Peripecitë e familjes mbretërore nëpër botë, kujtimet e Geraldinës: Incidenti i Mbretit Leka me armët në Tailandë, u lirua nga arresti pas ndërhyrjes së…

Oct 30, 2019 | 8:41
SHPËRNDAJE

1.-ahmet-zogu-geraldina

Publikohet historia e panjohur e familjes mbretërore shqiptare në kujtimet e Mbretëreshës Geraldina Apony, të cilat janë shkruar prej saj gjatë viteve kur ajo dhe bashkëshorti, Mbreti Zog, bashkë me princin Leka, qëndruan në azil politik nëpër shtete të ndryshme të botës.

Incidenti i Mbretit Leka me armët në Tailandë dhe lirimi i tij nga arresti pas ndërhyrjes së autoriteteve të larta të atij vendi….

Prej më shumë se 63-vjetësh që familja Mbretërore e Shqipërisë qëndroi në mërgim si azilant politik, duke u vendosur dhe zhvendosur nëpër disa shtete të ndryshme të Evropës dhe Afrikës, ajo kaloi një kalvar të vërtetë, duke u përballuar me peripeci nga më të ndryshmet. Lidhur me këto peripeci që e kanë shoqëruar në aventurën e gjatë familjen e Mbretit Zogu i Parë dhe trashëgimtarit të tij Leka, që para viteve 1990-të, janë shkruar disa libra nga autorë të huaj, të cilët më së shumti janë mbështetur në kujtimet e Mbretëreshës Geraldina Apony. Disa nga këto kujtime janë edhe këto që po botojmë në këtë shkrim, të cilat i përkasin asaj periudhe kohe, kur familja mbretërore shqiptare jetoi në Egjipt, falë ndihmës bujare të Mbretit Faruk, i cili i dha një ndihmë të pakursyer mikut të tij të ngushtë nga Shqipëria. Po kështu, në këtë shkrim po botojmë edhe incidentin e Mbretit Leka Zogu në Tailandë, ku ai u ndalua për disa ditë nga policia e atij vendi për një problem armësh, ngjarje e cila është shkëputur me shkurtime nga libri “Geraldina e shqiptarëve” i autorit Gëen Robnys.

 Geraldina: Pse ikëm nga Egjipti

Me qenë se nuk kishim shumë punë të bëjmë në Angli, im shoq mendoi se duhej të lëviznim afër qendrës së ngjarjeve dhe kësisoj shkuam në Egjipt. Duke qenë se Egjipti ishte një vend mysliman, ai mendonte se do kish qenë në gjendje që të organizonte ndonjë farë ndihme nga ana e fuqive islamike për çështjen tonë. Zbritëm në Port-Said dhe u pritëm nga guvernatori dhe vija të gjata policësh. U trajtuam si vizitorë të dalluar dhe nëpunësit e doganës nuk deshën që të kontrollonin gjërat që ne kishim me vete, megjithëse ne u thamë se donim të deklaronim çdo gjë që kishim. Kjo ngjarje u bë shkak për telashe të mëdha më vonë, kur Mbreti Faruk u rrëzua nga froni. Më kujtohen të gjalla ditët e para në Aleksandri. Një ditë mora një thirrje telefoni nga një vend i largët dhe kur nisa të bisedoj, dëgjova zërin e sime motre. Nuk e kisha dëgjuar që nga 1949-a. Ajo kish kaluar kohën e luftës në Hungari, nën pushtimin gjerman dhe rus, e sapo kish arritur për në Kajro nga Austria. U nisëm për në Kajro përnjëherësh dhe kur u takuam, ndenjëm duke biseduar gjatë tërë ditën e një natë, pa prerë. Në këtë kohë Leka u sëmur. Kishte ethe të vazhdueshme dhe u katandis si një skelet me sy të tretur, kaq të ndryshëm me sytë e gëzuar dhe faqet e kuqe të një djali gazmor që kish qenë një ditë më parë. Një doktor më së fundi bëri diagnozën e drejtë, duke zbuluar një infeksion në gjëndrat e tij të grykës. I bëmë gjilpëra, penicilinë, që kushtonte shumë në atë kohë. Po këto gjilpëra e shpëtuan djalin tim.

Vizita te zonja e Mbretit Faruk

Një ditë, tre vetura “Kadillak” të zeza e të kuqe, të shoqëruara nga motoçikleta, erdhën që të na shoqërojnë për të takuar Mbretëreshën Farisa, e shoqja e Mbretit Faruk. Sikurse në të tëra shtëpitë myslimane, ajo jeton në një harem në një pjesë të godinës ku banonin vetëm gratë. Mbretëresha kish tre vajza, më e madhja ishte vetëm gjashtë muaj më e madhe se Leka. Mbretëresha Farisa ishte një person shumë e dashur dhe mikpritëse, e përzemërt dhe më vjen keq që koha nuk ia ka sjellë atë lumturi. Si kalonte koha, çështja e shkollimit të Lekës duhej të zgjidhej. Vendosëm të shkojmë prapë në Aleksandri, sepse atje ishte një shkollë angleze. Kolegji Viktorias, që mund të ndiqej nga im bir. Gjatë viteve të parë në Egjipt, Mbreti Faruk ishte shumë i dashur dhe i afërt me ne. Një herë, në një darkë të vonshme, një nga motrat e Mbretit u sëmur rëndë dhe kishte nevojë të ngutshme për gjak. Faruku u hodh përnjëherësh në veturën e tij dhe solli doktorin me gjithë veglat aty për aty. Në një rast tjetër, kur ra një epidemi kolere, doktori i tij personal erdhi dhe shënoi tërë njerëzit që banonin me ne bashkë. Pas disa kohe ra në sy një ndryshim në qëndrimin e popullit egjiptian karshi tërë të huajve. Ata filluan të thonë fjalë jo të pëlqyera dhe disa herë mbajtën një qëndrim fare të ashpër. Një ditë nga ditët, im shoq mori një letër që e vinte në dijeni se kohë të vështira do të vinin në të ardhmen dhe e këshillonte që të largohej nga ky vend. Në këtë kohë Mbreti Zog ishte shumë i sëmurë me një ulçër, që lëshonte gjak dhe na u desh që të qëndrojmë në vend. Në të vërtetë, duke e konsideruar këtë paralajmërim në dritën e ngjarjeve të 1951-it dhe 1952-it, duhet ta pohoj se ishte me vend dhe me qëllim të mirë. Edhe Mbreti Faruk po ndryshonte. U duk e kthjellët se sa vinte dhe ai largohej gjithnjë e më shumë nga oficerët e tij, që ftoheshin gjithnjë me kalimin e kohës karshi tij. Një mbrëmje kur Mbreti Zog, kërkoi me tërë dëshpërimin e tij ta gjejë, automjete të policisë kishin bllokuar çdo rrugë hyrje në vilën tonë. Menduam se kjo përgatitje ishte si masë paraprake për vizitën e Mbretit Faruk te ne dhe pritëm deri në orën 03:00 të mëngjesit ta shohim. Po nuk erdhi kurrë. Rrugët qenë bllokuar, ndofta që ta ndalonin takimin e tij me ne, sepse ajo qe nata e fundit e Farukut mbi fronin e Egjiptit.

Shëndeti i Mbretit keqësohet

Gjatë muajve të parë të qeverisjes së Naguipit u lamë në qetësi. Pastaj pa pritur u njoftuam se Legata e Shqipërisë së Lirë në Kajro do të mbyllej. Po në këtë rast na siguruan, sidoqoftë, se ishim të mirëpritur të qëndrojmë dhe të jetojmë në Egjipt. Në pjesën e parë të 1954-ës, pa paralajmërim, policia rrethoi vilën tonë dhe kërkuan që të hyjnë të kontrollojnë jo vetëm banesën, por dhe personat tanë vetë. Im shoq iu përgjigj duke thënë se ne na ishte dhënë e drejta e extraterritorialitetit (të drejtën mos me u prek sipas ligjeve ndërkombëtare) dhe ata nuk kishin fuqi të hynin në shtëpinë tonë, që teknikisht quhej tokë shqiptare. Oficerët thanë se ata do të kontrollonin për arsye taksash, sepse thoshin se ne i detyroheshim qeverisë egjiptiane taksa të prapambetura. Si mund të bëhej kjo punë, thamë ne, kur ne nuk kishim pasur ndonjë të ardhur për të paguar taksa. Oficerët na u përgjigjën duke thënë se kjo rridhte nga fakti se kur kishim qenë në Egjipt, nuk kishim paguar taksat doganore për mallin që futëm në vend, në 1946-ën. U munduam t’ua kthjellojmë çështjen, duke pohuar se inspektorët në atë kohë nuk kishin dëshiruar të kontrollonin plaçkat tona, por këta oficerët ishin të udhëzuar të mos pranonin asnjë arsyetim. Ata morën me vete tërë letërkëmbimin tim personal, të shkruar në anglisht, frëngjisht, hungarisht, italisht, serbisht dhe shqip. Kaluan shumë muaj përpara se të më dorëzoheshin letrat që më morën. Gjatë qëndrimit tonë në Egjipt, shumë njerëz i bënë propozime tim shoqi, mendoj më shumë për t’i marrë të holla, sesa ta bënin atë me të holla. Tani si pjesë e hetimeve të autoriteteve egjiptiane rreth çështjeve tona financiare, u hapën tërë këto skeda të ndryshme. Për plot tetëmbëdhjetë muaj qeveria e Naguibit na ndaloi të tërhiqnim pare nga floriri që kishim depozituar në një bankë egjiptiane. Pastaj Naguibi u rrëzua dhe erdhi në fuqi Naseri. Gjatë kësaj kohe Mbreti Zog pësoi goditje të tjera zemre dhe u duk se ishte në rrezik vdekje. Kur qeveria mësoi të vërtetën rreth gjendjes së tij shëndetësore, u bënë më të butë karshi nesh dhe dërguan mjekët e qeverisë për ta vizituar, sepse, siç duket, nuk dëshironin që të vdiste në Egjipt, nga frika se nga një gjë e tillë do të kishin pasoja politike. Ky qëndrim i tyre i butë na shtyri që të kërkojmë lejen të largohemi. Leja na u dha.

Mbret pa vend sundimi

Në korrikun e vitit 1955, zbritëm në Francën e jugut dhe u vendosëm në skelën detare të Cannes, në rivierën frënge. E zgjodhëm këtë qytet për shkak të klimës së butë, sepse Mbreti e ndjente veten shumë të dobësuar dhe në një klimë të ftohtë mund të bëhej më keq. Vite me radhë kisha dashur të merrem me shkrime dhe tani ndërmora një kurs korrespodence me një shkollë në Londër. Për të fshehur personin tim, u regjistrova me emrin Germanie Harding, që është emri i nënës sime amerikane. Këto kujtime të jetës sime janë të parat që botohen. Në muajt e parë të 1961-it, në një çast Mbreti vendosi që të shkojë në Paris, për t’u takua me Presidentin De Gaulle dhe me disa miq të tij vjetër. Ky udhëtim i bëri keq dhe u sëmur kaq shumë, saqë vetë që e kisha mjekuar në rasat e para, nuk mundesha dhe vendosa që ta çoja në spital. Brenda pak javëve Mbreti Zog dha shpirt. Por, megjithëse Mbreti vdiq, ai jeton: i biri i tij Leka i mori përsipër të gjitha përgjegjësitë e babës së tij fisnik. Mbreti Zog, im shoq i dashur, qe një personalitet shumë i dalluar. Ai lidhi një grup fisesh të ndara, në një Mbretëri të bashkuar, në një shtet të vetëm. Ai më tepër se kushdo tjetër, krijoi Shqipërinë moderne dhe i dha asaj, Kodin Civil më të përparuar të Evropës Lindore. Ai e pajisi vendin e tij me shkolla dhe spitale. I mungonte vetëm koha që ta kishte shpënë shumë më përpara vendin dhe popullin e tij e ta bënte të lumtur. Këtë kohë, një diktator fashist dhe lufta botërore ia rrëmbyen nga duart. Tani një e keqe e huaj, prapa dhe kjo, është shtrirë për së gjati tokës sonë të dashur dhe e ka mbuluar me cipën e saj të zezë. Disa njerëz më thonë mua se im bir, Mbreti Leka i Parë dhe unë vetë, së bashku me rrethin tonë besnik, që punojmë për të ndihmuar refugjatët shqiptarë kudo në botë, po luftojmë për një kauzë që mund të quhet e humbur. Po unë nuk mund ta shoh jetën dhe të ardhmen tonë në këtë dritë të zezë pesimizmi. Unë besoj dhe mendoj se e ardhmja mundet të jetë e lirë dhe e lumtur, nëse ne punojmë për këtë të ardhme. Është dëshira e madhe e zemrës sime, e shoqëruar nga lutjet e mia të zjarrta, që ta shoh një ditë të lirë tokën e bekuar, që ka humbur lirinë për kaq kohë të gjatë. Ashtu si një anglez i madh, Edmund Burke, tha një herë: “E keqja lulëzon kur njerëzit e mirë s’bëjnë asgjë dhe rrinë duarkryq”.

Peripecitë e trashëgimtarit të fronit nga pasioni për armët

Incidenti i Leka Zogut me armët në Tajlandë

Në mars të vitit 1977, Mbreti Leka kishte dy takime punë të rëndësishme në Tailandë dhe duke iu mbajtur një premtimi të bërë, propozoi që Mbretëresha Suzanë ta shoqëronte. Kur mbaroi punët e tij në Bankok, ai planifikoi ta çonte atë atje ku banonin njerëzit e racës Thai dhe nga ku mund të shihnin këtë njerëz bujarë në vendbanimet e tyre. Mbretëresha Suzanë ishte duke u nisur për në Australi dhe kjo u bë si një pauzë në udhëtimin e saj. Përpara se të nisej nga Londra, Mbreti Leka kishte blerë një koleksion armësh që t’ia dhuronte mikpritësve të tij. Mbretit të Tailandës dhe ministrave të ndryshëm, shefave të departamenteve, si dhe për disa miq të tij në Arabinë Saudite, të cilën ai e kishte planifikuar ta vizitonte direkt pas Tailandës, ndërkohë që Mbretëresha Suzanë do të vizitonte prindërit e saj. Armët u blenë në Londër në mënyrë të rregullt për t’iu çuar në Tailandë, që të punoheshin me flori emrat e cilitdo që do t’i dhuroheshin. Ky ishte thjesht një zakon i vjetër shqiptar që Leka po e zbatonte. Pasi qëndroi dy javë në Bangkok për punët e tij, Mbreti planifikoi të bënte një udhëtim në Tailandën Veriore në provincat Chiang Mai dhe Chiang Rai. Kjo vizitë ishte edhe turistike, edhe me interes profesional, sepse në ato zona kishte shumë njësi ushtarake të atashuara shumë mirë dhe Leka donte të shihte me sytë e tij se si stërviteshin këto njësi dhe nëse ndryshonin nga metodat evropiane të stërvitjes. Gjatë kohës që ai ndodhej atje, vizitoi disa zona kufitare me interes dhe zonat e patrullimit kufitar ku atij i ishin dhënë disa pajisje ndërlidhje në gjendje pune, të cilat u nevojiteshin shumë njësive të “shqiptarëve të lirë”. Pas disa ditësh vizite në postat kufitare i shoqëruar nga një eskortë ushtarake zyrtare, Leka u kthye në Bangkok i shoqëruar me një eskortë policie për të evituar ndonjë të papritur në rrugën Chiang Mai-Bankok. Kjo ishte një praktikë e zakonshme që policia duhet të shoqëronte një person me imunitet diplomatik. Kur arritën në Bangkok, Mbreti dhe Mbretëresha Suzanë bujtën te miqtë e tyre të ngushtë, koloneli Vills H.Bird dhe gruaja e tij, e cila i përkiste një familje të shquar nga fisi Thai. Dy ditë më vonë, znj. Bird mori një telefonatë nga një punonjës policie, të cilin ajo kishte çdo arsye që ta besonte, i cili i tha: “Elementë të këqij kanë një listë të plotë të pajisjeve që Mbreti Leka ka marrë në Chiang Mai. Ata insistojnë që t’i kthejë ato mbrapsht dhe për të shmangur situatën e vështirë që do krijohet duke sulmuar shtëpinë tuaj, pasi ai do të largohet nga çdo vend që të gjendet”. Duke dashur që të mos i shkaktonte ndonjë telash miqve të tij, Mbreti Leka i dorëzoi pajisjet, me përjashtim të armëve që ai kishte blerë në Angli për dhurata. Megjithëse pajisjet u dorëzuan në kohën e duhur, policia i shkeli premtimet e dhëna në telefon dhe shkoi të bastisë shtëpinë e kolonelit Bird. Mbreti Leka, Lartësia e Tij, Princi Shan dhe kapiteni Kemvong Mengrai u arrestuan. I gjithë operacioni policor ishte përgatitur me kujdes, kjo u duk qartë, pasi çdo gazetë tajlandeze jo vetëm kishte dërguar korrespondentë të saj në postën e policisë, ku qëndronte Mbreti, por edhe për të parë dhe për të shkruar rreth bastisjes së shtëpisë. Në orën 6 të mëngjesit të 1 prillit, Mbretëresha Geraldinë mori një telefonatë nga Bangkoku prej Ëilliam Bird Jr., i cili e lajmëroi se i biri ishte arrestuar me një akuzë për çështje armësh. Ai i tregoi asaj se autoritetet i kishin refuzuar atij t’i njihnin imunitetin diplomatik, megjithëse kishte një vizë të vlefshme diplomatike nga qeveria tajlandeze. Ai i kërkoi asaj që të hynte në kontakt me autoritetet kompetente në Madrid për të sqaruar situatën. Në momente të tilla krize, Mbretëresha Geraldinë tregoi një qetësi të habitshme dhe mendim të kthjellët. Në orën 8:30, ajo shkoi drejt e në pallatin Zarzuela, por iu tha se nuk mund të fliste as me Mbretin Huan-Karlos dhe as me Mbretëreshën Sofie. Çdo të premte në Madrid bëhej një mbledhje qeverie, që e drejtonte vetë Mbreti dhe në atë ditë ishte e vështirë të hyje në lidhje me të. Mbasdite, Geraldina i telefoinoi ambasadorit tajlandez, i cili nuk kishte dijeni për llojin e vizës që i ishte akorduar Mbretit Leka, megjithëse ambasada duhej të kishte marrë miratimin nga Bangkoku dhe dukej se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur. Geraldina insistoi që ai t’i dërgonte një telegram Qeverisë së tij për të sqaruar se çfarë ishte duke ndodhur me djalin e saj. Gjithë atë ditë, ajo i bëri telefonata miqve të saj në të gjithë botën. Ajo i telefonoi Teheranit në përpjekje për t’u lidhur me Shahun, por i thanë se ai e familja e tij ishin në Kishc. Megjithatë ambasadori iranian në Londër mundi të kontaktonte me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Iran dhe të merrte një mesazh nga Shahu. Miqtë anglezë të familjes, koloneli Charles Ingio Jones dhe Julian Amery që sapo ishin kthyer nga pushimet, kishin kontaktuar me të. Ingio Jones me Julian Amery kishin diskutuar së bashku rreth mundësisë për të alarmuar ata senatorë amerikanë që kishin treguar se ishin miq të mirë të Shqipërisë së Lirë dhe Julian Amery i premtoi Geraldinës se ai do të fliste me ministrin e Jashtëm dhe të merrte informata për situatën, si dhe me ambasadorin tajlandez që ishte miku i tij. Në një gjendje dëshpërimi, Geraldina i telefonoi përsëri Pallatit Mbretëror në Madrid dhe Mbreti Huan Karlos me Mbretëreshën Sofie e siguruan se do të bënin gjithçka të ishte e mundur për lirimin e Mbretit Leka. Pas kësaj në disa vende të Botës pati demonstrata nga emigrantët shqiptarë kundër asaj çka i kishte ndodhur Mbretit të tyre. Po si u zgjidh problemi i Mbretit Leka? Duke qenë se ngjarja bëri bujë të madhe në shtyp, u alarmuan autoritetet shtetërore tajlandeze dhe zv/shefi i Shtatmadhorisë, Kraisnak Chamanan, urdhëroi lirimin e tyre, ndonëse ajo gjë duhej bërë nga Gjykata e Lartë. Mbreti Leka dhe Princi u liruan në mesnatën e 5 prillit, që korrespondonte dhe me ditëlindjen e tij. Pas asaj ngjarjeje, Mbreti Leka vazhdoi të qëndronte në Tailandë si i ftuar i Gjeneralit Kraisnak, ndërsa ngjarja u mbulua nga një heshtje e plotë. Ishte e qartë se disa forca të fuqishme kishin punuar që të komprometonin Mbretin Leka dhe të paralizonin organizatën e tij ushtarake të “Shqiptarëve të Lirë”. Deri më sot akoma mbetet mister se cili fshihej pas atij gabimi trashanik nga ana e qeverisë tajlandeze. Një javë më parë se Mbreti Leka të shkonte në Tajlandë, atje kishte pasur një përpjekje për puç ushtarak dhe më 20 prill, Gjenerali Hiranyiasiri ishte ekzekutuar për pjesëmarrje në të. Ka shumë mundësi që ndalimi i Mbretit Leka të kishte qenë një shenjë finale në diskretitimin e qeverisë tajlandeze. Udhëheqësit e puçit duhet ta kenë ditur se familja mbretërore tajlandeze ishte për pushime në rezidencën e saj në Chang Mai, komandanti i ushtrisë jashtë Bangkokut, dhe dukej se pjesë të organeve të policisë ishin nën influencën e elementëve antiqeveritarë. Duke lajmëruar shtypin rreth ndalimit të Mbretit Leka, ata kishim menduar se do ta diskretitonin qeverinë akoma e më shumë. Duke e parë se asnjeri nuk e mori përsipër arrestimin dhe anëtarët e qeverisë ngurruan dhe nuk bënë asnjë përpjekje për lirimin e tij. Në atë kohë, Tajlanda ishte nën presionet e fuqishme të gueriljeve komuniste dhe një ambasador i një vendi të huaj, deklaroi: “Kur kjo gjë ndodh me Mbretin Leka, që është i pajisur me vizë diplomatike, atëherë sa të besueshme janë kredencialet tona si punonjës ambasade?”. Menjëherë sapo u lirua Mbreti Leka, qeveria tajlandeze bëri gjithçka ishte e mundur për të ndrequr gabimin. Duke qenë se ai ishte ftuar zyrtarisht dhe e kishte vizituar edhe nja dhjetë herë të tjera atë vend, ai u largua me një avion të Royal-Jordania Airlines, duke marrë me vete falënderimet e autoriteteve ushtarake tajlandeze që kishin vazhduar të siguronin personin e tij, deri në momentin e largimit nga Tajlanda.

(Marrë me shkurtime nga libri “Geraldina e shqiptarëve” i autorit, Gwen Robyns) Përgatiti Armin Tirana/ Memorie.al

1939-9-maj-stamboll1 1939-10-gusht 1939-10-korrik-myzejeni 1939-12-maj-stamboll 1939-belgjike 1939-follorine-8-prill-1939-geraldina 1939-riga-letoni 1939-rrugëtimi-familjes-mbretërore 1939-Ruhije-Maxhide-et-Myzejen 1939-stokholm-aa 1939-suedi 1939-zogu-myzejen-e-maxhide 1940-geraldina-leka 1940-londer-familja 1946-egjip-me-viktor-emanuelin 1948-leka-geraldina 1939-belgjike - Copy

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura