Përfundon raundi i dytë i takimit mes Vuçiç dhe Kurtit/ Zyrtari serb: Ne luftuam për paqe dhe zgjidhjen e tensioneve përmes kompromisit

Aug 18, 2022 | 15:43
SHPËRNDAJE

Në Bruksel ka përfunduar rundi i dytë i bisedimeve trepalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

vucic kurti

Paraprakisht, pas rundit të parë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë biseduar ndaras me Kurtin dhe Vuçiçin.

Presidenti i Serbisë u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave, ndërsa shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviç, u tha gazetarëve se Vuçiç do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t’i drejtohet publikut të premten, më 19 gusht.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviç.

Kjo ishte hera e parë që brenda një dite u mbajtën dy takime trepalëshe në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Rundi i parë i takimit trepalësh u mbajt pak pas orës 10:30, dhe ky rund u pasua me takime të ndara të delegacioneve me zyrtarët e BE-së.

Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.

Borrell pret fleksibilitet nga Kosova dhe Serbia

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më herët gjatë 18 gushtit tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, teksa palët po takohen në Bruksel në rundin e ri të dialogut.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

Ky reagim i tij erdhi pasi ai zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që u pasua me takimin trepalësh.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, presidenti serb Vuçiç tha se ka shpresë se do të arrihet ndonjë zgjidhje, por shtoi se është “skeptik”.

Pas këtij takimit trepalësh, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.

Kurti dhe Vuçiç janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.

Vuçiç thërret në takim përfaqësuesit e serbëve nga Kosova

Teksa në Bruksel po mbahen takime në kuadër të dialogut, Vuçiç ka thirrur një me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën, më 21 gusht, në Beograd, raportojnë mediat beogradase.

Portali N1 shkruan se në këtë takim janë ftuar përfaqësues të Listës Serbe, kryetarë komunash dhe drejtorë të spitaleve në zonat në Kosovë të banuara me shumicë serbe.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe, më 18 gusht janë parë disa grafite me porosinë “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Ne po presim!”. Këto grafite janë nënshkruar nga “Brigada e Veriut”./ Marrë nga REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura