Përgjimet e reja/ Sekseri: I thashë gjyqtarit, daku mos kërko më. Nëna e Dodës: Shyqyr se s’kemi më as brekë…

Nov 15, 2017 | 10:32
SHPËRNDAJE

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për aferën korruptive ku dyshohet të jetë përfshirë gjyqtari i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, ka nisur më 26 janar të këtij viti. Çelësi i këtij hetimi kanë qenë telefonatat nga burgut të Gentian Dodës me të afërm e miq, që i ka porositur për të paguar 30 mijë euro për gjyqtarin.

shkelqim-miri1

Përgjimi i një numri telefonik të përdorur në qeli nga Doda, i dënuar për një ngjarje të vitit 1997 në Burrel, ka sjellë dyshimet e arsyeshme për përfshirje në aferën korruptive të disa personave. Gentian Doda u kërkonte personave jashtë burgut që t’i siguronin një shumë prej 30 mijë eurosh, që dyshohet të jetë përdorur për ryshfet në Gjykatën e Apelit.

Gazeta “Panorama” publikon përgjimet e bisedave telefonike, mesazhet dhe përgjimet ambientale, që gjenden në dosjen e Prokurorisë, në bazë të të cilave u arrestua gjyqtari Shkëlqim Miri. Episodi më i qartë, ku flitet për gjyqtarin që do të merrte paratë, është një bisedë telefonike që nëna e Gentian Dodës, Bukurie Doda, ka bërë me mikun e tij, Alban Buci, i shpallur në kërkim.

Buci e siguron nënën e Dodës se i biri do të dalë pasi e ka sqaruar me atë që ka çekiçin (duke iu referuar gjyqtarit). Më poshtë përgjimet e zbardhura në dosjen e Prokurorisë.

screenshot-2_1510597790-4565319

Në një bisedë telefonike të datës 23 maj 2017, në orën 12:00, Gentian Doda udhëzon të afërmin e tij për sigurimin e parave.

“Do me plotësu si do që të jetë, kur të japin ky 15 euro. Kështu që ti sa ke aty. I ke 15 euro të gatshme, apo ke 14? Sa janë? Duhet të plotësosh 30 dhe t’i çosh diku me Albanin”, thotë Doda.

Pas mbledhjes së parave, ato i janë dorëzuar Kujtim Mirit, në një lokal në zonën e Fushë-Krujës, më 23 maj 2017. Ky veprim është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Më datë 23 maj 2017, pas largimit nga lokali, shtetasi Alban Buci rezulton e provuar të ketë shkëmbyer disa mesazhe me shtetasin Gentian Doda në lidhje me takimin e mësipërm, ku ky i fundit i shpjegon se: “…po ashtu në orën 08:30 po shkojmë se o tu prit ai burri huj…”.

Në orën 21:47, që përkon me momentin pasi ka dalë nga lokali “ABC”, shtetasi Alban Buci i dërgon shtetasit Gentian Doda mesazhin me përmbajtjen: All ok now … by the middle of net month… (e cila e përkthyer në shqip ka këtë përmbajtje: Çdo gjë në rregull tani… nga mesi i muajit tjetër.)

Palët rezulton se i referohen gjykimit të çështjes që do të zhvillohej në Gjykatën e Apelit, që përfundoi më datë 7 qershor 2017. Në procesverbalin përkatës është pasqyruar përmbajtja e këtij mesazhi e shoqëruar edhe me disa animacione që përdoren në aplikacionet e telefonave celularë, të cilat dyshohet se janë një mënyrë komunikimi për të shpjeguar se është rënë dakord (duke nënkuptuar gjyqtarët, bëhet fjalë për tre persona dhe tre duar që japin miratimin).

Në komunikimin telefonik të datës 25 maj mes Alban Bucit dhe nënës së Gentian Dodës, Buci i jep asaj garanci se i biri do të lirohej nga burgu.

Alban Buci: Rri pa merak, se e kam sqaruar unë atë punë. E kam sqaruar pardje me atë që ka çekiçin. I kam sqaruar gjërat.

Bukurie Doda, nëna e Gentian Dodës: Mirë, faleminderit shumë.

Alban Buci: I kam dhënë një thes me dokumente. Shyqyr ka me dalë dhe ai se na ka fikë më. S’kemi as brekë me vesh s’kemi. Jemi shkund krejtë. S’kemi car me i bë tjetër.

Nëna e Dodës: Veç të dalin, pas Zotin.

Alban Buci: I thashë atij gjyqtarit, daku mos kërko më se s’kemi çarë me të dhënë tjetër, veç shpirtin.

Nëna e Dodës: Se dhe unë me pyet, atje dëgjohet dhe kështu, prandaj të pyes ty.

Alban Buci: Rri pa merak se e kemi sqaruar në maksimum. Do vij të takoj. Do vij të takoj një ditë dhe ta sqaroj tamam.

Nëna e Dodës: Po fol njëherë, pyet sot.

Alban Buci: Jo, s’ka nevojë me pyet se e kam sqaruar unë vetë personalisht para tre ditësh.

Nëna e Dodës: A do të paraqitet në Burrel a në Tiranë?

Alban Buci: Jo, jo, s’ka me u paraqit në asnjë vend ky. I bëshin vetë ata.

Nëna e Dodës: Eee.

Alban Buci: E bëjnë vetë ato.

Nëna e Dodës: Se aty isha në siklet, se thashë se mos do të shkonte prapë në Burrel.

Alban Buci: Jo car sikleti, i kemi sqaruar ato gjërat, mos u mërzit ti. Ne presim veç të dalin.

Nëna e Dodës: Mirë, faleminderit.

Referuar dosjes, Prokuroria ka vënë re komunikime të shpeshta telefonike mes Kujtim Mirit dhe gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili ishte pjesë e trupit gjykues të dosjes së Dodës në Apel. Sipas të dhënave, ditën e dorëzimit të parave, Kujtim Miri dhe gjyqtari kanë komunikuar tri herë në telefon, para dhe pas veprimit në Fushë-Krujë.

Rezulton që më datë 23 maj 2017, shtetasi Kujtim Miri (kushëriri i gjyqtarit), të ketë zhvilluar bisedë telefonike me shtetasin Shkëlqim Miri, në orën 18:57 (bisedë e cila ka zgjatur 72 sekonda) dhe në orën 21:05 (bisedë e cila ka zgjatur 32 sekonda).

Shtetasi Kujtim Miri e ka telefonuar sërish dy herë në orën 21:27 dhe 21:28 (kohëzgjatja e bisedës 1 sekondë), që përkon me momentin rreth 6 minuta përpara se ai të takohej me shtetasin Alban Buci (miku i Gentian Dodës) dhe Nezir Abdullaj (vjehrri i Gentian Dodës).

Shtetasi Shkëlqim Miri e ka telefonuar më pas shtetasin Kujtim Miri në orën 21:36 (bisedë e cila ka zgjatur 21 sekonda), që përkon me kohën kur shtetasi Kujtim Miri ka qenë në lokalin “ABC” së bashku me shtetasit Alban Buci dhe Nezir Abdullaj.

Nga pamjet filmike të lokalit të ndodhur në Fushë-Krujë, ku është dorëzuar zarfi i bardhë me 30 mijë euro, përkon me kohën që Kujtim Miri ishte në lokal me personat e dërguar nga Gentian Doda.

Shtetasi Kujtim Miri dhe Shkëlqim Miri kanë vijuar që të kenë komunikime telefonike edhe në datat 24, 25, 26 maj 2017, si dhe në datat 4, 5 dhe 8 qershor 2017. Më 25 maj 2017 rezulton se është përgjuar edhe Alban Buci, shtetas në kërkim po për të njëjtin hetim, dhe mëngjesin e datës 25 maj 2017, në orën 09:45, Buci njofton të afërmit e Gentian Dodës, duke u shprehur: “U dhashë atyre një thes me dokumente”.

Ndërkohë vendimi për lënien në fuqi të ndryshimit të akuzës nga vrasje në plagosje me pasojë vdekjen ndaj Gentian Dodës, ishte planifikuar të jepej në Gjykatën e Apelit më datë 6 qershor 2017, por kjo seancë është shtyrë për më datë 7 qershor.

E pikërisht për këtë shtyrje, një person telefonon Gentian Dodën dhe e njofton se: “U shty më datë 7 në ora e 15:00, për dy arsye. Mosformim të trupit gjykues dhe mosparaqitje të prokurorit, se ai kryesuesi i seancës është shumë korrekt, ai iku me gjyq tjetër”.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura