“Përgatitemi për vjeshtë-dimrin”, Manastirliu me epidemiologët e terrenit: 300 punonjës të dedikuar për spitalet që priten të hapen

Aug 1, 2020 | 11:10
SHPËRNDAJE

ogerta

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë takimit me epidemiologët e Tiranës, një prej vatrave kryesore në vend, ka deklaruar se sistemit shëndetësor do t’i shtohen 300 mjekë, infermierë, teknikë, në përgjigje të planit dhe strategjisë afatmesme ndaj situatës së shkaktuar nga COVID19.

“Vendimi i qeverisë ka alokuar 300 punonjës të dedikuar për spitalet që priten të hapen, por edhe për planin tonë afatmesëm në kuadër të përgjigjes të situatës të shkaktuar nga COVID19. 300 punonjës do të jenë mjekë, teknikë apo infermierë, që do t’i përgjigjen nevojave të spitaleve COVID apo nevojave të tjera që ka sistemi shëndetësor”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit me epidemiologët, Ministrja Manastirliu theksoi se po vijon puna me forcimin e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore për përgatitjen e periudhës vjeshtë dimër.

“Ne po përgatitemi për vjeshtë-dimrin, që sigurisht do të jetë i vështirë, por po përgatitemi të fuqizojmë asetet sa i përket burimeve njerëzore, epidemiologët, punonjësit në shërbimet e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor jo vetëm në Tiranë, ku janë dyfishuar ekipet por edhe në të gjithë qarqet, në mënyrë që në terren të kemi më shumë epidemiologë, më shumë punonjës, të cilët të mundet të kenë prioritet jo vetëm testimin, por edhe gjurmimin, hetimin për kufizimin e infeksionit”, tha Manastirliu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura