Përgjimet si kryelajm në javën e çudirave

May 17, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Një sërë ngjarjesh të rën da kanë tronditur opinionin publik gjatë ditëve  të fundit. Ato nuk lënë kohë për habi. Ajo tashmë është një fazë e tejkaluar. Mes nesh ka bujtur çmeritja. Në shtëpinë e “Rilindjes” duket se kazani i mërive zien si darka e dreqit. Dëshira për t’ia kallur njëri-tjetrit po shndërrohet në transparencë të së keqes.

Konkurrencë me kriminelë e mafiozë, video me kryetarë bashkish me brekë të grisura, ndarje parcelore Prokurori-Polici, shantazhe të ndërsjella duket të jetë menyja në tryezën rreth se cilës mblidhet kjo maxhorancë, e cila nuk pat kurrë një bazament etik. Por më e rënda e ngjarjeve, nëse vërtetohet, dhe që rrezikon fort themelet e brejtura nga krimi dhe korrupsioni të Republikës sonë është çështja e përgjimeve.

Pas një liste me të përgjuar realë a hipotetikë – mbetet për t’u vërtetuar- të botuar në Facebook nga Sali Berisha, problemi u shndërrua në kryetemën mediatike dhe politike të momentit. Presidenti i Republikës dje, në një dalje publike, e konfirmoi praninë e një aparati të paligjshëm përgjimi në vendin tonë. Supozohet se kreu i shtetit është një nga njerëzit ose njeriu më i informuar nga Shërbimet Sekrete, Prokuroria e të tjerë.

Madje, Bujar Nishani aludoi se historia e përgjimeve është e vërtetë, duke kërkuar hetime të shpejta dhe të plota. Një deklaratë kësodore prej numrit një të vendit, sigurisht përballë mohimit kontradiktor të Qeverisë, e shton misterin dhe tollovinë e hamendësimeve. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pohoi -pa i vënë emër në mënyrë eksplicite- se një aparaturë e sjellë nga Interforca italiane për trajnimin e policisë ekziston, duke mohuar përgjimet.

Ligjet e këtij vendi lejojnë përgjimin me kërkesë të Prokurorisë dhe lejen e gjykatës, akt që e konsumon organi hetimor apo Shërbimet Sekrete. Policia, në asnjë rrethanë, nuk e ka këtë rol. Nëse duhej një trajnim i tillë, do të duhej pikërisht për ata njerëz që ligji ua njeh këtë të drejtë, si dhe një pajisje e tillë do të duhej marrë në zotërim sipas procedurash legale.

Një pandehmë të re në qytetin e pandehmave -përcaktim i denjë për Kryeqytetin tonë- lëshoi edhe Luan Rama, sekretari i LSI-së, i cili tha “nëse është e vërtetë, jemi përballë një skandali shumë të rëndë”. Nuk pat as ngutin, as zellin, as optimizmin përgënjeshtrues të tipit jo kjo është një shpifje kundër “Rilindjes”, kur dihet që Prokuroria e Përgjithshme ka filluar një hetim dhe procedim penal ndaj Policisë për këtë çështje. Shumë indicie të çojnë drejt idesë se kjo gjë e rëndë ka ndodhur.

Gjithsesi, në kundërvënien e re mes Qeverisë dhe institucioneve, ato që janë më pak të favorizuara në punën e tyre janë institucionet. Presingu i qeverisë ka filluar ta mbështjellë të gjithën me mantelin e Reformës në Drejtësi, si frikë ndaj saj, si kundërreagim. Diçka nuk bind pikërisht në këtë retorikë, e cila prej kohësh shfaqet si formula magjike e Kryeministrit Rama.

Nëse historia e përgjimeve është e vërtetë, Republika jonë ka rënë dhe secili prej nesh jeton jo në një shtet demokratik, por në bahçen mafioze të një klike, e cila na kontrollon dhe parapërcakton fatin, mundësitë dhe surprizat. Në këtë rast, më shumë se kurrë duhet zëri i Donald Lu, i cili nuk ka hezituar të flasë shqip, madje edhe për të mbrojtur të drejtat e vonuara të LBGT-së.

Shqiptarët kanë nevojë për qëndrim moral të SHBA-ve dhe të tijin si përfaqësues i tyre, por edhe për ndihmën konkrete për ta zbardhur këtë çështje, e cila po të jetë e vërtetë, ngjan me historinë amerikane të Uoter Gejtit të famshëm, që rrëzoi Presidentin Nikson dhe vuri SHBA-të përballë dilemave të mëdha që çuan në një katarsis dhe revizionim të pozicionit të agjencive ligjzbatuese.

Historia e komisioneve hetimore në Shqipëri është një dështim i pastër, ndaj duhet një palë e tretë për një çështje kaq delikate që ndan qeverinë nga institucionet, por bashkon shumicën e qytetarëve në dyshim. Një dyshim që, nëse nuk zbardhet, do të na modifikojë sjelljet, duke na e bërë jetën më depresive. Një dyshim, i cili minon çdo marrëdhënie besimi me shtetin shqiptar.

Një dyshim që të krijon ndjesinë e përdhunimit konstant. Një shoqëri e përdhunuar dihet nga historia se çfarë mund të ndërtojë!!! Nënshtrim ose anarki, por kurrsesi demokraci. Kurioziteti që kanë ngjallur “përgjimet” duhet shuar nëpërmjet një hetimi të paanshëm.

Opozita duhet të ftojë ndërkombëtarët në këtë histori. Ajo ka detyrim që këto “çështje të brendshme” të maxhorancës, t’i shndërrojë në tema të mëdha të komunikimit publik në ditët në vazhdim. Menaxhimi i tyre është një emergjencë kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura