam me autobus në qytete të ndryshme, si Saranda, Kukësi, Pogradeci etj. Në Gjermani ka pasur albanologë shumë të mirë. Unë kam gjetur atje njerëz shumë të interesuar ndaj Shqipërisë e kulturës shqipe.

I qëndruat rigorozë “urdhrit” për të mos komunikuar me asnjë shqiptar?

Në vizitën e parë po, ndërsa në të dytën, edhe sepse koha e qëndrimit ishte më e gjatë, patëm disa episode të rastësishme. Më kujtohet që në rrugë kishte shumë-shumë burra, dhe çuditeshim, jo gra. Më duket se gratë ishin të zëna në shtëpi. Kur pyesnim pse s’ka gra, na thoshin se ato janë në turne të tjera, e kur i shihnim ne, nuk punonin. Në parqe, rrugë e sheshe kishte vetëm. Herën e dytë që erdha, në vitin 1989, atmosfera kishte ndryshuar pak, ishin gjërat më të lira, megjithatë ne vazhdonim të ndiqnim të njëjtën mënyrë jetese, deri sa një herë, mikeshës sime i ra të fikët në rrugë e u gjendën disa banorë të një lagjeje që s’më kujtohet, për të na ndihmuar.

Na futën në shtëpi dhe e ndihmuan mikeshën të përmirësohej. Sapo u bë më mirë, na dhanë sinjalet se duhet të largoheshim. Më kujtohet që u mblodh e gjithë lagjja në ato minuta që ne qëndruam në shtëpinë e tyre. Ishin kuriozë a nuk di çfarë, por u mblodhën për të parë dy të huajat që ishin futur në atë shtëpi.

52127867

Keni pasur përvoja të tjera të ngjashme?

Po, ndodhte përgjithësisht rrugëve që të shihnin ngultas por, kur erdha për herë të dytë, ndryshe nga hera e parë, gjeta një parukeri. Shkova aty për të rregulluar flokët dhe nuk më kujtohet se sa gra mund të jenë mbledhur, vetëm për të parë!

Si vazhdoi marrëdhënia juaj me shqipen pas ikjes nga Shqipëria?

Disa kohë nuk pata më kontakt. U ktheva në Kosovë për dy vite për Shërbimin Akademik Gjerman, më 1999-2001. Punova në Fakultetin Filologjik në Prishtinë si lektore e gjermanishtes. Isha e lumtur se isha te shqiptarët. Ishte koha e frikshme për mua. U njoha me shkrimtarë kosovarë. Në vitin 2000 u njoha me Nevijana Dostin, që punonte tek Ambasada Gjermane. Ajo më ka shtyrë të përkthej letërsi.

Cilët autorë shqiptarë keni përkthyer?

Kam përkthyer nga serbishtja e nga gjuhë të tjera, por shqipja është më e rëndësishmja. Kam përkthyer “Në kërkim të këmishës së humbur” për një antologji në Austri. Më 2006-n përktheva Arian Lekën, disa poezi, për një lexim në Gjermani. Disa i kam përkthyer vetëm për lexime panairesh. Kam përkthyer pesë drama të Jeton Nezirajt dhe po përkthej të gjashtën, është botuar edhe Xhevdet Bajraj. Kam përkthyer edhe Arben Idrizin, Parid Teferiçin, Luljeta Lleshanakun, Luljeta Danon, Ervina Halilin, Lisjana Demirajn, Doruntina Bashën, Ledia Dushin. Tani që jam në rezidencë letrare në Tiranë te Poeteka, po takohem me ata që i njoh si autorë, por nuk i kam takuar nga afër. Unë kryesisht merrem me përkthime të poezisë, por kam përkthyer edhe dramë, por jo romane.

Kjo është hera e 5-të që vini në Shqipëri, ndërkohë që na keni treguar vetëm për dy herët e para. Ç’ju solli më vonë?

Unë kam punuar si bashkëpunëtore e jashtme me OSBE-në dhe kam ardhur këtu si vëzhguese zgjedhjesh më 1996-n. Trazirat erdhën më vonë. Kishte konflikte politike atëherë, kaos, zemërim e mllef. Unë isha vendosur në Himarë dhe atje ishte edhe më e vështirë. Të ndodhte që të gjeje njerëz të armatosur nëpër lokale, të shihje abuzimet që bënin me votat. Njerëz që votonin disa herë…

Ndërhynit ju në raste si këto?

Patjetër, sa herë që i pikasnim. Unë jam përpjekur të ndërhyj edhe në çaste të tjera, por kam kuptuar që kisha kufirin tim.

Cilës situate i referoheni?

Më kujtohet njëherë që kishin hyrë njerëz në selinë e një prej partive të mëdha dhe unë isha aty për t’u siguruar që njerëzit të dilnin, sepse ishin të pafajshëm. Policia doli në deklaratë publike se do t’i linte njerëzit të lirë, por në fakt i shoqëroi në rajon. Aty kërkova shpjegime dhe u përpoqa të ndë- rhyja, por mënyra se si më larguan, më bëri të kuptoja që nuk mund të veproja më shumë se ç’duhej.

Lidhja me Shqipërinë ju ka bërë të jeni edhe pjesë e një grupi që pritën shqiptarët më 1990-n në Itali, për t’i transferuar më pas në vendin tuaj. Si ka qenë historia?

Ambasada Gjermane ka qenë pjesë e zhvillimeve atë kohë dhe ishte ajo që kërkoi ndihmë në Gjermani. Qeveria gjermane vendosi t’i kërkojë ndihmë Kryqit të Kuq Gjerman për organizimin e tre trenave që duhej të vinin në Bari, ku do të merrnin shqiptarë për t’i çuar në Gjermani. Më pas kërkuan që në tren të ketë mjekë, infermierë e përkthyes. Unë kam qenë përkthyese e grupit të këtij aksioni humanitar dhe kam pranuar menjëherë, bashkë me Robert Elsie dhe një gazetare që punon në “Deutsche Welle”, e me të cilën kisha qenë këtu më 1989-n për të mësuar shqipen. Ka qenë situatë shumë dramatike. Shqiptarët i kam parë të zbresin nga anijet në çaste që nuk harrohen. Ishin të stërlodhur, të sëmurë pjesërisht, të dëshpëruar, por me shpresë. Për shumë-shumë vite mbeta në kontakt me disa refugjatë. E kanë pasur shumë të vështirë, sepse askush nuk merrej me ta. Ishin njerëz nga profesione të ndryshme, si teknikë, inxhinierë, njerëz që kanë studiuar edhe më pas në Gjermani. Derisa ishin në qendër refugjatësh, ishin lehtë për t’u kontaktuar e më pas morën banesa private. Përvoja ime ishte kryesisht e mirë. Erdhën nga një regjim tjetër në një qytet të madh dhe të ftohtë dhe e kanë pasur të vështirë. Sfida e tyre ishte se nuk u kujdes kush për ta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura