“Përgjimi me kamera i territorit nga krimi ka marrë përmasa tronditëse”- PL: Kanë pasur kontroll të plotë mbi policinë, qeveria që mbante me rroga patronazhistët…

Jan 29, 2023 | 14:30
SHPËRNDAJE

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Floida Kërpaçi është shprehur se përgjimi me kamera i territorit nga krimi ka marrë përmasa të frikshme.

strjutr6ju

Përmes një deklarate nga selia e PL-së, ajo tha se gjithçka ka ndodhur me dijeninë e qeverisë, që sipas saj e kishte përqëndruar vëmendjen për të sulmuar opozitën dhe për të paguar patronazhistët që të spiunonin qytetarët.

Kërpaçi shtoi se krimi ka pasur kontroll të plotë mbi policinë gjatë kësaj kohe.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë!

Fakti skandaloz i përgjimit me kamera të territorit haptas nga krimi ka marrë dimensione tronditëse.

Në dhjetëra bashki të vendit janë evidentuar qindra kamera të pautorizuara dhe në shërbim të grupeve kriminale.

Realisht krimi ka pasur nën kontroll të plotë Policinë e Shtetit dhe veprimtarinë saj në terren.

Për vite me radhë kjo veprimtari ka vazhduar e pa shqetësuar sepse policia kishte prioritet të përgjonte, monitoronte dhe dhunonte opozitën dhe qytetarët e thjeshtë dhe jo të vepronte ndaj grupeve kriminale.

Policia që shikon edhe një fshatar që shet një trastë domate e dy tufa majdanoz apo që nuk i shpëton një riparim çezme në një banesë qytetari, nuk paska parë qindra kamera anë e mbanë vendit që haptas mbështesnin veprimtarinë kriminale dhe trafiqet e çdo lloji.

Qeveria që mbante me rroga patronazhistët dhe kishte merak të merrte vesh gjithçka mbi qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës bënte sikur nuk e shikonte që grupet kriminale kishin në kontroll policinë në një kohë që duhet të ndodhte krejt e kundërta.

Sot kjo situatë skandaloze është shumë e qartë dhe faktet po provojnë gjithçka që opozita ka ngritur me forcë për kapjen totale të shtetit nga Rama dhe rilindja.

E vetmja përgjigje për këtë shtet të kapur është vota masive e qytetarëve.

14 maji është momenti kur do të realizohet ndryshimi me çdo cmim dhe kur shteti do t’ju kthehet më në fund qytetarëve dhe do të punojë për ta dhe jo për trafikantët, të korruptuarit dhe kriminelët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura