Kanë kaluar rreth 10 ditë që kur deputeti “rebel” Ben Blushi bëri një propozim për të reduktuar varfërinë dhe pabarazisë në vend nëpërmjet dyfishimit të pagës minimale. Nëpërmjet këtij propozimi Blushi ofron pikëpamjen e tij se si mund t’i iket qeverisjes “burokratike” të maxhorancës.
Surpriza është se askush në maxhorancë, opozitë, shoqëri civile apo mediume ekspertësh nuk reagoi për një propozim fare konkret, që ka një objektiv dhe instrumentin e realizimit të tij, me përfitime dhe kosto krejtësisht të matshme. Heshtja ndaj propozimit për dyfishimin e pagës minimale të bërë nga Blushi, në fakt, është injorim i hapur dhe arrogant i njerëzve në nevojë, që fatkeqësisht në Shqipëri janë shumë. “Padronët” e politikës dhe opinionit publik këtë herë me heshtjen e tyre e kanë rreshtuar veten te “të pasurit e fortë”, te mospërfillësit e hallexhinjve.
Me sa duket, për ta mandati, detyra, misioni apo instrumenti mediatik është vënë thellësisht në funksion të pasurimit personal, duke çuar në djall armatën e njerëzve në nevojë. Në këtë kuadër, më pa kuptim duket qëndrimi i Kryeministrit. Propozimi i Blushit në fakt është një dhuratë elektorale në fushatën “jo politike” që po zhvillohet për 61 bashkitë e reja. Marrja në konsideratë e propozimit Blushi për dyfishimin e pagës minimale duhet të çonte natyrshëm në një debat publik ekonomiko- politik, duke qenë i mirëpritur nga njerëzit në nevojë, sepse do vlerësonin që qeveria e tyre nuk i ka harruar, nuk i ka braktisur. Efekti i propozimit Blushi teknikisht tejkalon shtresat në nevojë dhe ka numrat për t’u bërë shtytës i konsumit dhe rritjes ekonomike në tërësi pa vënë në vështirësi Institutin e Statistikave të zbukurojë realitetin. Propozimi Blushi vjen në kohën kur vlerësimet e fundit të FMN konstatojnë se rritja ekonomike e Shqipërisë është ende nën potencialet e saj. Dhe rritja e konsumit nëpërmjet dyfishimit të pagës minimale mund të ishte një rrugë efikase dhe racionale që e kanë implementuar me sukses edhe shtete të zhvilluara, që nuk kanë varfërinë e Shqipërisë.
Heshtja maxhoritare bëhet edhe më e pakuptimtë kur mendon se kostot e një operacioni të tillë nuk i përballon buxheti, përkundrazi, përfiton. Për javë të tëra opinioni publik u bombardua me histori atentatesh dhe bombash, në të cilën nuk ngeli pa u përfshirë asnjë segment i shtetit dhe… u mbars mali dhe polli ca minj (çështja Doshi-Meta). Ndërsa për një propozim të bërë në foltoren e Kuvendit në sy të ministrave dhe deputetëve e të transmetuar apo botuar në shumicën e mediave, askush nuk reagon. Në këtë mënyrë reagimi dhe veprimi, politika, qeverisja dhe opinionbërja po u ngjajnë gjithnjë e më shumë serialeve turq që, bashkë me politikën e konflikteve boshe, kanë pushtuar ekranet, sesa propozime konkrete, të cilat prekin qindra-mijëra jetë shqiptarësh dhe ekonominë kombëtare.
Kur Blushi tha batutën thumbuese ndaj Ramës “mos i fol shoferit”, u hapën edicionet e lajmeve të mediave elektronike dhe faqet e gazetave. Ndërsa kur ai bën një propozim konkret dhe shumë të dobishëm për të reduktuar varfërinë dhe për të demonstruar vullnetin se maxhoranca i ka në fokus shtresat në nevojë, pllakos heshtja.
Po në fakt, çfarë pasojash mund të ketë nëse propozimi i Blushit shqyrtohet dhe aprovohet? Qindra-mijëra familje do kishin dyfishin e të ardhurave në dispozicion për të shpenzuar. Pa dyshim që këto para do paguhen nga sipërmarrësit duke rritur koston e punës. Por, nga ana tjetër, do përfitonin blerës të rinj dhe shitje shtesë duke balancuar efektin kosto-përfitime. Rritja e pagës minimale do mundësonte që punonjësit të fokusohen më shumë në punën e tyre, të jenë më të disiplinuar dhe më të aftë profesionalisht, duke mos rendur çdo çast drejt një pune më të paguar. Ka ekspertë që mendojnë se rritja e pagës minimale do shkaktonte papunësi. Nëse propozimi Blushi do merret në konsideratë, për debat ekspertët e së djathtës do tentojnë të argumentojnë se kjo do ishte një masë e dëmshme për sipërmarrjen dhe ekonominë. Por historia ekonomike botërore i ka të gjitha provat se rritja reale e GDP, punësimit dhe të ardhurave është më e madhe se rritja e pagës minimale, megjithëse kjo e fundit është rritur dhjetëra herë në 50 vitet e fundit.
Në mungesë të statistikave zyrtare për numrin e punonjësve që marrin pagë minimale, nuk jam i sigurt nëse paga minimale duhet dyfishuar apo rritur 100%; duhet bërë menjëherë apo në harkun e disa viteve; duhet bërë me apo pa incentiva. Por, në thelb, unë mendoj se do ishte në nderin e së majtës dhe kësaj maxhorance që “dhuratën” elektorale të Blushit ta marrë në konsideratë dhe të dëshmojë se “burokracia” nuk ka hequr dorë nga vlerat themelore të së majtës tradicionale; liri dhe barazi. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e pabarabartë; të pasurit po bëhen më të pasur, ndërsa të varfrit më të varfër. Maxhoranca e majtë ka votat dhe pushtetin për të dëshmuar se është vërtet e tillë, duke ndërmarrë nisma konkrete drejt reduktimit të pabarazisë dhe zgjerimit të shanseve të barabarta për cilindo, pavarësisht statusit pasuror.