Përgjime sekrete pa lejen e prokurorit/ Shoqëria civile kritikon ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit

Feb 14, 2020 | 15:42
SHPËRNDAJE

Rama-Lleshi-Veliu-491x400

Organizatat e shoqërisë civile kritikuan ndryshimet në ligjin për “Policinë e Shtetit”, duke shprehur shqetësime për dobësimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe shkeljen e së drejtës për pavarësi.

Deklarata e firmosur nga 22 organizata, thekson gjithashtu se projektligji i mësipërm, njësoj si e ashtuquajtura paketa Anti-KÇK, u hartua pa transparencë dhe pa konsultim publik paraprak me organizatat vendase të shoqërisë civile.

Ndërsa mbështesin çdo nismë që synon të intensifikojë luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit në Shqipëri, organizatat e shoqërisë civile vërejnë megjithatë se ndryshimet e propozuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit” ngrenë dyshime serioze për cenimin e parimit të ndarjes së balancimit të pushteteve, parimin e pavarësisë së gjyqësorit si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“…në vlerësimin tonë, përbën shkelje të pavarësisë së prokurorisë neni 2 i projektligjit (njësoj si neni 8 i aktit normativ). Në këtë dispozitë propozohet që organe të pavarura kushtetuese, sikurse është Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme të jenë pjesë e Komitetit Kombëtar për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar. Ky komitet, i organizuar në mënyrë kolegjiale do të kryesohet nga Ministri i Brendshëm (pjesë e ekzekutivit),” thuhet në deklaratë. Sipas analizës së bërë nga organizatat, Komiteti Kordinues krijon premise për ndikim të papërshtatshëm nga ekzekutivi në ushtrimin e pavarur të funksioneve nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i SPAK. Problemi i dytë i konstatuar është neni 4 i projektligjit që ndryshon nenin 131, i cili i jep të drejtë policisë që të kryejë përgjime ambientale dhe përgjime të bisedave telefonike, pa autorizim nga prokurori.

“Parashikimet e nenit 131 të projektligjit, dhe heqja e autorizimit të prokurorisë për të dhënë këto masa, në vlerësimin tonë bien ndesh me nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale. Kodi i Procedurës Penale është ligj i miratuar me shumicë të cilësuar, bazuar në nenin 81 pika 2 të Kushtetutës dhe dispozitat e tij kanë epërsi ndaj dispozitave të ligjeve që janë miratuar me shumicë të thjeshtë, sikurse është Ligji “Për Policinë e Shtetit,” konstatojnë organizatat e shoqërisë civile. Deklarata e organizatave të shoqërisë civile sjell në vëmendje edhe vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që ka penalizuar në një rast të ngjashëm Hungarinë, në kushtet kur një Task-Forcë Antiterror nën ombrellën e strukturave të policisë mori të drejtën për përgjime sekrete pa mbikëqyrje apo kontroll gjyqësor.

“Në rastin e Shqipërisë, dispozitat e parashikuara përbëjnë akoma më shumë shkelje flagrante të Konventës Evropiane (KEDNJ), pasi në ndryshim nga Hungaria, vendosja e masave të veçanta nga policia e shtetit por pa autorizim të prokurorisë, nuk është kufizuar vetëm në kuadër të luftës kundër terrorizmit, por është për çdo vepër penale,” thekson deklarata.

Organizatat e shoqërisë civile:

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH)

Instituti për Studime Politike (ISP)

Birn Albania

Instituti Shqiptar i Shkencës

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI)

Instituti i Kërkimeve Urbane

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

Fondacioni Shqiptar për të drejtat e personave me Aftësi të Kufizuar

Qendra Altri

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes

Qendra për Nisma Ligjore Qytetare

Qendra Europiane

Civil Rights Defenders

INAC

Në dobi të gruas shqiptare

Aleanca LGBT

CRCA

Këshilli Shqiptar i Medias

Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)

Gender Alliance for Development Centre

Partnerët Shqipëri

AWEN- Albanian Women Empowerment Network

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura