“Pezullimi e keqja më e vogël”, Grida Duma flet për aksionin e Berishës: Ka vetëm një palë demokratë! Duhet ta mbajmë me të gjitha mënyrat partinë të bashkuar, ndryshe…

Sep 27, 2021 | 15:27
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma përmes një intervistë të dhënë në rubrikën “Opinion” në News 24, foli mbi pezullimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga të qenit pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

grida duma

Duma zgjodhi të mos e gjykonte aksionin e ndërmarrë nga Berisha dhe takimet e tij me bazën demokrate, por zgjodhi të fliste me tone përbashkuese për të mos i ndarë demokratët në dy kampe si demokratë të Berishës dhe të Bashës.

Sipas saj i vetmi që do të përfitojë nëse demokratët nuk do të jenë krahë për krahë njërit tjetrit do të jetë kryeministri Edi Rama.

Duma teksa e cilëson pezullimin e Berishës si të keqen më të vogël, thekson se është detyrë e lidershipit që Partia Demokratike të qëndrojë e bashkuar.

“Shumë reflektive është. Nuk e gjykoj aksionin e zotit Berisha. Është një vednimarrje e tij. Nuk marr delirin të jap këshilla në këtë situatë. Nuk e imagjinoj dot t’i ndaj demokratët e Berishës dhe demokratët e Bashës. Duhet t’i thërrasim arsyes për të thënë se për të shkuar drejt fitores duhet qetësuar gjithçka.

Kemi një palë demokratë dhe jo dy. Toleranca e atyre njerëzve që hiqen nga puna, që vijnë në protesta, që ndiqen në gjyqe dhe as që nuk shiten e as nuk blihen, njerëz që kanë sakrifkuar për Partinë Demokratike nuk duhet harruar.

Ne duhet të gjejmë të gjithë mënyrat për ta mbajtur PD-në të bashkuar,

Ka disa që kanë një qasje më emocionale në këtë moment, ka disa që kanë një qasje më racionale, por i takon përgjegjësisë së lidershipit për ta mbajtur PD-në të bashkuar. Është e domosdoshme.

Besimet mund të lidhen me individë, por vendimi për pezullimin e liderit historik ishte e keqja më e vogël, me idenë që Partia Demokratike të fuqizohet dhe të jetë një zë i fuqishëm qoftë dhe në qartësimin e fakteve që zoti Berisha po kërkon.

Nëse do të hidhej në votim do të ishte shumë konfuze. A do të votonin ata për zotin Berisha? Patjetër që po.

A do të votonin ata për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe të ardhmen e vet që duan ta shikojnë fituese? Patjetër që do të ishin mes këtyre dy dilemave.

Përgjegjësia e Bashës për ta mbajtur mbi supe këtë vendim dhe për të mos e deleguar në nivel referendumi është një përgjegjësi që ka një akt vendimarrës të mirë, për të shmangur të keqen më të madhe dhe për ta çuar PD-në drejt fitores.

Nuk gjykohet sot që demokratët janë emocionalë për këtë çështje, por e vetmja gjë që çon ujë në gojën e ujkut dhe ai është Edi Rama, është që demokratët të mos jenë krahë për krahë në këto momente”, tha Duma.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura