Përgjimet e Tatimorëve, si u ndihmuan lojërat e fatit. Njoftuan bizneset për kontrollet, kërkonin “të respektoheshin nga pronarët”

Apr 19, 2015 | 15:12
SHPËRNDAJE

Abuzimet e tetë inspektorëve të Tatimeve dhe Njësisë së Lojërave të Fatit, të arrestuar ditët e fundit në Tiranë, kanë nisur që në nëntor 2014. Në kohën kur aksioni “Fund Marrëzisë” vazhdonte, dyshohet se shtatë inspektorë të Tatimeve dhe Lojërave të Fatit tashmë të arrestuar, dhe tre të tjerë në kërkim kanë mbrojtur pikat e basteve, nga të cilat merrnin ryshfet.


Hetimet e Njësisë “Task Force”, në Prokurorinë e Tiranës, kanë zbardhur faktin se shfrytëzonin në zona të ndryshme njohje me persona të veçantë, të cilët i njoftonin për kontrollet “e befasishme”. Pronarët e pikave të basteve apo lojërave të fatit merrnin masat për të mbyllur bizneset e tyre deri sa të përfundonte kontrolli, si edhe të njoftonin edhe tregtarë të tjerë për këto kontrolle.

Referuar përgjimeve telefonike që u janë bërë 11 punonjësve të Tatimeve dhe Njësisë së Lojërave të Fatit, pronarët e pikave të basteve në çdo rast, “duhet të respektonin inspektorët”, gjë e cila krijon dyshime të forta për veprime korruptive, thekson Prokuroria.

LUFTË KONKURRENTËVE
Pasi janë lidhur me pronarët e disa pikave të basteve dhe sallave të lojërave të fatit, 11 punonjësit e shtetit kanë marrë çdo muaj shuma ryshfeti në mënyrë të rregullt.

Në këto kushte, biznesmenët që jepnin paratë, kanë arritur jo vetëm të mbrojnë aktivitetin e tyre nga kontrollet dhe nga bllokimi, por përmes inspektorëve të tatimeve dhe Njësisë së Lojërave të Fatit kanë kërkuar të dëmtonin konkurrentët e tyre.

“Rezulton nga hetimi se inspektorët tatimorë të arrestuar, merrnin edhe “sugjerime” nga personat e tretë lidhur me faktin nëse duhet të kryenin kontrolle në objekte të ndryshme tregtare dhe se si duhet të silleshin”, theksoi Prokuroria. Sipas saj, nga hetimi, konstatohen raste të ndryshme, kur “sugjeruesit” i kërkonin inspektorëve tatimorë që të “groposin x apo y biznes”, duke nënkuptuar se mund të ishin biznese rivale ose që nuk kishin pranuar “të respektonin” inspektorët.

SHKELJET E ZYRTARËVE
Në kërkesën e Prokurorisë drejtuar Gjykatës për caktimin e masave të sigurisë ndaj punonjësve të arrestuar, thuhet se ndër shkeljet e konstatuara kanë qenë kontrollet fiktive.

“Të dyshuarit akuzohen për kontrolle të pakryera, por me procesverbale të plotësuar sikur të kishin kryer veprimet në terren. Po kështu, nga hetimi del se ka pasur raste kontrollesh të kryera, por pa evidentuar shkeljet, si mungesë dokumentacioni, mungesë personash të regjistruar si të punësuar, etj”, pohuan më tej burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, nga hetimet fillestare, në disa raste, rezultonte se punonjësit e Tatimeve nën hetim, komunikonin për veprime antiligjore, ndër të tjerë, edhe me menaxherin e një kompanie bastesh. Duke u thelluar më tej hetimi, nga ana e Prokurorisë u arrit të krijoheshin dyshime se në veprime korruptive dhe antiligjore ishin të përfshirë edhe disa inspektorë të Njësive të Lojërave të Fatit.

Hetimi, i cili ka nisur në nëntor 2014, ka arritur deri në këtë fazë të evidentojë dhe provojë shkelje të disa inspektorëve të Hetimit Tatimor dhe të disa inspektorëve të Lojërave të Fatit.

ZONAT KU VEPRONIN
Në bazë të hetimit të Prokurorisë, inspektorët e Tatimeve, për të cilët është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata, akuzohen se kanë kryer shkelje të natyrave të ndryshme dhe në zona të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Malësi e Madhe, Velipojë, Laç, etj.

Ndër subjektet, për të cilat inspektorët Tatimorë dyshohet se kanë konsumuar elementët e “shpërdorimit të detyrës” gjatë kontrolleve janë; lokale, magazina, objekte shërbimi, pika shumice ushqimore, elektroshtëpiake, detergjentësh, etj.

Nga ana tjetër, inspektorët e Njësisë së Lojërave të Fatit, për të cilët është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata, kanë kryer shkelje të natyrave të ndryshme dhe në zona të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Tropojë, Lezhë, etj.

Ndër subjektet, për të cilat inspektorët Tatimorë dyshohet se kanë konsumuar elementët e “shpërdorimit të detyrës” gjatë kontrolleve janë; pika bastesh sportive dhe subjekte tregtare të lojërave të fatit, etj.

TË ARRESTUARIT
1.Jani Berukas, 39 vjeç, Përgjegjës Grupi në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit
2. Valentin Loka, 34 vjeç, specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit
3. I.R, 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit,
4. Trëndafil Tarja, 36 vjeç, Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve,
5. Mensur Hoxha, 37 vjeç, përgjegjës grupi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve,
6. Petrit Ahmetaj, 48 vjeç, specialist në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, në Bashkinë e Tiranës.
7. Maltan Jacaj, 41 vjeç, specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit
8. Kreshnik Kasaj, 27 vjeç, menaxher i një kompanie bastesh
Shpallen në kërkim tre shtetasit me inicialet A.M, K.D dhe X.B

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura