Përgjigje Berishës për kufirin detar

Sep 15, 2020 | 9:50
SHPËRNDAJE

MYSLYM PASHAJ myslym pashaj

Njëmbëdhjetë vjet më parë si ky shtator, Sali Berisha kalonte truprojën e nderit me një krenari triumfuese përulëse në krah të Kryeministrit të Greqisë, me rastin e Paktit Detar, të arrirë midis dy shteteve. Shteti fqinj arrinte të vinte dhe të zgjerohej në Detin Territorial të Kanalit të Korfuzit dhe Ngushticës së Otrantos, kurse Shqipërisë i pushtohej deti në Kanalin e Korfuzit dhe Greqia realizonte objektivat e vet strategjikë.

“Hartën e pushtimit të detit e kishin bërë vetë shqiptarët, në një marrëveshje po kaq të pashembullt në shpërfillje të interesave shqiptare. Ky ishte një rast i jashtëzakonshëm, sigurisht që ne nuk do donim t’i ndodhte Kryeministrit tonë.

Njëmbëdhjetë vjet më parë si ky shtator, ju ndiqnit ballafaqimin në studio të Blendi Fevziut, se si zihej Shqipëria me veten e saj, kur dy ushtarakë të lartë gati vriteshin njëri me tjetrin për të vërtetën e ndarjes së detit. Sërish e njëjta studio dhe po i njëjti Fevzi që pyet për Marrëveshjen e Delimitimit dhe Berisha akoma në transhenë e tij sulmon oponencën tekniko-ligjore ndaj atij pakti të rrëzuar. Në përsëritje të vetvetes, me po të njëjtat argumente, si njëmbëdhjetë vjet më parë, kërkon që ta ngrejë nga varri Marrëveshjen e përmbysur, si rrallë mund ta bëjë ndonjë Kryeministër në botë.

Ata që e kanë ndjekur deklaratën tuaj dhe kanë mundësi të lexojnë këtë reagim, le të mundohen të qasen me çështjen sipas gjykimit të tyre. “Ai (është fjala për Kolonel Pashaj) ka spostuar linjën bazë të koordinatave 90 km në territorin e Shqipërisë dhe ka ndryshuar territorin shqiptar, para Gjykatës (është fjala për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë) nga 38 në 22 km…”…

Tani le të përpiqemi që ta përkthejmë. “Termi, linjat bazë të koordinatave, nuk ka lidhje fare me termat e hartës së delimitimit në fjalë. Spostimi në 90 km në territorin shqiptar duhet shpjeguar dhe kuptuar sipas sistemit koordinativ që ai e ka në mendjen e tij. Kohë hapësira është qëllimisht e çorientuar nga ju si një manipulim i pastër. Tani le të na ndjekin lexuesit… Nga pika treshe të të tre shteteve, Itali, Greqi, Shqipëri, rrezja prej 90 km do të na nxirrte deri në Levan të Fierit. Nëse rrezja e rrethit prej 90 km do ta drejtonim për kah jugu, kapërcehet Korfuzi dhe dalim në gjirin e Kërkyrës. Për cilin spostim është falsifikuar kur dilet jashtë hapësirës ku shtrihet harta e ndarjes detare? Ku është harta e falsifikatorit të përfytyruar nga ju, e radhitur brenda dokumenteve të Gjykatës Kushtetuese?

“Kjo, sipas Berishës, është deklaruar në Gjykatën Kushtetuese. Aty qenka ndryshuar territori shqiptar në një shifër tjetër nga 38 km në 22 km! Nuk dihet se ç’presupozojnë këto largësi?! Për cilën hapësirë bëhet fjalë?! Asnjë falsifikim nuk mund të bëhet dot në një dokument zyrtar shtetëror si Marrëveshja e Delimitimit, e cila ka vetëm një listë koordinatash dhe një hartë dixhitale të firmosur nga grupi negociator. Si mund të ndërhysh e të vesh të dhëna të ndryshuara! Kush mund ta japë këtë tagër?. Ky është një qëndrim trillues, i qëllimshëm dhe manipulues ku Berisha është munduar të mbështetet, për të hedhur poshtë çdo qasje shkencore, teknike dhe ligjore që ka zotëruar Gjykata Kushtetuese me thellimin, analizën dhe ekspertizën më të përgjegjshme të saj. Në gjykimin kushtetues, nuk është lejuar asnjë ndërhyrje nga oponenca, veçse diskutime e rrahje mendimesh të kundërta për të arrirë në rezultatin e duhur. Gjithçka tjetër që thuhet është trillim dhe shpifje e paskrupullt. Dhe ju i vërsuleni një koloneli shqiptar, në përfytyrimin se ai “ka falsifikuar një hartë, ka zëvendësuar kilometra… etj.” dhe nuk mund t’i dëshmosh asnjë grimë dot se ku mund të jenë futur ato sipërfaqe dhe gjatësi dhe në cilin dokument ndodhen.

Për gjithçka që e kemi trajtuar më sipër do të ballafaqohemi në Gjykatë, sa më shpejt të jetë e mundur.

Atëherë kush është Sharlatani, kush është trilluesi dhe gënjeshtari?

Ishte data 27.04.2009. A nuk ju kujtohet njëmbëdhjetë vjet më parë kur dhatë intervistë në “Zëri i Amerikës”, më quajte “sharlatan, kryesharlatan!”. Kjo, sigurisht, është një sharje dhe fyerje e rëndë. Edhe pse jemi pjesë e së njëjtës bashkësi, një det i tërë na ndan! Ti shëmbëllim i energjisë diabolike që s’të shter. Unë ndodhem në transhenë time të hershme, gjithnjë roje në hartografinë e kufijve historikë.

U vërtetua se ishte bërë një pakt pa tejdukshmëri, pa plotfuqi, pa studim shumëpërmasor, pa profesionalizëm; pa njohje cilësore të ligjit të detit, gjersa ishte pranuar “Metoda e Baraslargësisë” dhe ish shmangur “Equitable Solution” për kushtet gjeografike të ndryshme, të ishujve dhe cekinave shkëmbore në vij»n bregore të Korfuzit.

Regjisori, komediani dhe sharlatani jeni ju!

Sapo i gjetëm asaj stine hartën e shtetit fqinj, ku ishte shtrirë deti ynë i prerë dhe ju morët kompasin nga duart e Komandës së Forcave Detare dhe filluat të matni e të shpjegosh humbjen. Dhe a e di se ky ekip nuk ka pranuar të bëjë Testin e Përpjesëtueshmërisë: sa sipërfaqe detare ka marrë secili vend në përkim me gjatësitë e vijave bregore të Dheut Kontinental të Shqipërisë dhe gjatësisë së vijës bregore ishullore të Arkipelagut të Korfuzit.

Shqipëria ka marrë në çdo km gjatësi vije bregore, 10,2 km2 det.

Greqia ka marrë në çdo km gjatësi vije bregore, 17,9 km2..

Kjo ishte padrejtësia më e madhe, që shqiptarët e vetëfirmosnin.

Atëherë, kush është, pra, sharlatani?! Mediumet shqiptare kanë bërë veprën më të lartë në përgatitjen e opinionit dhe qartësimin e tij. Ndjeshmëria e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila kishte numra politikë të varur prej teje. Mirëpo, ajo nuk të pyeti ju dhe votoi 9:0 dhe e hodhi poshtë.

Në Gjykatën Kushtetuese pamë memecllëkun dhe lidhjen politike të ekipit tuaj, që s’përmendi kurrë se ç’kish ndodhur  me Barketën, me Gjirin e Sarandës, se si u ishte dhënë det territorial: shkëmborit Serpa, ishujve Tignosso (Peristeri), Erikussa, Othonoi, kundruall vijës zotëruese të Dheut Kontinental të Shqipërisë. Dhe aty u ndje deklarata e padëgjuar më parë: “Greqia ka marrë det më shumë sepse ka edhe flotë detare më të madhe!”

Atëherë kush është kryesharlatani?

Sot e kësaj dite, ju ulërini dhe shkrofëtin si nga tribuja, duke iu kanosur Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila kishte ekspertizën më të lartë të së Drejtës Detare Ndërkombëtare dhe të studiuesve të shumtë, çka e gjeti përkimin e saj në një vendim me cilësi profesionale shembullore.

Akoma këlthasin e pyesin ku janë 354 km2, ashtu sikundër edhe Fevziu i “Opinionit”. Ne kemi qenë të hapur, të drejtpërdrejtë në argumente, në shkrimet dhe librin tim të publikuar “Deti që nuk falet. Të fshehtat e paktit Detar Greqi–Shqipëri” qysh pas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me mbi 150 artikuj të publikuar në mediume të ndryshme. Ja, kjo është vepra ime për qytetarët shqiptarë.

Atëherë kush është kryesharlatani?

Ju mashtroni dhe gënjeni se kompania e huaj ligjore, “Dewey & LeBoeuf LLP”, paska vënë në dukje për marrëveshjen se ka qenë “proper agreement”, çka nuk është e vërtetë. Kurse ajo është shprehur që “nuk mund të ketë marrëveshje më të keqe sesa kjo, ku Shqipëria ka humbur!”. Shkoni në arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe do ta gjeni.

Kush është pra, kryesharlatani?

Tani që po përgatiten për të rinegociuar ju po i kapërceni përfytyrimet. Akuzon se po shitet deti… se po bëhen pazare… ju ulërini se do të shtriheni në Hapësirat Ekonomike Ekskluzive ku ka naftë… dhe aty veç mbi trupin tënd do të kalojnë… shtrihesh në atë pjesë, të cilën e ke dhënë në marrëveshjen tënde…!!! dhe flet pastaj për “3 milje, 6 milje, 12 milje… flet për Italinë e Greqinë” dhe vetëm gënjen, e mashtron opinionin shqiptar me të pavërteta marramendëse. Ndërkaq, deklaroni pas njëmbëdhjetë viteve se Marrëveshja e parë është më e mira e mundshme kur është vërtetuar se “pushtimi i detit” është bërë nga përdorimi i skajshëm i metodës së baraslargësisë dhe vijës së mesme, duke lënë mënjanë parimin e “Equtable Solution” që rekomandohet në konventën e Monego Bay në vitin e largët 1982.

Atëherë, kush është sharlatani?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura