Përgjimi i ministrit/ Sekretarja e gjeti pajisjen fikur, kishte rënë bateria

Jun 5, 2016 | 9:05
SHPËRNDAJE

Prokuroria ka marrë në pyetje sekretaren e zyrës së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për gjetjen e pajisjes përgjuese në ambientet e këtij dikasteri.

Tahiri-CimkaBurime të Prokurorisë kanë thënë se sekretarja e ministrit Tahiri është thirrur dhe marrë në pyetje për rreth një orë, ku ka dhënë deklarime para grupit të hetimit si person me dijeni për ngjarjen. Asaj mësohet se i janë kërkuar të dhëna në lidhje me datën 18 maj 2016, kur në zyrën e ministrit Tahiri ka gjetur pajisjen regjistruese-transmetuese zanore.

Një burim nga Prokuroria tha se sekretarja është pyetur për gjithë personat që kanë hyrë dhe kanë dalë në zyrën e ministrit gjatë muajit maj të këtij viti. Punonjësja e Ministrisë mësohet se ka lënë në Prokurori edhe regjistrin e hyrje-daljeve të shënuara për personat që kanë qenë në zyrën e Tahirit.

Prokuroria ka marrë edhe pamjet e kamerave të brendshme të Ministrisë nga marsi e në vazhdim. Në kallëzimin e përcjellë në Prokurori nga Ministria e Brendshme, dëshmia e sekretares që ka gjetur pajisjen më 18 maj 2016 është elementi kryesor.

PAJISJA

Policia Shkencore ka bërë dje publik modelin e pajisjes që është gjetur në zyrën e ministrit të Brendshëm, e cila është dërguar për ekspertim te grupi i ekspertëve. Pajisja përgjuese është një regjistrues-transmetues zanor i thjeshtë, që gjendet lehtësisht në treg dhe në internet me çmim fare të lirë.

Pajisja e gjetur në zyrën e ministrit punon në mënyrë të tillë që regjistrimin e bisedave zanore e përçon te njësia regjistruese ku depozitohet materiali i përgjuar. Dy pjesët e pajisjes përgjuese funksionojnë në një largësi të caktuar dhe për këtë arsye dyshohet se të dyja ato kanë qëndruar brenda ambienteve të Ministrisë tek ish-Garda për disa javë, ndonëse pjesa tjetër ende nuk është gjetur.

Burimet nga Prokuroria pohojnë se pajisja regjistruese-transmetuese është gjetur e fikur si pasojë e rënies së baterisë. Kjo duket se nënkupton se objekti përgjuese ka qëndruar të paktën një ose dy javë në vendin ku është gjetur nga sekretarja e ministrit, e cila më pas ka njoftuar eprorët e saj më 18 maj 2016.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura