Përgjakja e Komisariatit nr. 3, zbardhet dëshmia e parë e autorit në polici: Më fyente prej kohësh

May 24, 2022 | 11:40
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Tirana është tronditur mbrëmjen e djeshme nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në ambientet e Komisariatit nr. 3.

Përplasja mes dy efektivëve të Policisë ka degjeneruar në nxjerrje armësh e për pasojë është vrarë me plumbat e kolegut, efektivi i Policisë Çaush Saliaj, 53 vjeç.

Autori i sulmit me armë është vënë në pranga dhe mësohet se ka dhënë edhe dëshminë e parë para kolegëve të tij, duke u shfajësuar në një lloj forme, se kishte kohë që kolegu e tallte dhe se nuk mund ta duronte më.

“Para se të merrnin shërbimin, ndodheshim në zyrën e ndarjes së turneve. Kam qenë tejet i mbyllur, më ka ngacmuar me fjalë dhe disa herë ofenduese. I kisha akumuluar të gjitha këto deri në mbrëmjen e sotme”, iu tha ai kolegëve dhe më pas ekspertëve të hetimit dhe atyre të Drejtorisë së Policisë që mbërritën në komisariat.

Policia reagoi rreth një orë më vonë, duke dhënë informacion për ngjarjen dhe duke treguar se në fakt efektivi i plagosur nuk kishte mundur t‘iu shpëtonte plagëve të marra.

Ja çfarë njoftonte policia në informacionin paraprak

Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.

Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura