Përgjon ish-të dashurën me kamera në makinë, donte prova nëse e tradhtonte

Jun 18, 2015 | 9:04
SHPËRNDAJE

Pas ndarjes me të dashurën kërkon ta vërtetojë me prova nëse ajo e ka tradhtuar me dikë tjetër. Një 38-vjeçar nga Elbasani ka instaluar në makinën e ishtë dashurës një kamera, për të kontrolluar lëvizjet e saj dhe telefonatat që do të bënte në makinë.

Policia e Elbasanit

Kjo situatë ka ndodhur për gati 2 javë, por pronarja e makinës, 27-vjeçarja me inicialet E.B. e ka zbuluar, duke bërë që të vihet në pranga ish-i dashuri dhe shoku i tij. Policia ka arrestuar dy 38-vjeçarët Gentian Mino dhe Adrian Hysi nën akuzën e “përndjekjes së kryer në bashkëpunim”.

Burime të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se ka qenë 27-vjeçarja me inicialet E.B, e cila ka denoncuar në polici se kishte dyshime se në mjetin e saj ishte instaluar një kamerë në mënyrë të fshehtë, me qëllim për ta përgjuar. Policia pasi hetoi mjetin tip “Fiat” vërtetoi se me të vërtetë në mjetin e 27-vjeçares ishte instaluar kamera.

Në bazë të të dhënave të marra nga vajza e re, Policia arrestoi dy shokët, ish-të dashurin Gentian Mino, si dhe Adrian Hysin, që të dy me banim në qytetin e Elbasanit. Sipas dyshimeve të Policisë, bazuar në dëshminë e denoncueses, kjo e fundit ka dashur t’i japë fund lidhjes me Minon, për shkak të debateve që kishin pasur mes tyre.

Ngjarja ka ndodhur rreth një muaj më parë, kur i vënë në dyshime se vajza mund të ketë pasur një lidhje tjetër, 38-vjeçari vendos t’i instalojë në mjet një kamera. Për këtë qëllim, rreth dy javë më parë ai i merr makinën vajzës me motivin se i duhej për një punë dhe paguan Adrian Hysin për ta instaluar. Sipas dëshmisë së dhënë nga Hysi, Mino e ka justifikuar këtë kërkesë me motivin se kishte frikë se mos ia vidhnin makinën.

Mësohet se 38- vjeçari Adrian Hysi prej kohësh njihej si instalues kamerash në biznese të ndryshme dhe ka pranuar ta instalojë kamerën në mjet pa ditur qëllimet e 38-vjeçarit. Çdo gjë është zbardhur në Polici, ku mësohet se 38-vjeçari e ka kryer këtë akt thjesht për të mësuar ndonjë lidhje të dyshuar të ish-të dashurës së tij dhe se nuk kishte ndërmend ndonjë veprim tjetër që do të rrezikonte jetën e 27-vjeçares.

Ndërkohë ai ka vërtetuar edhe pafajësinë e Adrian Hysit për këtë akt. Gjithsesi, hetimet vazhdojnë për të zbardhur të plota rrethanat e kësaj ngjarjeje, i pari rast që ndodh në qytetin e Elbasanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura