Përgojimet e vetvetes

Feb 6, 2018 | 11:01
SHPËRNDAJE

albert dojaALBERT DOJA

Diku aty nga fundi i tetorit 2017, si reagim ndaj një shkrimi në mediat europiane, kam postuar diç- ka për të demaskuar një model mjaft të ngulitur te shqiptarët e vetëdeklaruar  politikisht të mençur,të cilët përpiqen me çdo kusht t’i tregojnë botës se çdo gjë është e keqe dhe duhet përgojuar e dënuar në këtë vend. Sa më shumë politikanët, militantët dhe të mençurit e tjerë tregojnë plehra mbi fëlliqësi në këtë vend, aq më e mençur u duket vetja.

Për më tepër, fillojnë edhe të besojnë se i kanë gjetur ilaçin këtij vendi me histerinë e nxjerrjes në pah të çdo papastërtie e ndyrësie në pazaret e mediave të botës para se t’i lajnë të palarat në vend. Dikush me shumë mençuri e krenari argumenton, për shembull, kanabizimin e mbarë Shqipërisë. Shumë nga këta shqiptarë të mençur e krenarë konkurrojnë me njëri-tjetrin në mediat asociale dhe në shoqërinë jocivile se kush e kush të gatuajë një çorbë sa më të ngrohtë për ta bërë botën të besojë se kanabizimi apo Mafia është mbi të gjitha një fakt shqiptar.

Por çfarë do të thotë që një vend është kanabizuar? Së pari dhe më kryesorja,kjo do të thotë se ka diku një treg të paligjshëm për drogë. Kur dikush bën pyetje se ku, përgjigja është e thjeshtë dhe shumë shpejt tregon drejtimin prej nga shqiptarët e mençur gjejnë frymëzimin për kritika. Sipas Oxford World Enciklopedia, trafiku i drogave të paligjshme dhe kodi kompleks e i pamëshirshëm i sjelljes, që lidhet më shumë me krimin e organizuar ndërkombëtar të njohur si Mafia, fillimisht ka vepruar në Sicilie dhe tashmë kryesisht në Itali dhe në SHBA.

Por shikoni me sa elegancë Umberto Eco ka dalë në mbrojtje të Italisë: “Mafia është një fenomen aq ndërkombëtar, sa në Moskë dikush e pyeti përkthyesin se si thuhet Mafia në italisht”. Kam frikë se problemi nuk është që kanabizimi është i dënueshëm dhe duhet dënuar, por më tepër që mbarë Shqipëria dhe shqiptaret si një popull i tërë, përfshirë si ju ashtu edhe mua, të gjithë jemi kanabizuar dhe përgojuar.

Më vjen keq, por më duhet të ngrihem kundër, jo sepse nuk i pranoj kritikat, por si vuri re një prej komentuesve sepse mençuria për të njohur kur dhe çfarë duhet kritikuar, si dhe kur dhe çfarë duhet vlerësuar, është një aftësi kritike që na duhet të kemi. Pothuajse në të njëjtën kohë, mes aktiviteteve të tjera në Harvard, isha i pranishëm edhe në një seminar mbi dëshirën apo rendjen pas çështjeve të sigurisë, që lidhej me populizmin, mediat dhe politikën e krimit në Venezuela, por që mua më dukej sikur aty flitej edhe për Shqipërinë.

Narrativa e krimit nuk bën gjë tjetër veçse prodhon e riprodhon në përmasa rritëse krimin, i cili shërben si ushqim për populizmin, i cili ushqehet nga nevoja për siguri në kushtet e pasigurisë,e cila ushqehet nga politika që ushqen këtë narrativë. Gazetat janë mbushur me krime, rrëfime të të afërmve të viktimave, rendje mbas lajmit të krimit, krijimi i një karriere gazetari e që mbështetet në raportimin e krimit e asgjë tjetër, mungesa e drejtësisë dhe politikave ndëshkuese për bandat e krimit, krijimi i një gjendjeje pasigurie, që shfrytëzohet nga politika për të ardhur në pushtet apo për të mbajtur pushtetin etj, etj.

Kështu, gjendja e pashpresë ka molepsur çdo gjë e këdo pa fund si një boomerang, që ka pllakosur gjithë shoqërinë. Një tmerr i vërtetë! Mund të ketë edhe në Shqipëri shumë njerëz të ndyrë kriminelë, si dhe jeta mund të jetë mjaft e papastër moralisht dhe politikisht. Por, mendoj se fëlliqësia më e madhe që ka pllakosur vendin dhe që duhet para së gjithash të kritikohet, është polarizimi histerik i shqiptarëve të vetëdeklaruar të mençur, në garë me njëri-tjetrin për të përgojuar e dënuar çdo gjë në këtë vend. Pavarësisht se çfarë diskutohet e kritikohet, këta ndihen edhe më të mençur sa më shumë e ndotin gjithçka që supozohet se qëndron në anën kundërt.

Pavarësisht se sa shumë është e nevojshme t’i bëjmë njerëzit të shpresojnë, çdo gjë që bëhet merr anën e një partie dhe për këtë arsye kritikohet dhe përgojohet nga të mençurit e partisë së kundërt. Për më tepër,shumë shpesh brekët e palara i nxjerrim në pazaret publike ndërkombëtare. Prandaj, s’është për t’u habitur kur tregojmë rrobat e brendshme para se t’i lajmë, dëmi është i plotë dhe të gjithë jemi përgojuar dhe kemi mbetur pa shpresë.

Por nuk duhet habitur pastaj pse të tjerët na konsiderojnë jo vetëm të prapambetur, por edhe ndyrësira të rrezikshme. Le të jemi të paktën sadopak më shumë të mençur për të parë më mirë pse të tjerët na shikojnë dhe do vazhdojnë të na shikojnë si njerëz të qelbur, të një vendi të qelbur, me një shtet të qelbur dhe një klasë politike të qelbur. E si mund të jetë ndryshe kur politikanët e mençur, sa herë janë në opozitë, nuk lënë pa treguar me gishtin përpjetë plehrat e vendit, që vetë kanë hedhur në pazarin e botës. A thua se botës i ngelen sytë te gishti i tyre dhe jo te plehrat e qelbura.

Le të mos flasim pastaj kur vetë kryeplaku i kryevendit i shkruan letër një babamadhi të huaj për t’u shfajësuar për çorbën e qelbur në sofrën e vet apo kur lëshon një dekret për të bërë prift në sofër të parin mjekrosh nga lapangjozët e huaj. A thua se kështu kalamajtë e vet janë ndëshkuar që nuk ia dëgjojnë fjalën dhe nuk e pyesin. Duhet thënë se një rol jashtëzakonisht mendjelehtë kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në këtë drejtim edhe studiuesit, intelektualët apo opinionistët e sotëm në Shqipëri, pa harruar edhe një pjesë prej tyre, që janë shkolluar apo që punojnë e studiojnë në vende të ndryshme të botës që konsiderohet moderne dhe e qytetëruar.

Në fakt, nëse nuk janë mediokër apo naivë, në një pjesë të konsiderueshme rastesh të tjera dhe me përjashtime të rralla, këta nuk janë veçse delenxhinj, që përvetësojnë në një mënyrë vetë-kolonizuese modelet ekzotike të përfytyrimit të gjërave. Ashtu si në rastin e aventurierëve të huaj, që udhëtonin nëpër Shqipërinë veriore për të kërkuar prestigj artificial, edhe interesi i shumë prej shqiptarëve nuk është veçse të përftojnë mirënjohje të pamerituar prej qarqeve të caktuara intelektuale, akademike, mediatike apo artistike, sidomos në vendet perëndimore që zakonisht vazhdojnë të konsiderojnë kulturën, historinë dhe shoqërinë shqiptare sipas shablloneve ekzotike postkoloniale apo post-socialiste.

Kur dikush p.sh. ngul këmbë me kryeneçësi mbi ekskluzivizmin dhe veçorinë krahinore, dialektore, fetare e politike të veriut që i kundërvihet jugut, duke i sendërtuar barbarisht dhe jo thjesht emërtuar si gegë e toskë, nuk ka se si ky sendërtim të mos merret si provë e prapambetjes së zakoneve dhe strukturave klanore, që supozohen pastaj se janë të amshuara për shqiptarët. Jo vetëm kjo është politikisht e rrezikshme sepse në mënyrë të paparashikuar apo të qëllimshme përpiqet të përçajë e përfundimisht të zhbëjë kulturën me të cilën operon shoqëria shqiptare, por është edhe shkencërisht e pajustifikueshme sepse injoron në mënyrë të pavetëdijshme apo të qëllimshme domethënien dhe rolin e kulturës në shoqëri.

Ata që sot e mbajnë veten për studiues të historisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare, ajo sërë pseudo-filozofësh e opinionistësh, demagogë e pedagogë, ideologë e llafologë, kur nuk janë matrapazë nihilistë apo matrapazë dumbabistë, me përjashtime të rralla, për fat të keq nuk janë veçse analfabetë, sidomos kur nuk kanë shkollimin profesional dhe formimin e duhur për të kryer analiza të sakta të dukurive shoqërore. Edhe më keq, kur të tjerë kujtojnë se liria e shprehjes apo liria e shtypit është kush të hedhë shashkën më të zhurmshme, kush të gjejë gallatën më të madhe,kush të bëjë më shumë zhurmë e potere, apo scoop si i thonë në zhargon gazetaresk.

Këta nuk bëjnë gjë tjetër veçse sendërtojnë dhe çimentojnë disa modele të sjelljes, që mund të quhet përsëri “prapanike” në përbërje të asaj kulture denigruese që ka filluar të quhet kultura e së enjtes parlamentare e që mund të quhet edhe si kultura e “ënjtjes” shqiptare. Ashtu si aventurierët e huaj harbojnë nëpër malet e skutat e Shqipërisë në kërkim të tipareve më primitive e arkaike, ekzotike e erotike apo orientale e anadollake, po ashtu edhe këta vërsulen si të tërbuar për të mohuar e shkelur me këmbë çdo gjë.

Kur dikush p.sh. përpiqet me kokëfortësi naive të dekonstruktojë çdo lloj vlere kombëtare apo të përdhunojë çdo lloj miti identitet-formues, që nga bastardimi i legjendave të Rozafës, Doruntinës e Gjergj Elez Alisë, te minimizimi i epopesë historike të Gjergj Kastriotit e deri te përgojimi i shkrimtarit të shquar Ismail Kadaré, kjo nuk mund të mos ketë implikime politike për marrëdhëniet e shqiptarëve me të tjerët, sidomos në një kohë kur shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për të përcaktuar vendin e tyre në historinë dhe në shoqërinë rajonale dhe globale.

Mjerisht, përpjekje të tilla nuk bëhen veçse për të tërhequr sadopak vëmendjen e të ashtuquajturve miq të huaj, ashtu siç bëhen për të shtuar numrin e lajkave (likes) në “Facebook”. Mjafton për këtë të marrin aprovime apo financime për ato projekte që u përkëdhelin sedrën fëminore se ata dhe vetëm ata bëjnë pjesë në botën e qytetëruar, ndërsa të tjerët nuk janë veçse malokë a fshatarë të pagdhendur e të prapambetur. Por, çdo lloj përpjekje e tillë për t’u treguar më të mençur a më të qytetëruar se bashkëkombësit e tjerë, është përpjekje trashanike dhe mashtruese ashtu si dhe lajkat në “Facebook”.

Nuk ka dyshim se përpjekje të tilla dhe gjithçka që bëhet për t’u trajtuar në mënyrë të diferencuar në sytë e asaj bote që e mban veten të qytetëruar, bëhet në emër të ideologjive të kamufluara post-koloniale apo ka një karakter të pastër infantilizmi vetë-kolonizues. Madje, shkohet deri aty sa edhe parimet metodologjike konstruktiviste të mos kenë më kuptim. Qartazi, përpjekje të tilla kthehen në të kundërtën e vet. Nëse e sheh veten vetëm në atë lloj pasqyre apo përpiqesh të shëmbëllesh vetëm ato lloj modelesh që mbahen të qytetëruara, nuk bën gjë tjetër veçse përpiqesh të ndërtosh një mistifikim të ri, që në fund të fundit, ngrihet mbi shkatërrimin e vetvetes.

Shoqëria shqiptare po përjeton transformime radikale, pothuajse në çdo fushë, çdo aspekt, çdo detaj, por që në radhë të parë flasin më shumë për vitalitetin dinamik, me të cilin ndërmerren transformimet se sa për rezultatet e tyre. Për fat të keq dhe ç’është e vërteta, në të njëjtën kohë shoqëria shqiptare po përjeton edhe shkatërrime radikale pothuajse në të gjitha fushat, sidomos për sa u përket vlerave morale dhe sociale. Me sa duket kjo lidhet me traditat e pakonsoliduara mirë për shkak të atij tranzicioni të pafund e problematik në kërkim të vetvetes që shoqëria shqiptare ka filluar para më se njëqind vjetësh dhe që vetëm na duket se është përshpejtuar këto dekadat e fundit.

*Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Profesor titullar, Universiteti i Lillës, Francë Profesor vizitues, Universiteti Harvard

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura