Përgjimi, jeta private dhe liria gazetareske

Jun 16, 2020 | 10:18
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI xhezair-zaganjori

Rreth një muaj më parë, me 19 maj të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e RF Gjermane dha një vendim tepër të rëndësishëm, që prek çështje mjaft delikate lidhur me thelbin e raportit të ndërlikuar ndërmjet lirisë individuale dhe pushtetit shtetëror. Për herë të parë, ajo deklaroi shumë qartë se në kushtet e sotme të proceseve integruese e globalizuese dhe të rritjes së bashkëpunimit dhe të përgjegjësive ndërkombëtare, detyrimi i të tri pushteteve për respektimin e të drejtave të njeriut të garantuara nga Kushtetuta, nuk mund të kufizohet vetëm brenda kufijve të territorit shtetëror, por edhe jashtë vendit, kudo ku organet respektive publike realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese e ligjore. Vendimi është mirëpritur dhe po komentohet me shumë dëshirë e seriozitet si në shtypin e përditshëm, ashtu edhe në nivel akademik. Në një shkrim si ky, do përpiqemi të japim një informacion të përgjithshëm rreth tij e në mënyrë të veçantë, atë që lidhet ngushtësisht me jetën private dhe me lirinë e shtypit, për të cilat sigurisht që interesi publik është natyrshëm më i madh dhe më i drejtpërdrejtë.

Fabula në fakt është e thjeshtë dhe e njohur për të gjithë. Zhvillimi dhe modernizimi i vazhdueshëm i teknologjisë së informacionit ka sjellë transformime rrënjësore në jetën shoqërore. Ndër të tjera, është shumëfishuar, shpeshtuar, lehtësuar e thjeshtësuar edhe komunikimi mes njerëzve. Interneti, e-maili, sms e të tjerë mundësojnë tashmë shkëmbimin e menjëhershëm të mendimeve dhe të informacionit në të katër anët globit. Bota po bëhet gjithnjë e më e vogël. Sigurisht që kjo ka ndikuar e ndikon pozitivisht në zhvillimin e gjithanshëm e shumëdimensional të shoqërisë njerëzore. Por nga ana tjetër, ky zhvillim mbart me vete edhe rreziqe të mëdha, siç janë përdorimi i këtyre arritjeve nga individë apo organizata kriminale, nga krimi i organizuar apo veprimtaritë subversive e korruptive. Profesori i shquar Bellerin përmend me shumë të drejtë se, nuk është rastësi që shfrytëzimin më të madh të mundësive që ofron interneti e bëjnë pikërisht organizatat terroriste për propagandë, për të financuar, rekrutuar, planifikuar e realizuar aktet e tyre makabre ndaj demokracive liberale dhe njerëzve të pafajshëm. Në thelb, të njëjtën ide përcjell edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe juristi i shquar francez, Francois Moulin, i cili, në një aktivitet ndërkombëtar zhvilluar një vit më parë, theksonte fuqishëm ndër të tjera se shfrytëzimi i këtyre arritjeve dhe kryerja e planifikuar e akteve terroriste në këto përmasa, nuk janë gjë tjetër veçse krime kundër njerëzimit, ndaj të cilave bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë e bashkuar, me shumë energji e vendosmëri. Për realizimin e këtyre detyrave, pa dyshim që edhe shërbimet sekrete të shteteve demokratike luajnë një rol tepër të rëndësishëm. Dixhitalizimi i komunikimit dhe arritjet e reja e të shumta të teknikës bashkëkohore u krijojnë atyre mundësinë të grumbullojnë e përpunojnë informacione të shumta, tepër të rëndësishme e mjaft të dobishme për realizimin e detyrave të tyre. Por ama, në një shtet demokratik, natyrisht që kjo veprimtari duhet zhvilluar duke respektuar me rigorozitet të drejtat dhe liritë kushtetuese të individit. Aq më tepër që bëhet fjalë për një proces që për vetë natyrën e tij është i fshehtë, gjë që zbulon tërësisht individin e pafuqishëm përballë mekanizmave pa fund të pushtetit shtetëror. Për më tepër, edhe ky shërbim kryhet nga njerëz. Ndaj, krahas gabimeve njerëzore që mund të bëhen prej tyre, nuk përjashtohet edhe keqpërdorimi i këtij informacioni për arsye politike, për shantazh, hakmarrje apo synime e qëllime të tjera që bien hapur në kundërshtim me ligjin. Dhe individi nuk di e nuk ka se si të dijë asgjë e ndaj nuk ka mundësi as të ankohet e as të sqarojë rreth çështjeve të përgjuara apo të interceptuara. Pikërisht këto probleme trajtohen edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese Gjermane, por në kushte tepër specifike. Në rastin e shqyrtuar prej saj bëhet fjalë për survejimin apo përgjimin e shtetasve të huaj jashtë territorit të RFGJ dhe cenimin potencial me këtë rast të të drejtave individuale të tyre, veçanërisht të jetës private dhe të lirisë së shtypit.

Konkretisht, ndryshimet ligjore të vitit 2016 i japin të drejtë Shërbimit Informativ Federal (Bundesnachrichtendinst – BND) që nga territori i RF Gjermane dhe duke përdorur mjetet teknike bashkëkohore, të marrë informacione në rrjetet e ndryshme të telekomunikacionit ndërkombëtar, që vijnë përmes komunikimit të të huajve jashtë Gjermanisë (neni 6 i këtij ligji). Një gjë e tillë bëhet për të garantuar sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Gjermanisë; për të realizuar detyrimet ndërkombëtare; për të mbështetur politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe veprimtarinë e organeve shtetërore të saj, veçanërisht të Kabinetit të Kancelarit, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes e të tjerë.

Dispozitat e mësipërme të ligjit në fjalë u kontestuan në Gjykatën Kushtetuese nga disa gazetarë, aktivistë dhe shoqata të njohura në fushën e të drejtave të njeriut. Ndër të tjera, në kërkesat e paraqitura prej tyre vihej në dukje se rregullimet e mësipërme ligjore cenojnë dukshëm disa dispozita të Kushtetutës Gjermane, veçanërisht paragrafin e tretë të nenit 1 (detyrimi i organeve shtetërore të të tri pushteteve për të garantuar të drejtat e njeriut); fjalinë e dytë të paragrafit të parë të nenit 5 (liria e shtypit dhe liria e raportimit gazetaresk) dhe paragrafin e parë të nenit 10 (privatësia e komunikimit me anë të letrave si dhe sekreti (fshehtësia) i komunikimit me postë dhe mjete të ndryshme të telekomunikacionit). Shqetësimi kryesor i kërkuesve ishte praktikisht dhe para së gjithash cenimi i punës së tyre të përditshme gazetareske, raportimi nga jashtë për ngjarjet, zhvillimet dhe problemet e ndryshme në të katër anët e botës, kryesisht nga zonat dhe shtetet me konflikte të shumta politike, ushtarake e civile, apo me probleme serioze me zbatimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe korrupsionin, tema që i interesojnë në fakt njëkohësisht edhe BND-së apo shërbimeve të fshehta në përgjithësi. Në këndvështrimin formalo–juridik, interesi i kërkuesve në GJK ishte mbrojtja e burimeve gazetareske, mbrojtja e burimeve të informacionit që ato marrin rregullisht për shkak të punës që bëjnë; mbrojtja nga keqkuptimet dhe procedimet e mundshme arbitrare të garantuara në Kushtetutë dhe në Kodin gjerman të Procedurës Penale; si dhe mungesa e natyrshme e dëshirës për t’u përfshirë pa nevojë dhe arbitrarisht në dosjet e shumta e të sikletshme të Shërbimit Informativ.

Seanca gjyqësore e zhvilluar në dy ditë në Gjykatën Kushtetuese gjermane, në fund të janarit të këtij viti (2020), nxori, në fakt, mjaft probleme interesante, por njëkohësisht edhe shqetësuese. Sipas dëshmive të paraqitura, u evidentua se sistemi (DAFIS) i instaluar nga BND, pa pasur një detyrë apo çështje konkrete, filtron rreth 1 miliard e 200 milionë kontakte interneti në një ditë, prej të cilave selektohen automatikisht rreth 150 mijë komunikime në formë email-i, chat-i, biseda telefonike me prefiks +49 (prefiksi i Gjermanisë) apo forma të tjera elektronike, të cilat vetë makineria i vlerëson si “me interes”. Por, në fund të këtij procesi ditor, për verifikim të mëtejshëm mbeten rreth 250 komunikime, të cilat lexohen apo dëgjohen nga punonjësit e BND, për t’i përcjellë ato më pas në dosjet dhe zyrat respektive. Drejtori i Përgjithshëm i Kabinetit të Kancelares, njëkohësisht edhe ministër Federal për Çështje të Veçanta, Helge Braun, evidentoi para Gjykatës Kushtetuese rëndësinë e veçantë të këtij informacioni që merret nga BND, për luftën kundër terrorizmit, ndërhyrjet apo sulmet kibernetike, mbrojtjen e ushtarëve apo të shtetasve të tjerë gjermanë, të angazhuar jashtë vendit, në kuadër të detyrave të OKB-se, NATOs apo Bashkimit Europian e të tjerë. Ai shtoi më tej se shpesh, nga këto informacione vendoset edhe çështja apo fati i luftës apo i paqes në shtete ose rajone të ndryshme të botës. Rezulton gjithashtu se gjatë seancës, gjyqtarët kushtetues u përpoqën të marrin informacion të hollësishëm edhe për mënyrën e krijimit, administrimit dhe ruajtjes së dosjeve nga ana e BND, sidomos kur bëhet fjalë për të dhëna e fakte që lidhen me punën dhe jetën e ngushtë private të gazetarëve dhe avokatëve. Po kështu, interes u tregua edhe për administrimin e informacionit të grumbulluar që lidhet me besimin fetar të individëve të interceptuar.

Duket qartë që në çështjen konkrete janë në lojë kryesisht çështje të tilla të rëndësishme të të drejtave të njeriut, siç janë kufijtë juridiksionalë të përgjegjësisë së shteteve për respektimin e të drejtave themelore, si dhe jeta private dhe liria e shtypit, në kuadër të përgjimit të telekomunikimeve, jashtë kontekstit të procedimit penal. Për këto probleme, ka, në fakt, edhe një jurisprudencë të pasur të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Kështu, për shembull, për çështjen e parë, atë të shtrirjes së juridiksionit kombëtar, pavarësisht mungesës së konsistencës në jurisprudencën e saj, ajo ka përcaktuar se në parim përgjegjësia e shteteve anëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut, mund të kapërcejë edhe kufijtë e tyre territorialë të njohur ndërkombëtarisht, nëse aktet zyrtare apo veprimet e personave që ushtrojnë pushtet shtetëror, njihen dhe tolerohen në rastin konkret nga shteti respektiv. (Çështjet Luizidou v. Turqisë; Ocalan v. Turqisë; Jaloud v. Holandës; Al Jedda v. Britanisë; Alk-Skeini v. Britanisë, e të tjerë). Po kështu, për çështjen e raportit mes përgjimit dhe jetës private e lirisë së shprehjes, GJEDRNJ u ka kërkuar shteteve anëtare rregullime të qarta ligjore me natyrë procedurale e materiale, në mënyrë që të jepet garanci e mjaftueshme dhe efektive kundër çdolloj veprimi të njëanshëm apo arbitrariteti të ndërhyrjes së autoriteteve shtetërore. Me rëndësi të veçantë në këtë kuadër është sidomos përcaktimi i qartë i kushteve dhe kritereve mbi marrjen e autorizimit të përgjimit. (shih Zakharov v. Rusisë; Kennedy v. Britanisë; Popescu v. Rumanisë; Weber dhe Saravia v. Gjermanisë, e të tjerë).

Këto standarde i gjejmë natyrshëm të trajtuara edhe në shumicën e gjykatave Kushtetuese apo gjykatave të Larta të vendeve të ndryshme, por vetëm për sa i përket jetës private dhe lirisë së shtypit. Në këtë drejtim vlen të përmendet shkurtimisht se në sistemin gjerman, faktor përcaktues i ligjshmërisë së ndërhyrjes në të drejtat e sipërcituara është parimi i rëndësishëm i proporcionalitetit, elaboruar në mënyrë shembullore apo të shkëlqyer nga doktrina dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të RF Gjermane. Në sistemin amerikan, vendimtar në këto raste është i ashtuquajturi testi “Holmes”, formuluar vite më parë nga ikona e gjyqësorit amerikan, Oliver Wendell Holmes, sipas të cilit, veçanërisht në kuadër të lirisë së shprehjes, përcaktuese mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes, duhet të jetë në çdo rast vlerësimi nëse në çështjen konkrete ekziston “… një rrezik i qartë dhe aktual, që do të sillte pasoja shumë të dëmshme, te cilat Kongresi ka mundësinë t’i parandalojë”. Duket qartë që ky test ngjason shumë me atë të proporcionalitetit. Por, nga ana tjetër, të gjitha sistemet heshtin sa i përket rregullimit ligjor të përgjegjësisë që ato mund të kenë në parim për shkeljen e të drejtave themelore të shtetasve të huaj përmes akteve dhe veprimeve që realizojnë në territorin e tyre, por që kanë impakt apo efekt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët e tjerë jashtë këtij territori. I tillë është edhe rasti konkret. Dhe Gjykata Kushtetuese e RF Gjermane, siç u theksua më lart, për herë të parë në praktikën shtetërore, e njeh shprehimisht këtë lloj përgjegjësie. Ritheksojmë se që në fjalinë e parë të vendimit historik të saj të 19 majit të këtij viti, ajo e thotë qartësisht se në zbatim të paragrafit të tretë të nenit 1 të Kushtetutës gjermane, detyrimi i autoriteteve shtetërore për mbrojtjen e të drejtave themelore nuk mund të kufizohet vetëm brenda territorit gjerman, por kudo ku shtrijnë efektet aktet dhe veprimet zyrtare, pavarësisht vendit, kohës, personit dhe mënyrës së veprimit, e, për më tepër, pavarësisht faktit të rëndësishëm që në këto hapësira shteti nuk e ka monopolin e pushtetit shtetëror. Prandaj, duke mos pasur parasysh këto fakte dhe duke mos e rregulluar si duhet çështjen e përgjimit të të huajve jashtë territorit gjerman, Gjykata Kushtetuese arrin në konkluzionin se ndryshimet ligjore të vitit 2016 mbi veprimtarinë e BND cenojnë rëndë jetën private dhe lirinë e shtypit, të garantuara respektivisht nga nenet 5 dhe 10 të Kushtetutës.

Është interesant të vihet në dukje se në vendimin prej rreth 140-faqesh të Gjykatës Kushtetuese, tregohet kujdes shumë i madh për të justifikuar e mbështetur veprimtarinë e shërbimit sekret gjerman (BND), duke evidentuar detyrimet kushtetuese e ligjore të saj si dhe ato me natyrë ndërkombëtare. Evidentohet me këtë rast dijenia, ndërveprimi dhe bashkëpunimi edhe me shtetet e tjera, e në mënyrë të veçantë me shërbimet informative respektive të këtyre vendeve. Por, ndërkaq, bëhet deklarimi tjetër i rëndësishëm se edhe në këto raste, ndërhyrja apo cenimi i të drejtave themelore të individëve apo personave juridikë të prekur duhet të bëhet vetëm duke zbatuar me rigorozitet parimin e proporcionalitetit, ashtu siç veprohet normalisht edhe për vlerësimin e ndërhyrjeve të tilla brenda territorit gjerman. Sepse vetëm kështu përcaktohen qartë detyrimet pozitive të shtetit për mbrojtjen efektive dhe të barabartë të të drejtave individuale të garantuara nga Ligji Themelor. Po në këtë kuadër, kërkohet bashkëpunimi më i ngushtë me shërbimet informative të vendeve të tjera; përcaktimi me rregulla më të qarta i natyrës, fushave dhe kategorive të ndryshme të përgjimit, duke i kushtuar vëmendje të posaçme mbrojtjes së interesave profesionale dhe personale të gazetarëve dhe avokatëve; administrimi më i kujdesshëm dhe më i përgjegjshëm i dosjeve, si dhe heqja apo fshirja e menjëhershme e mundësisht automatike e të dhënave të parëndësishme për natyrën e shërbimit sekret, por që lidhen ngushtë me punën, me jetën intime, personale e familjare apo me bindjet fetare, politike e filozofike të personave të përgjuar. Duke pasur parasysh sa më sipër, vendimi kërkon që përveç forcimit të kontrollit parlamentar në këtë drejtim, të krijohet edhe një mekanizëm i pavarur, kryesisht me juristë, prokurorë, gazetarë e gjyqtarë, me buxhet dhe procedura pune autonome, i cili duhet të mbikëqyrë format e punës së shërbimit informativ, me fokus kryesor mbrojtjen e të drejtave themelore.

Përsërisim se në thelb, Gjykata Kushtetuese vlerëson se një ligj i tillë është më se i nevojshëm, sepse BND do të vazhdojë të ushtrojë edhe këtë aktivitet të rëndësishëm, por me formulime e garanci krejtësisht të reja, më të qarta e më të plota, të cilat duhet të marrin seriozisht në konsideratë interesat e ligjshme dhe të drejtat themelore të individëve të prekur, duke garantuar sa më mirë jetën private dhe lirinë e shtypit. Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton se ligji ekzistues mund të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor të vitit 2021. Deri në këtë afat, Bundestagu gjerman besohet se ka kohë të mjaftueshme për të bërë riformulimet e nevojshme që kërkohen nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kohëzgjatja e pazakontë me rreth 20 muaj e hyrjes në fuqi të rregullimeve të reja, u argumentua nga kryetari i trupit gjykues, Prof. Stephen Harbarth, i sapozgjedhur pak ditë më parë edhe si kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese të RF Gjermane, me ndjeshmërinë dhe “…interesat publike të jashtëzakonshme të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Republikës Federale Gjermane…”. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, besohet se praktikisht, edhe gjatë kësaj periudhe, BND do të dijë të zbatojë shumë mirë në veprimtarinë e përditshme të tij standardet apo urdhërimet e përmendura në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 19 maj 2020.

Mendoj së fundi se problemi që shtrohet dhe standardet e vendosura në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mund të jenë të dobishme edhe për realitetin shqiptar. Jo thjesht për të hartuar një ligj të veçantë për përgjimin apo interceptimin e komunikimeve të shtetasve të huaj jashtë territorit të Shqipërisë, sepse momentalisht besoj se nuk janë edhe mundësitë objektive për një gjë të tillë, por mbi të gjitha për të garantuar qytetarët shqiptarë nga efektet negative të këtij fenomeni që mund të vijnë nga jashtë. Prandaj, veçanërisht shoqatat e gazetarëve mund dhe duhet të jenë më aktive në këtë drejtim, për të kërkuar nga shteti i tyre garanci e mbrojtje më të mirë. Sepse çështja nuk shtrohet thjesht nëse ato preken drejtpërsëdrejti nga një veprimtari e tillë. Problemi është në gjerësinë e këtij fenomeni, i cili nuk është çudi të këtë përmasa të pabesueshme. Aq më tepër që përgjimet apo interceptimet rezulton se bëhen nga të gjithë ata që disponojnë teknikën e nevojshme, që në kushtet e sotme nuk janë vetëm operatorë të shumtë shtetërorë, por edhe privatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura