Përjashtimi i Berishës, grupi i PD vendos: 10 ditë bojkot Kuvendit

May 28, 2016 | 10:37
SHPËRNDAJE

Grupi parlamentar i PD-së ka vendosur bojkotin me 10 ditë të Kuvendit, përfshirë komisionet parlamentare. Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka ka njoftuar vendimin e mbledhjes.

Ish Kryeministri, Sali Berisha, duke folur gjate nje seance parlamentare321

Sipas tij, grupi vendosi bojkot për të njëjtin afat i të gjitha aktiviteteve të parlamentit, komision dhe seancë plenarë. “Në një kuvend ku nderohet krimineli dhe dënohen ata që denoncojnë krimin është akti më i lehtë, kjo shumicë shpreson ti mbyllë gojën opozitën, e ka gabim”- tha ai.

Panorama shkruante sot referuar burimeve se vendimi i Grupit shkon drejt bojkotit 10-ditor të punimet e Kuvendit, si qëndrimi i mbajtur kur Berisha u përjashtua herën e parë nga Byroja.

Vetë ish-kryeministri nuk ka reaguar pas vendimit të Byrosë, por ka publikuar në “Facebook” fjalën e tij, duke thënë se: “Në Parlament, duke denoncuar racizmin e ulët të Edvin Kristaq Ramës ndaj Veriut të Shqipërisë”.

VOTIMI

Dje anëtarët e PS-së në Byronë e Kuvendit kanë miratuar kërkesën e firmosur nga 8 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në të cilën kërkohej përjashtimi i deputetit Berisha nga Kuvendi për shkelje të rendë të rregullores. Mësohet se gjatë votimit kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, nuk e ka miratuar kërkesën e Partisë Socialiste, duke shprehur kartonin e “abstenimit”.

Ndërkohë që i vetmi nga opozita në mbledhjen e Byrosë ka qenë nënkryetari i Kuvendit, Edmond Spaho, i cili ka votuar kundër. Kërkesa është miratuar me 5 votat e socialistëve, Taulant Balla, Anastas Angjeli, Musa Ulqini, Fatmir Toçi dhe Mimoza Hafizi. Në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit nuk ka marrë pjesë nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi, Valentina Leskaj dhe deputeti i PDsë, Sherefedin Shehu.

Në kërkesën e miratuar nga anëtarët e PS-së në Byro thuhet se: “Gjatë fjalës së tij deputeti Sali Berisha ka fyer në mënyrë të përsëritur Kryeministrin duke iu drejtuar: Edi Rama ky kriminel… Kryeministri është një kriminel! Në vlerësimin tonë përdorimi i këtyre fjalëve fyese hyn në përcaktimet ligjore të Rregullores së Kuvendit. Për këtë qëllim në përputhje me pikën 1 të nenit 65 të Rregullores së Kuvendit kërkojmë mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për dhënien e masës disiplinore sipas nenit 63 shkronja ‘ç’ ‘Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seanca plenare deri në 10 ditë’”, thuhet në kërkesën e miratuar dje nga socialistët.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, deputeti Taulant Balla ka paraqitur kërkesën e Grupit të PS-së, duke thënë se deputeti Berisha ka shkelur në mënyrë të përsëritur rregulloren e Kuvendit.

Balla mësohet të ketë thënë se përdorimi i gjuhës fyese në Kuvend dhe ndaj Kryeministrit duhet të dënohej nga Byroja, pasi shkelja e rregullores ishte në mënyrë të përsëritur. Por mësohet se gjatë diskutimit nënkryetari i Kuvendit, Edmond Spaho, e ka quajtur si të papranueshme kërkesën e Grupit të PS-së.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura